Gjon Bruçi: Kush janë talebanët e vërtetë shqiptarë

355
Sigal

 

 

Në një intervistë nga Sllovenia për Radion BBC, Kryeministri Rama, përsëriti për të tretën herë ligjëratën e famshme e tepër të çuditshme për “telabanët” shqiptarë të fundviteve nëntëdhjetë:  “Vetëm 30 vjet më parë ne ishim afganët në anën tjetër të bregdetit të Adriatikut, në përpjekje për të gjetur strehë në Itali dhe, më tej, në Evropë, të dëshpëruar për t’u ikur talebanëve të kuq të Tiranës”!

Përpara se të japim opinionin për këtë “thagmë” të kryeministrit tonë, le të themi disa fjalë se kush janë “Talebanët” e Afganistanit, që në diskursin e politikave ndërkombëtare, konsiderohen persona, të cilët “profesionin” bazë kanë terrorin dhe terrorizmin. Sipas të shkruarave të trashëguara, “Talebanët” janë një grup shoqëror, apo një shtresë e shoqërisë afgane, të cilët u organizuan si njëri prej fraksioneve në luftës civile të Afganistanit në fundvitet nëntëdhjetë, fill pas tërheqjes se pushtuesve ruso-sovjetikë. Emërtimi “Taleban”, thuhet se vjen nga fjala arabe “talib” – student, çka domethënë se emërtimi “Taleban”, në vetvete, nuk është emërtim fyes e denigrues. Ajo që i dallon “Talebanët” nga kundërshtarët e tyre vendas, “Muhaxhedinët”, është fakti se këta janë myslimanë sunitë fundamentalistë. Si të tillë, në vitet 1994 – 2001 sunduan vendin me një formë rregjimi të rreptë të ligjit islamik. Ndërsa muhaxhedinët, thuhet se janë më tolerantë, ndaj me ndihmën e SHBA, arritën të vinin e të qëndronin në pushtet, gjer në këto ditë të fundit, kur “aleati” njezetvjeçar i braktisi, duke i detyruar t’jua linin pushtetin, “Talebanëve” të tmerrshëm të Afganistanit. Lufta e “talebanëve” kundër “muhaxhedinëve” dhe mbështetësve të tyre amerikanë, përgjatë 20 viteve nuk ka pushuar asnjë ditë. Motivi i dukshëm i sulmuesve ka qenë çlirimi nga pushtuesit e huaj. Kjo luftë e tyre është shoqëuar me një terror “shembullor”, me ngjyra fetare, i cili nuk ka marrë parasysh asnjë lloj rregulli apo norme, të luftës së rregullt e tradicionale që zhvillohet midis ndërluftuesëve. Është kjo arsyeja, që ka krijuar opinionin se, mbajtësit e emërtimit “taleban”, janë që të gjithë kriminelë të lindur, njëlloj si fiset e dikurshme të Vikingëve, apo të Xhingis Khanit.

Po, a janë vërtet të tillë afganët, qoftë edhe pjesa që emërtohen “talebanë”?!

Që nga viti 1747 kur njihet si fillimi i shtetit Afgan, banorët e këtij vendi kanë jetuar më shumë nën pushtimet e huaja, dhe shumë pak me vetqeverisje, e cila ka qenë e trazuar nga luftrat civile, nxitur nga pushtuesit e vjetër apo të rinj. Pushtuesit krysorë kanë qenë fillimisht Anglezët, për të vijuar në pjesën e dytë të shekullit të njëzet me rusët (sovjetikët), dhe në dy dekadëshin e fundit, rolin e “guvernatorit” dhe të “eksportuesit të demokracisë” e ka lozur ushtria amerikane me mbështetësit e saj të NATOS, përfshirë këtu dhe kontributin modest të ushtrisë sonë, pjesëtare e këtij Traktati politiko-ushtarak.

