Muharrem Qeleshja quhej, por shkurt i thërrisnin Rrem ose Rreme, mbetur që nga fëmijëria. Prejardhjen thuhej se e kishte nga një fshat i Tiranës. Edhe llagapin e kishte qeleshja, megjithëse asnjë nga soji i tij nuk dinte të bënte qeleshe. Vishej me brekushe të bardha, që vinin të gjëra lart e të ngushta poshtë, me këmishë të bardhë e pa jakë, dhe hera-herës edhe me xhublet të zi me theka të kuqe nga prapa. Mbante një brez të gjatë, të zi, që e vinte tri herë rreth mesit sa i merrte frymën, dhe majë kokës, qeleshe të bardhë të gjatë e të kthyer paksa në pjesën e sipërme. Nuk harronte jelekun, nga ku i varej qysteku, dhe në të, lidhur ora prej serme. Këpucët i mbante prej lëkurë boksi . Sapo zbardhte dita, rruhej e lahej, hante valën ose trahananë që ia bënte gati e shoqja, dridhte një cigare me duhan taraboshi të verdhë si flor, i prerë hollë dhe i fortë sa më s’bëhej, duhan që ia sillte një mik nga Shkodra e që lëshonte një erë të këndshme dhe që nuk të jepte kollë. Rufiste një filxhan me “Kafe Moka”, ashtu alla turka, e në fund shkonte tek hauri dhe pasi kalit i vinte takëmet, i hidhte një sy pajtonit. Para se të nisej, merrte me vete një trastë me tagji dhe një të dytë, që ja varte kalit nga mbrapa që mos të lëshonte bajga vend e pa vend, sepse ndryshe gjobitej nga Bashkia. Kur gjithçka ishte gati, e shoqja nxitonte t’i hapte derën, ndërsa ai, fshikullonte kamxhikun, në majë të cilit kishte një litar dy metrosh, që zakonisht e përdorte për të qëlluar nga këmbët djemtë që hipnin mbrapa pajtonit, dhe nisej për kismet. Vendi, ku Rrema qëndronte të kapte ndonjë klient, ishte pranë Kishës Ortodokse të Ungjillëzimit, në vendin ku vendoseshin posterat e filmave që shfaqeshin në kinematë e qytetit. Aty gjente shokë, që prisnin ndonjë hallexhi apo ndonjë Aga. Mjedisi mbante erë shurrë, që bëhej e padurueshme kur kuajt duke lëvizur bishtin majtas-djathtas për të larguar mizat, shpërndanin parfumin e tyre. Në pritje të ndonjë udhëtari, Rrema e dridhte ndonjë cigare dhe me eshkën e strallën që i mbante gjithmonë me vete, e ndizte atë dhe tymi i shkonte fjollë-fjollë. Kohët e fundit, Rrema kishte zënë një mik të çuditshëm. Një ditë, kur po kthehej nga fshati Domje, në fillim të rrugës së Shkodrës, para Kafe Zorrës, ku kërciste ahengu dhe vinin vërdallë femra të bukura, një burrë rreth të dyzetave, ia bëri me dorë. Rrema e ndaloi pajtonin në vend. – Do t’më presësh pesë dekika? – i tha ai. Sa hap e mbyllë sytë, ai u fut brenda dhe më pas doli me një rruspie, sikundër i thoshin burrat esnafë, grave të dorës. Nga pamja, ajo vinte e gjatë, dhe veshur alla franga. Në kokë mbante një kapelë ku i varej një tyl i hollë i zi që i mbulonte fytyrën. Nga paraqitja dukej e huaj. Sipas Rremës duhej të ishte malazeze. Ata u futën brenda dhe pasi zotnia tha “tek Hotel Kontinental”, ai tërhoqi frenat dhe kali së bashku me pajtonin që tërhiqte, mori udhën drejt qendrës së qytetit. Pas dhjetë minutash u ndodh para hyrjes së hotelit. Zotëria, pasi zbriti me zonjën alla soje, pagoi dhe më pas shtoi: – Nesër në orën nëntë eja ta marrësh. Rrema, gjithë qejf, futi të hollat në xhep dhe mori rrugën për në shtëpi, pasi ishte vonuar dhe nuk priste që të kishte ndonjë hallexhi që ta kërkonte. Të nesërmen, në orën e caktuar, ndaloi para hotelit në pritje të zonjës që doli së bashku me bandillin. – Çoje ku e more. Nesër në orën dhjetë të pres tek mulliri i Mënikëve! – Kaq tha. – Si urdhëron zotnia juaj. Rrema, si gjithmonë i
përpiktë në orar. Aty e priste zotnia. Ai, pa hipur në pajton, tha: – Prej teje nuk dua asnjë fjalë poshtë e përpjetë. Në cep të rrugës, aty te pijetorja e Remziut, do të marrim një femër. Më pas, do të vish vërdallë nëpër Tiranë nja një orë dhe kur të them, do ta ndalosh pajtonin. Qartë? Jo larg vendit ku ata u takuan, në cep të rrugës, priste një femër që fytyrën e kishte mbuluar me perçe të zezë. Rrema mbajti kalin dhe kur ajo hipi në pajton, me vete tha: -“Halla, Halla, është prishur dynjaja”. Një e trokitur nga brenda u dëgjua, që do të thoshte se pajtoni duhej të nisej. Atëherë, ai vërviti kamxhikun që mbante në duar dhe kali mori revan, duke lënë prapa një pajton që e ndiqte nga pas. Rrema dhe pajtoni i tij vinin vërdallë