Suplementi Pena Shqiptare/ Feti Zeneli: Magjia e Petrit Rukës

Majë gishtash, në rrugë kthimesh,

mos zgjohen dhimbjet që flenë,

Sigal

shpirt i përjetshëm kujtimesh,

busti yt në Tepelenë.

 

Mbi shpatullën e fjalës ngrite,

sa i gjithë globi – brengat,

parajsë e padukshme drite:

“Atdheu fillon tek zemrat”.

 

Rrjedh me shkumë metaforash

Vjosë e vargut tënd mitik,

në dhjetra shtëmba amforash,

verë baladash për kreshnik.

 

Përlotet vesa mbi qivur:

“… O jetë, kujtimet s’kanë faj”.

I dhe fjalës tjetër nur,

edhe gurit lotë të qaj.

 

Një pasqyrë e madhe qielli,

ku dhe e padukshmja shihet,

të thërret në emër dielli,

dhe të pyet, si të ngrihet…

 

Të pyet rrënja dheut thellë;

gjethe, fruta ç’nur kanë,

nëpër brazda vargjesh mbjellë,

me fytyrë lirikash janë.

 

Tek fryn frymë e vargut tënd,

gjelbëron dhe shkretëtira;

kohë e shkuar nuk ka ndërmend

të na bëjë mrekullira.

 

I vetmi i gjallë që s’duket –

koha, që pas nuk kthehet

dhe pse thellë shpirtit struket,

ka nevojë që të rrëfehet.

 

Të kërkojmë me qiri,

edhe po pati diell e yje;

ti me fjalën bënë magji,

mbjellë një pemë e krijon pyje.

Në mes nesh dritë do mbetesh,

varg-gëdhendur në kujtesë;

nëpër strofa amanetesh –

shpirt i fjalës larë me vesë.