Suplementi Pena Shqiptare/ Fuat Memelli: Ujvara e mallit

310
Sigal

Poeti i mallit 

        Nga Istref Haxhillari

 

Pasi lexova këto poezi prekëse, nuk munda ta shkruaj menjëherë parathënien, sikundër i premtova autorit dhe mikut tim Fuat Memelli, për një arsye të thjeshtë. E gjeta veten zhytur vargjeve ku gëlon malli për njerëz e vende aq të ngjashme me ato të miat. Çuditërisht vargjet patën ndikim të madh personal. E imagjinova veten bujtës në visoret ku janë thurur poezitë, takova pleq të moçëm dhe të rinj me mendësi amerikane, miq të shtrenjtë që prej kohësh i shihja vetëm në ëndërr, ndjeva gurgullimën e dëborës së shkrirë pranverës dhe penelat e vjeshtës  me ngjyra të ndezura përgjatë rrjedhës së lumenjve. Në poezinë “ Përrenjtë e mallit” nga ka marrë edhe titullin vëllimi, ndër të tjera poeti thotë:

 

Vijnë ata, nga rrugë e gjatë,

e derdhen në shpirtin tim

T’i bëj pritë, s’jam i aftë,

janë përrenj nga vendi im.

 

Bëj t’i zbut me ndonjë varg,

sa t’ua ul pakëz vrullin!

Por ata më vijnë prap’

në mendime prap’më futin.

 

Nëse do të kërkonim pak fjalë për të përkufizuar të veçantën e poetit Fuat Memelli, do të ishte pa dyshim grupi emëror “Poet i mallit”. Ky përcaktim i shkon për shtat profilit të tij poetik, që edhe pse nuk është posaçërisht i kësaj linje, të shkruarit e vargjeve e ka dhunti. Poezia e Memellit është dehëse, ritmi melodioz, tematika shpërthim ndjenjash të ngrohta. Larmi figurash letrare, të cilat autori i ndërton me finesë, duke përcjellë te lexuesi mendim të thellë e të ngjeshur që të freskon si psherëtimë e re Devolli.

 

Një grusht ujë te burimi:

më i mirë se çfarëdo pije.

Këngë magjie nga bilbili:

melodi, çfarë melodie!

 

​Poezitë e punuar me elegancë krijojnë  te lexuesi imazhe, që nuk zhduken lehtë. Fuat Memelli është poet i ndjesive të ngrohta dhe situatave befasuese, përftuar më së shumti nga përvoja e vet. Në pamje të parë duket sikur vargjet janë të rrafshit personal, por jo. Ato shtrihen më gjerë, kanë përmasa sociale gjithë kohore. Vizioni i poetit është i thellë. Shkruan për dashurinë njerëzore në kuptim global, prindërit, familjen, gruan, fëmijët, shokët e miqtë, për të ikurit në amshim, vendlindjen, mërgimin, duke ngjizur vargje që të drithërojnë shpirtin.

 

Pragun ku linda dua të shkel.

Gjurmët e prindërve t’i prek.

Të hyj aty, ku shpirti çel:

ku fllad i mallit, pas më ndjek.

 

E për një këngë, më merr malli:

në sofër burrash ta dëgjoj!

Një gotë raki, ballë kazani:

me miq e shokë ta shijoj.

 

​Poeti nuk ngutet, as nxitohet, ani pse vargjet mund të konturohen në një çast të vetëm, ato skaliten me merak e përkujdesje si gurskalitësit e vendit të vet. Edhe kur kanë të njëjtin motiv nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, secila poezi ka tharmin e vet të papërsëritshëm. Ato e befasojnë lexuesin për fjalorin e larmishëm, të thjeshtë e poetik, stilistikën e përzgjedhur me masë në funksion të ideve dhe mesazheve, që përcjell. Në vargjet e këtij vëllimi plot ndjenjë e përkushtim, vendin kryesor e zë poezia meditative, që buron nga pejzat më të thella të shpirtit.Objekt i meditimit është njeriu, vendi i tij, Bostoni ku jeton prej vitesh, por edhe një pemë e vetmuar, bregu i lumit, apo një mulli i vjetër, i harruar diku.

 

Jetim  ai ka mbetur:

i ngjet një bote tjetër!

Ka vite që rri dergjur,

mulliri ynë i vjetër.

 

Të heshtur gurët rrinë:

mbledhur të dy tok.

Më ngjan sikur ngrijnë:

veç qielli i mbulon.

 

​Poezitë e këtij vëllimi shkruar në disa vite, në mënyrë paksa të fshehtë e të heshtur e joshin lexuesin, e bëjnë më të ndjeshëm e më të mirë gjatë shtegtimit në hapësirat lirike, ku i shpie natyrshëm Fuat Memelli. Është libër i poezive, që duhet lexuar dhe rilexuar ngadalë, duke u kënaqur me secilin varg dhe duke kërkuar bashkë komunikim të thukët njerëzor.

 

Rrathët e jetës shtohen një nga një,

ashtu si te drurët, moshën tregojnë.

Vjen një ditë, për  rrathët s’ka vend më!

Drurët dhe njerëzit”lamtumirë” na thonë.

 

 

Rrathët e drurëve, që t’i numërojmë,

trup i tyre do sharruar!

Rrathët tona, vërtet s’i shikojmë:

në rrudha e flokë, janë të shkruar.

 

​Pasi e përfundon leximin, pasi merr frymë thellë, bindesh se më e spikatura e këtij vëllimi poetik është malli i njeriut që me kalimin e moshës bëhet më i thellë se deti dhe më i rrëmbyeshëm se lumenjtë në pranverë.