për të ndaluar kur u dëgjua e trokitura nga brenda. Rrema e mbajti kalin, dhe zonja, pasi zbriti nga pajtoni, iku me nxitim në anën e kundërt të udhës. Personi që merrte Rrema quhej Zef Zullumi, tregtar veshjesh për gra. Ishte rreth të dyzetave, i mbajtur për bukuri. Njihej si frekuentues i klubeve të qejfit dhe shkonte me femra të dorës. Nuk përjashtoheshin dhe çinijet, cilat i merrte në lokale dhe për kënaqësi, disa prej tyre i fuste tek pajtoni i Rremës. Si puna e Rremës ishin katandisur dhe karrocierë të tjerë, që në pajtonët e tyre fusnin soj e sorollop, me rruspijet që ata merrnin me vete për të kaluar kohën. Ja për shembull, Neki Lundra, shok i Rremës, një ditë më parë, kishte shkuar te lagjia e Tabakëve, aty ku ndodhej një kuplara. Ishte çuditur kur pa gra dhe vajza ulur në parvazet e dritareve, pothuaj lakuriq. Ishte i detyruar të priste. Kishte pritur dhjetë minuta një serbe që të hipte në pajtonin e tij, ku e priste bandilli. Jo vetëm Rrema dhe Nekiu, por edhe karrocierë të tjerë, merrnin kodosha dhe lavire në pajtonët e tyre. Fatmirësisht që pajtonët e tyre nuk kishin sy të shikonin, veshë të dëgjonin e gojë të flisnin, se çfarë çudira do të dëgjonin njrëzit që hypnin në to. Me raste, Rrema dhe Nekiu, para se të shkonin në shtëpi, linin pajtonët dhe shkonin të hidhnin ndonjë gotë. Tek lokali i Dem Xhepës, me gjithë që e kishin dy hapa larg, nuk shkonin, sepse, sipas tyre, ai lokal ishte i parellinjve. Ata parapëlqenin mejhanen e xha Nikollës. Ajo ndodhej pothuaj ngjitur me kishën dhe ta kishte qejfi të njomje fytin. I zoti i lokalit, në vend të tavolinave, kishte vendosur fuçi të mëdha vere dhe në vend të karrigeve, fuçi të vogla birre. Mjedisi ishte i pushtuar nga një tis i këndshëm i plumbtë tymi, që dilte nga zgarrat ku piqeshin qofte, kukurecë, bërxolla, apo nga furra, ku, në tava balte, bëhej fërgesa tironase. Rreme çfarë do të merrni sonte? – I pyeti xha Nikolla sapo ata u ulën. E di ti, unë dua mastik, ndërsa Nekiu, raki rrushi. Ai mastik i thoshte uzos. Ja kishte qejfi t’i shtonte pak ujë, që uzoja të merrte një ngjyrë të bardhë. Sa të vinte porosia, Rrema e dridhte një duhan. Kur uzoja, rakia dhe mezerat vendoseshin në “tavolinë”, ai ndizte cigaren dhe pasi trokiste gotën me Neki Lundrën, ia merrnin shtruar muhabetit. Ai që ia niste i pari dhe që fliste më shumë, ishte Nekiu: Rreme e more vesh se çfarë ka ndodhur dje? Jo! Tek Hotel “Parisi”, dy evgjitër shkuan të pastronin gropën e hales. Të parit i rrëshqiti këmba e ra brenda. I dyti shkoi ta nxirrte, por përfundoi si shoku i tij. Pas një ore i nxorën të vdekur. Alla alla, çfare nuk bën vaki! Po në Korçë e more vesh? Jo! Qenke prapa dynjasë. Një evgjitkë lindi fëmijë si derr. Luaj vendit! Për Atë Zot! Derr? Po! Nuk ka mundësi. Jo tamam derr, se derri lind nga dosa, por, fëmija, lëkurën e kishte si të derrit. Tobenestrafkulla! -Po në Greqi, e ke marr vesh se çfarë ka ndodhur? Ti e di që Rrema nuk lexon gazeta. Kanë operuar një çun dhe në barkun e tij, nga zorrët, i nxorën një fëmijë të vogël. O Zot, çare po më dëgjojnë veshët! Atë që ka ndodhur. Eh! U prish dynjaja. -E prishur ka qenë me kohë o Rreme! Jo! Unë them se këto që dëgjojmë, po ndodhin që kur Tirona u bë kryeqytet, pasi këtu u vërsulën derri dhe dosa. Pale, qyteti po mbushet me kamionë, me autobusë dhe me vetura. Mos do të zëvendësojnë pajtonët tonë? Thonë që do t’u venë taksimetër për t’u matur sesa rrugë do të bëjnë. E vërtetë është? E di qeveria? Mos edhe pajtonëve tonë? -Jo o Rreme! Ku t’ua vejnë kuajve, tek hallatet? Muhabeti shtynte muhabetin dhe si kujtoheshin që e kishin tepruar, paguanin dhe më pas merrnin udhën për në shtëpi. E shoqja, e Rremës, kur dëgjonte trokëllimën e patkonjve të kalit, me vrap shkonte dhe hapte derën. E kuptonte kur i shoqi e kishte hedhur ndonjë gotë, dhe për ta ngacmuar, i thoshte: -Rreme e paske kthyer…? – Ku e di ti? -Vjen era uzo! Pash dineman o grua. Po kalin nuk do ta kashaisësh? Rrema nuk ia kthente. Ajo e dinte se i shoqi e kishte zakon, që sapo kthehej në shtëpi, e parë e punës që do të bënte, ishte kashaisja e kalit. Kështu mbylleshin – ditët. Të nesërmen, pajtoni i Rremës do të vazhdonte ritualin e zakonshëm.





















