Suplementi Pena Shqiptare/ Filip Shiroka: Shko dallëndyshe

556
Sigal

Udha e mbarë, se erdh prendvera, 
shko dallendyshe tue fluturue, 
prej Misirit n’dhena tjera 
fusha e male tue kërkue; 
n’Shqypni shko, pra, fluturim, 
shko në Shkodër, n’gjytet tim! 

Shndet prej mejet të m’i falesh 
saj’ shpis’ vjetër ku jam le, 
me ato vende rreth t’përfalesh 
ku kam shkue kohën e re; 
atje shko, pra, fluturim, 
fal me shndet gjytetit tim! 


Shko n’at shkollën ku jam msue 
me shokë t’mi, shokt e fmnisë, 
shko n’at Kishë ku kam urue 
t’parën Uratë Perendisë, 
atje shko, pra, fluturim, 
fal me shndet gjytetit tim! 

Me ato male, me ato kodra, 
me ato prroje rreth t’përfalesh; 
n’ato fusha qi m’ka Shkodra, 
të lulzueme, aty t’ndalesh, 
tue këndue me ambëlcim: 
fal me shndet gjytetit tim! 

T’mujshe edh’ un me fluturue, 
dojsh’ edhe un me u nisë me ty, 
dojshe n’Shkodër me kalue, 
m’e pa prap at vend me sy!… 
Por… ti shko atje flutrim; 
e ti qajma fatin tim!… 

Dhe kur t’mrrish në Fushë t’Rmajit, 
dallendyshe ulu me pushue; 
kam dy vorre n’at vend t’vajit, 
t’nans e t’babs qi m’kan mjerue: 
qaj me za t’përmallshëm shqim 
nji kangë tanden gjith vajtim!… 

Ka shum kohë qi s’jam n’Shqypni 
n’ato vorre me vajtue, 
ti dallendyshe, veshun në zi, 
ti aty pra qaj për mue, 
me nj’at za t’përmallshëm shqim, 
kangën tande për vajtim!