Në një pushtim të gjatë, dhe në një luftë shekullore kundër të huajve, doemos më i vogli, në këtë rast populli afgan, është detyruar të përdorë të gjitha mënyrat e mundshme që shpik mendja e njeriut. Shtoji kësaj skeme edhe praktikën e famshme dymijë vjeçare të romakëve “përçaj e sundo”, dhe patjetër do të kemi një vend e një popull, jo vetëm të martirizuar, por edhe të degraduar e të pazhvilluar në traditat njerëzore, që brezat e çdo vendi u përcjellin pasardhësve. Ne kemi dëgjuar mallkimin e politikës, të sistemit tonë “demokratik” dhe të ndërkombëtareve oksidentalë, për masakrat dhe vrasjet makabre me eksploziv e mjete të tjera të “talebanëve”, mbi kundërshtarët muhaxhedinë dhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë. Por nuk është komentuar asnjë fjalë, kur “Droni” i pushtuesit, ndërsa ka qëlluar dhe ka vrarë terroristin në mes të qytetit, njëherësh ka marrë edhe jetën e ndonjë apo disa të pafajshmëve, të cilët janë ndodhur nën rrezen asgjësuese të “Dronit”. Nëse ngjarjet dhe fenomenet i shikojmë dhe i analizojmë me qetësi, mund të arrijmë në konkluzionin se Talebanët e vërtetë, e më të rrezikshmit, nuk janë “talebanët afganë”, por “Talebanët” pushtues, të cilët, ndërsa e pushtojnë një vend për ta “demokratizuar”e shfrytëzuar, e nxjerrin atë nga “faza”, duke e përçarë, e vetmja mënyrë për t’ia dalë një populli, që e nis dhe nuk e pushon luftën për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit të tij. Por, le ta lëmë Afganistanin dhe “talebanët” e tij me emër, e të kthehemi tek “Talebanët shqiptarë”, që ka zbuluar dhe po e leçit këto ditë  me të madhe, Kryeministri ynë karizmatik.

 “Vetëm 30 vjet më parë ne ishim afganët në anën tjetër të bregdetit të  Adriatikut, në përpjekje për të gjetur strehë në Itali dhe, më tej, në Evropë, të dëshpëruar për t’u ikur talebanëve të kuq të Tiranës”! – është ligjërimi i Kryeqeveritarit tonë aktual, ligjërim që e recitoi të paktën tri herë, jo në ndonjë tavolinë shokësh, ku thithet fërnet dhe tregohen barcaleta, por përpara mikrofonave të televizione e radiove kombëtare e ndërkombëtare.

Po si qëndron e vërteta e kësaj “përralle dimërore”, treguar në pikun e verës?

A kishim “talebanë” të kuq në vendin tonë në fundvitetet nëntëdhjetë, kur filluan trazirat për instalimin e “demokracisë”? Dhe më kryesorja, kush ishin këta telebanë të kuq dhe “viktimat” që rrezikoheshin prej tyre? Nëse me termin “talebanë” përsonifikojmë jo thjeshtë qytetarët afganë, por disa terrorista në gjirin e tyre, të cilët veprojnë me mjete dhe mënyra terroriste për realizimin e qëllimeve të caktuara politike, ekonomike apo fetare, atëhere edhe në Shqipërinë tonë, në fundvitet nëntëdhjetë, po, kishte “Talebanë”, dhe madje  të mirëfilltë. Por ndryshe nga ajo që emërton Kryeministri, “talebanët” tanë të atëhershëm, nuk ishin të kuq, por me ngjyra të tjera, që fillonin nga bluja e gjer tek e zeza sterrë. Ishin pikërisht këta “telebanë”, që në fund të viteve nëntëdhjetë, duke u maskuar me parulla antikomuniste,  i vunë flakën dhe shkatërruan Shqipërinë. Nëse do të rikthenim në vëmendje pamjet e atyre ditëve, do të dallonim qartazi, se në krye të turmave të manipuluara, ishin “talebanët” tanë, pamja e të cilëve edhe në formë, ngjante me ata të malit “Tora Bora” të Afganiztanit, apo të kamikazëve të Kandaharit e të Kabulit.

Pa diskutim, në këtë turmë “talebanësh shqiptarë”, kishte edhe “talebanë të kuq”.

I pari dhe më i madhi ndër ta, ishte “taleban” Berisha, që ndërsa në njërën dorë mbante teserën e kuqe të komunistit, në dorën tjetër tundëte urën e zjarrit, me të cilën digjte majtas e djathtas, jo vetëm pasurinë gjysëm shekullore të vendit, por shpesh edhe qytetarë që i zinte muharrebeja në tollovinë e tij “demokratike”. Për të mos përmendur vitin 1997, kur Kryetalebani në fjalë, i shkaktoi vendit tonë, aq dëme, sa nuk do ta kishin shkaktuar gjithë “talebanët” e Afganistanit, së bashku me kamikazët e Al Kaedës, që shembën kullat binjake të SHBA.

