Suplementi Pena Shqiptare/ Frank Shkreli: Dita kur Gjergj Kastrioti Skëndërbeu u rikthye në Atdhe

Frank Shkreli

Nga Frank Shkreli

Ish-Drejtor i VOA-s

NOA

Historia shënon se në këtë datë të rëndësishme në historinë e fisit shqiptar, Heroi i Përgjithmonshëm i Kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbe, në atë datë, shekuj më parë, u kthye në Atdhe për të filluar kryengritjen e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Me një grup prej 300-kalorsish besnikë shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane, Gjergj Kastrioti-Skënderbe braktisi ushtrinë turke dhe u nis drejt Krujës. Pas largimit nga beteja e Nishit, si udhëheqës ushtarak i ushtrisë osmane në vitin 1443, ai i drejtohet vendlindjes së tij Shqipërisë, duke arrijtur në Krujë, ku me 28 nëntor po të njëjtit vit, Gjergj Kastrioti ngriti flamurin Kuq e Zi me shqiponjën dykrenare, duke shpallur, njëkohësisht, çlirimin e trojeve arbërore nga pushtuesit turq dhe themelimin e shtetit të parë shqiptar pas disa shekujsh. Me marrjen nën kontroll të kështjellës së Krujës, si një prijës i vërtetë i Kombit të vet, Skënderbeu shpall pavarësinë nga Perandoria Osmane, duke u bërë kështu udhëheqësi i parë për një çerek shekulli i shqiptarëve, por jo vetëm, në luftën e tyre për liri nga pushtuesit osmanë. Pa dyshim një datë e tillë historike do ishte me rëndësi për çdo komb tjetër në botë, si një ditë që shënon, sado simbolikisht dhe përkohësisht, lirinë dhe pavarësinë e vet, nga Perandoria më e fuqishme kohës.

Krujë, o qytet i bekuar

Nga Naim Frashëri

Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!
Po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë.
Shqiptarët t’i shpëtojë
nga zgjedh’ e keqe e Turqisë
edhe ty të të nderojë,
që je kreu i Shqipërisë.
Ka pas trima shqipëtarë,
që s’u trembej syri kurrë,
në zemër të tij ka zjarrë,
është i urtë e trim, e burrë.
Mirë se erdhe, o verë,
që na prure mirësinë,
dhe për shumë vjet të tjerë
e zbukurofsh Shqipërinë!…
O moj vash’ e Shqipërisë,
që më rri duke mejtuar,
pa i zhvish rrobat e zisë,
arriti dit’ e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali,
nga armët e trimërisë,
hingëllin e s’mbahej kali,
që sill mbretnë e Shqipërisë.