Suplementi Pena Shqiptare/  Fatmir Minguli: Kur këndonin djemtë e “Ritme blu” në qytetin e Durrësit

15
Sigal

(Historia e çuditshme e kompleksit vokalo-instrumental “ Ritme blu” në Durrësin e viteve ’70)

Kur “The Beatles” filluan xhirimet e “Magical Mystery Tour”.

“Ne kujtuam turne misterioze që nga koha kur rriteshim në

Liverpool, të cilat do t’i çonin njerëzit në një udhëtim me

autobus pa e ditur destinacionin përfundimtar.

Ishte viti 1972, fillim i nëntorit kur nën drejtimin dhe guximin e të riut durrsak Niazi Hidri mori jetë kompleksi vokal- instrumental me emrin kuptim plotë “Ritme blu”. Është interesant fakti se sa pak është shkruar për historinë e këtij grupi të rinjsh, të cilët guxuan në vitet e vështira për muzikë ndryshe. Djaloshi Niazi Hidri duke qenë i biri i Ismail Hidrit, piktor dhe skenograf i pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, trashëgoi ato tipare të artit që do ta çonin shumë larg. Në ato vite Niaziu ishte rreth njëzet vjeç dhe që në këtë moshë kompozoi muzikë të lehtë moderne, muzikë popullore shqiptare duke bashkëpunuar për tekstet me poetë të njohur të kohës si Jorgo Papingji, Agim Doçi, Bardhyl Agasi, Matish Gjeluci, etj.

Ishin muajt e fundit të vitit 1972 kur Niaziu ishte akoma student i Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i arteve) kur në kontakt me të mirënjohurin, poetin Met Gjergji i kërkoi atij një tekst për një këngë që fliste për dashurinë e dy të rinjve durrsakë që u njohën buzë valëve të Adriatikut.

Kënga mori rrugë me një kompozim të rrufeshëm dhe së bashku me poetin Met Gjergji i vunë titullin “Ritme blu”.

Grupi “Ritme blu”

Niazi Hidri i ndikuar nga atmosfera e Bitëllsave

Ritmika e asaj kënge shkonte sipas shijes së të rinjve për aq më tepër kur shoqëroheshin me kiratë dhe bateri. Gjatë kësaj periudhe në Tiranë ishin duke përfunduar përgatitjet për festivalin e 11- në Radio- Televizion dhe dihet tashmë buja e atyre këngëvë ritmike, muzika e lehtë moderne pa harruar dhe veshjet e këngëtarëve dhe prezantuesve.

Të frymëzuar nga këto këngë pavarësisht raprezaljeve që bëri partia, në Durrës u bë thirrje për kompozitorët dhe poetët që të paraqisnin këngët për konkurim në Festivalin e 11- të të këngës së lehtë. Ishte kënga “Ritme blu” që i ishte përshtatur kohës dhe që e çoi Niaziun drejt idesë për të krijuar një grup të rinjsh për të formuar një grup vokal dhe instrumental e të merrte pjesë në këtë Festival durrsak. Duheshin të ishin tre -katër vetë të talentuar. Dhe nuk vonoi! Së shpejti u krijua “ grupi i Liverpullit”, siç perifrazonte Niaziu grupin e Bitëllsave.

Niazi Hidri, kitarist&vokalist; Muhamet Kushi, baterist& vokalist; Petrit Kërtusha, kitarist; Shaqir Hasan Belliu, kitarë bass; Qazim Durrësi, sister&vokalist – ky ishte grupi në fillimet e tij.

Por Niaziu shpjegon se këta djem nuk ishin djem të zakonshëm dhe fillon e t’i rendit me radhë vetitë e vlerat e tyre artistike: Vetë Niaziu student, kishte kompozuar disa këngë të tjera, të cilat ishin kënduar në anketa muzikore të asaj kohe dhe në festivale këngësh në disa qytete të Shqipërisë; Muhamet Hushi, ishte bateristi më i mirë në atë kohë si profesionist në estradën e qytetit të Durrësit; Petrit Kërtusha, mësues dhe kitarist, i cili e pranoi menjëherë ftesën për t’u bërë pjesë e grupit; Shaqir Musabelliu, djalë i talentuar, që e zotëronte mirë artin e kitarës; Qazim Durrësi, puntor në UMB-në e Durrësit, i ri me temperament të lartë artistik.

