Benet Beci dhe Ervin Tartaraj, korrupsion me fushën sportive të shkollës, 450 MLN lekë me tender fiktiv

Disa ditë para zgjedhjeve, kryetari i Bashkisë Shkodër njoftoi se kishte fituar me projekte për shkollat 12 milionë euro për investime. U desh të fillonte shkolla, të kalonin muaj që Beci t’i jepte dritë jeshile ndërtimit të fushës sportive të shkollës “Tring Smajli” në Njësinë Administrative Rrethinat. Tenderi për këtë projekt i jepet Ervin Tartarajt, me një procedurë korruptive, me porosi të kryebashkiakut. Tashmë e dimë, se si mbaron punët Beci, thjesht me një SMS.

Në këtë rast, Bashkia Shkodër ka prokuruar “Ndërtimin e ambienteve sportive të shkollës ‘Tring Smajli’”, ku fondi limit është caktuar 44 476 045,00 lekë pa TVSH.

Sigal

Në tenderin e mbajtur më 14 gusht 2025 kanë marrë pjesë 13 operatorë ekonomikë, 10 prej të cilëve u skualifikuan menjëherë, për t’i hapur rrugë kompanisë së Tartarajt, “APIS CONSTRUCTION” shpk.

Open Data Albania e ka shënuar tenderin me “Flamur të kuq”. Shpjegojmë se kjo është shenja e riskut të korrupsionit. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu është klasifikuar tenderi në dokumentin e mëposhtëm.

Më 18 shtator 2025, është publikuar formulari i shpalljes së fituesit, ku bashkimi i operatorëve “APIS CONSTRUCTION” shpk (74%)- “ILIRIA/D” shpk (26%) ka ofertën 31 016 431,00 lekë pa TVSH.

Megjithëse parimi i shpallur paraprakisht, sipas dokumenteve, ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim, kjo nuk vlen për një procedurë fiktive ku fituesi është i paracaktuar.

Kjo situatë reflektohet edhe në veprimin e dy operatorëve që nuk kanë paraqitur fare ofertë, duke u vlerësuar zero lekë. Këto janë kompanitë “Loshi BL” shpk dhe “DELIA IMPEX” shpk.

Ndërkaq, të gjitha ofertat që ishin më të ulëta janë zhvleftësuar, duke eliminuar krejtësisht konkurrencën.

Kështu, Operatori ekonomik “NDERTUESI 2014” ka paraqitur ofertën 29,140,194 lekë pa tvsh.

Kompania “ASI-2A CO” shpk ka ofruar vlerën 26,685,466.60 lekë pa tvsh.

Operatori ekonomik “LACAJ” shpk ka bërë ofertën 28,302,561.45 lekë pa tvsh. Ndërsa “NDERTUESI 2000” shpk ka prezantuar vlerën 30,424,459.30 lekë pa tvsh.

Ervin Tartari fiton pa përmbushur kriteret

Mbështetur në ligjin për prokurimet në fuqi, kompania “APIS CONSTRUCTION” shpk nuk i plotëson kriteret financiare ekonomike dhe ato teknike për të fituar këtë tender.

Konkretisht, kompania “APIS CONSTRUCTION” rezulton me humbje gjatë vitit 2023.

Nga ana tjetër kompania ndërkohë është e zënë me disa kontrata njëherësh, të cilat e ka fituar gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti. Në këto kushte, kompania nuk duhej kualifikuar, sepse rrezikon kryerjen e punimeve pa cilësi ose shkeljen e afatit.

Kujtojmë se Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci është vënë zyrtarisht nën akuzë, në mes të muajit prill, gati 3 javë para zgjedhjeve, por ky lajm ishte mbajtur i fshehtë nga SPAK.

Beci bashkë me 6 të pandehur të tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Të pandehurit e tjerë, janë Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni, Adela Ruko dhe Premtim Dauti.

Info

Beci më një këmbë në SPAK

Kujtojmë se Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci është vënë zyrtarisht nën akuzë, në mes të muajit prill, gati 3 javë para zgjedhjeve, por ky lajm ishte mbajtur i fshehtë nga SPAK.Beci bashkë me 6 të pandehur të tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Benet Beci ka mbajtur detyrën e drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Për disa vite ai ka qenë edhe drejtor i KESH-it, detyrë nga e cila u largua në 2021, kur kandidoi për deputet të PS në Qarkun e Shkodrës.