Ndërsa i dyti “taleban i kuq”, ishte Edvin Rama, pedagog në Shkollën e Artit dhe pjesëtar i ekipit kombëtar të basketbollit, i cili, ndonëse vinte nga një baba vërtet i kuq, në vitin 1990  lëshoi thirrjen vrastare: “Komunistët në litarë, Veteranët në hanxhar”,  thirrje të cilën, falë rivalitetit të egër me talebanin e madh me emrin Berishë, nuk arriti ta realizonte siç e dëshironte. Pas këtij dështimi të përkohshëm, ia mbathi drejt Francës, dhe zuri “punë” në brigjet e lumit Sena të Parisit, duke shitur piktura e gravura kishash, për t’u rikthyer shumë shpejt “me forca të reja”, e për të vijuar bashkë me Saliun, Nanon, Bashën e kompani misionin “talebanesk” të nisur në vitin 1990.

Talebanët e Afganistanit, nuk janë asgjë përpara “talebanëve” tanë të demokracisë 30 vjeçare borgjeze. Dy talebanezët kryesorë, që e nisën karierën në vitin 1990, janë përsëri sot në krye të politikës dhe të qeverisjes. I pari, tashmë në pension politik, shtetëror e fizik, por me një karierë “brilante” në realizimin e misionit të përmbysjes së pushtetit të popullit dhe shkatërrimit  të veprës gjigande të Socializmit. I dyti, në nisjen e mandatit të tretë, që me siguri do ta kthejë në një “mandatë” më të zezë se sa kjo që përjetojmë sot. Të dy këta “talebanezë”, me klanet e tyre të degjeneruara, mbështetur nga shpura e partiçkave dhe mercenarëve profesionistë, nën dirixhimin e “Mister Kapitalit”, kanë realizuar dhe po realizojnë dy misione vrastare për kombin tonë: Shkatërrimin gjer në themel të kalasë Shqiptare që u ngrit madhërishëm në periudhën e Socializmit; dhe degjenerimin e jetës politike, ekonomike e socialkulturore të shoqërisë, degjenerim që po na çon drejt shpopullimit të vendit, qëllimi shekullor i shovinistëve fqinj, dhe më tej tyre.Talebanët tanë të demokracisë 30 vjeçare borgjeze, nëse do të lihen të livadhisin në majë të politikës e të pushtetit, me siguri do ta “talebanizojnë” jo vetëm Shqipërinë, por gjithë bregun perëndimor të Adriatikut. Por kjo, nuk duhet dhe nuk do të ndodhë. Populli është i gjerë sa deti. Ashtu si deti, ai fryhet e lëviz ngadalë, dhe kur i vjen ora, apo kur i soset durimi, shpërthen me dallgë të hatashme dhe përlan gjithçka që i del përpara. Noli i madh pati paralajmëruar qartazi, qysh në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, kur pati shkruar:

“Seç e shembën derbederët,

mercenarët dhe bejlerët.

Se ç’e shtypën jabanxhinjtë,

se ç’e shtrydhën fajdexhinjtë.

 

 Se ç’e prenë, se ç’e vranë,

 ç’e shkretuan anë e mbanë,

 nën thundrën e përdhunës,

anës Vjosës, anës Bunës . . .

 

Por një zë vëgon nga lumi,

më buçet më zgjon nga gjumi,

se mileti po gatitet,

se tirani lebetitet.

 Se pëlcet, kërcet furtuna,

 fryhet Vjosa, derdhet Buna,

 skuqet Semani dhe Drini,

dridhet beu dhe zëngjini.

 

Se pas vdekjes, ndriti jeta,

dhe kudo gjëmon trompeta!

Ngrehuni dhe bjeruni,

korrini dhe shtypini,

katundarë e punëtorë,

që nga Shkodra gjer në Vlorë!”

Profecia poetike e Nolit u realizua në 29 Nëntorin e lavdishëm të vitit 1944. Ajo datë historike mundet dhe do të përsëritet. Populi shqiptar nuk ka qenë, e as nuk bëhet kurrë “taleban”. Talebanët dalin nga kastat tradhëtare e antipopullore të politikës e të pushtetit. Ata janë talebanët e vërtetë, të ngjashëm me gjithë talebanët e botës, dhe kanë të njëjtin fund të turpshëm.