Pasi të gjithë këta “five boys” siç u perifrazua shprehja për Bitëllsat “Fab four” u njohën me tekstin dhe muzikën e këngës “Ritme blu”, natyrisht nën drejtimin unikal të kompozitorit Niazi Hidri, filluan provat për të qenë të gatshëm për t’u paraqitur para komisionit qëndror të Festivalit të cilët do të përzgjidhnin këngët më të mira.

Niazi Hidri në pianon e Klubit të Kulturës në Portin e Durrësit.

Dhe ashtu siç nuk dihet këto vite, antarë të komisionit ishin Vaçe Zela, Avni Mula dhe kompozitorët e durrsakë Shaqir Kodra dhe Agron Xhunga.

Niazi Hidri në provat e grupit “Ritme blu” me kitarë elektrike.

Komisioni kur dëgjoi këngën, si fillim pati luhatje, sepse kënga iu duk pak e vogël për një festival, por shkathtësia e kompozitorit Niazi Hidri bëri që këngën “Ritme blu” ta këndonte solo me kitarën e dashur të tij. Pasi u këndua dy herë përfundimisht Vaçe Zela dhe Avni Mula bënë që komisioni të ndryshonte mendim dhe ajo këngë hyri në Festival, duke shkruar historinë e saj të çuditshme.

Në 11 janar 1973, festivali u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” ku midis këngëve të bukura që u interpretuan, binte në sy performanca e kompleksit vokal- instrumental të djemve, ‘Ritme blu” ku veshja ishte kombinuar për të gjithë djemtë me pantallona të bardhë dhe këmisha me kuadrate bardhë e blu. Kënga “Ritme blu” u kthye disa herë në skenë dhe pati shumë sukses shoqëruar me duartrokitje të gjata, duke lënë përshtypjen se ajo do të ishte kënga fituese e Festivalit.

Ishin shumë të rinj e të reja që përgëzonin të gjithë djemtë e kompleksit për atë këngë aq ritmike dhe melodioze.

Por…në ditët që zhvillohej ky festival dëgjoheshin zëra nëpër koridore se Festivali i 11-të i Tiranës po kritikohej duke u quajtur nga partia si “njollë e zezë”, sikur…poetët dhe kompozitorët kishin futur muzikë e tekste dekadente perëndimore.

Dhe kënga “Ritme blu” që u pëlqye nga publiku artdashës durrsak dhe ishte kënga më e prefreuar e tyre, pretendente për çmimin e parë të festivalit, çuditërisht doli se juria e Festivalit e ndikuar nga ngjarjet e fundit me qendër festivalin e 11- të Tiranës nuk e vlerësoi këngën hit “Ritme blu. Juria e konsideroi këtë këngë si me muzikë moderne perëndimore dhe veshjen e djemve si shfaqje të huaj.

Dihen dënimet që dha pleniumi i katërt i P.P,SH. -së, që nga Todi Lubonja e deri te këngëtarët e kompozitorët e poetët, por i erdhi radha edhe kompozitorit durrsak Niazi Hidri që të dënohej në heshtje duke mosi pranuar për gati dhjetë vjet rresht asnjë lloj kompozimi në festivale e anketa muzikore në Durrës, Tiranë e në qytete të tjera.

Ja dhe teksti i kësaj këngë me “njollë të zezë” shkruar nga poeti Met Gjergji dhe kompozuar nga Niazi Hidri.

 

Ritme blu

I.

U njohëm buzë detit, buzë perëndimit,

ku jeta ligjëronte këngët e gëzimit.

Si bregu e si vala gjithë jetën të bashkuar

dhe dashuria jonë, jo kurrë s’ka të mbaruar.

 

Refren

Flisnin zemrat, flisnin buzët,

flisnin sytë e zinj të tu.

Dashurinë na e shtonte

deti jonë, ngjyrë blu.

 

II.

Kjo mbrëmje pranverore, buzë detit ku ndrin hëna,

mes tingujsh dhe muzikës, troket në zemrat tona.

Si bregu dhe si vala, gjithë jetën të bashkuar

dhe dashuria jonë, jo kurrë s’ka të mbaruar.

Refren

 

Është mëse e kuptueshme që në ato kohë ndikimi i Bitëllsave ishte i pranishëm në çdo hap të rinisë durrsake dhe jo vetëm. Veshjet e vetë Niaziut e vërtetojnë këtë.