Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Minguli: Fundi i metamorfozës të një vrasësi

121
Sigal

 

( Shënime analitike për romanin “Asnjëherë të martën” të Bashkim Hoxhës, Onufri,Tiranë, 2022)

Vrasёs! Nga e gjete këtë fjalë. Po në jetë çfarë bëjmë?

A nuk vrasim përditë dikë, herë me plumba, herë me fjalë

përçmimi, herë me mospërfillje. E gjithë jeta ështё luftë, vëlla!

Direkt apo indirekt, i hamë kokën njeri tjetrit.

 

Fausti thotë se jetën e meriton veç ai që në luftë për tё shkon përditë.

Nga romani “Asnjëherë të martën”

Erik Maria Remark

Ju mund të bëheni një kryeëngjëll, një i 

çmendur ose një kriminel dhe askush nuk do

ta vinte re. Por nëse ju mungon një komçё

Epo, të gjithë e vënë re menjëherë.

 

 

Të shkruash për romanet e Bashkim Hoxhës nuk është e lehtë për shumë arsye. Mbasi ka botuar mbi pesëmbëdhjet romane, drama dhe komedi  dhe disa skenarё për filma, ai sot është zëri më i veçantë në letërsinë moderne shqipe këtej dhe andej kufirit politik të Shqipërisë. Faktet e botimeve të romaneve të Bashkim Hoxhës edhe në anglisht nga Amazon apo ato në gjuhën rumune janë tregues të fuqishëm për vlerat e krijimtarisë së veçantë të këtij autori. Para disa viteve, në 2007 shkrova një analizë letrare për një roman të Bashkimit dhe pёr arsye të ndryshme, çuditërisht nuk vazhdova për të thënё sado pak për serinë e madhe të romaneve të tij. Romani “Asnjëherë të martën” është një roman “sui generis “ që me subjektin e tij sa të thjeshtë aq dhe të pasur me mendimet që lindin në çdo faqe të tij të bën për vete. Nuk është i vërtetë konstatimi i disa analistëve apo mediave që e cilёsojnë Bashkimin si gazetar që shkruan romane.  Nuk është as e kundërta. Ai, Bashkim Hoxha është romancier dhe pastaj gazetar. Romanet e tij janë plot me subjekte të treguara me një narracion, që e kanë emrin “stili i Bashkim Hoxhës” dhe ky stil vjen duke i ngritur gradientët e tij deri sa në romanin “Asnjëherë të martën” arrin iktusin e narracionit, nёpёrmjet njё ekzistencializmi tё theksuar. Vetë karakteri i protagonistit  ёshtё portret ekzistencialist.“Për Vladin thoshin që ishte i ftohtë dhe rrezatonte mister. Një vajzë, që udhëtonte në një tren në Austri, i ka thënë se ai shpërndante energji negative…” – ёshtё vetёm njё nga shprehjet e shumta tё romanit qё pёrcaktojnё statusin e protagonistit Vlad. Ky citim është me dy rreshta, por thotë më shumë se sa një libër psiko-analitik dhe nuk është i vetmi konstatim në këtë roman.

Intersektimet janë thelbi i zgjidhjes sё ngjarjeve të vrasjeve apo planifikimeve për vrasje. Nëse dikush mund ta quajë roman horror, nuk do të ishte tamam kështu. Në roman nuk ka policë, përk undrazi aty intersektohen  shumë figura për të cilat autori thotë që në krye të librit se “ Çdo ngjashmëri me ndodhi apo persona realë është e rastit”. Për sy të vemëndshëm të kritikës këto ngjashmëri afrojnё aq shumë me realitetet, saqë nuk mbetet gjë tjetër vetëm se ta admirosh këtë roman dhe autorin e tij. Gjon Vladimiri, historia e Durrësit e hershme me perandorinë romake dhe më vonë, ambientet e amfitetrit të Durrësit, poetë, profesorë dhe kryeministra që futen si pa dashje në pjesët më dramatike i japin librit peisazhe të vërteta,e jo të vërteta, po që i afrohen të vërtetës. Migjeni vjen me kapitullin e parë me ironinë e “fëmijëve të brishtë të shekullit tё ri, e Martin Camaj me vargje për të dalë nga urrejtja, si një mesazh për të gjithë librin.

Durrësi, ky qytet i dashur për Bashkim Hoxhën kësaj radhe ka ardhur nё një mbiroman, ku romani merr vlerat e një lloj mesazhieri për ditët që shqiptarët kalojnë. Figura e Vladit është figurë që lind e rritet në këto qytete të ngjashme me Durrësin, ndoshta edhe në metropol, por lexuesi takohet këtu me njё jetë, që ndryshon nga fëmijëria e deri në skenën e fundit të jetës së këtij aktori. E quaj aktor se ai merr role të ndryshme për vrasje me pagesë dhe po si një aktor i tragjedive të hershme dhe vdes mё shpejt. Mes bisedave të Vladit me Natalinë ajo i shprehet për një problem akut” Ne jetojmë epokën e ftohjes globale, kur është vrarë njerëzillëku.” I gjithë libri është i veshur me pelerinën elegante të metaforës ku alegoria dhe ironia janë dy kuaj që ngasin karrocën dyshe të subjektit të romanit “Asnjëherë të martën”. Ky roman i denjë për t’u analizuar me bisturinë e Gustav Jungut është  krejt i veçantë në trajtimin e figurës komplekse të një shqiptari vrasës. Të çudit autori  me thurjet e fijve të lëmshit jetësor të Vladit në etapat e ndryshme të jetёs, etapa që  jepen aq thjeshtë, aq papritmas kur mëson se ai vrasësi ishte jetim, se ishte i birësuar, se kishte mbaruar një Akademi ushtarake, se ishte në formacion tё “komando” se kishte vrarë  i inkuadruar në forcat komando për ruajtjen e paqes diku  jashtë Shqipërisë dhe Europës.   E këto janë etapat e metamorfozave të vrasёsit me pagesë. E nuk mbetet pa u përmendur batuta e fortë e Andreas, babait që e birёsoi se “Jeta kërkon skiftera dhe jo pëllumba”. Duke lexuar romanin më të ri të Bashkim Hoxhës “Asnjëherë të martën” nuk e di pse mendja më shkon te një lloj paraleliteti. Pak vite më parë lexova romanin e Umberto Ekos” Numuri zero” dhe tani që lexoj Bashkim Hoxhën kuptoj pse Umberto la romanet e gjatë dhe bëri kёtë libër të fundit të tij me subjekt  linear të karakterit qytetar, por shumë të këndshëm. Përdorimi i frazës në mënyrë të përsosur në këtë roman, i jep një dinamikë kreative romanit duke iu përgjigjur saktë zhanrit të trillerit. Dhe gjithçka realizohet nga vlerat e mёdha të autorit, që janë fantazia dhe njohja e realitetit që në gjenezë. Ai nuk njeh vetëm Durrësin dhe Tiranën, se tashmë këta dy qytete janë lidhur si vazhdim i njeri tjetrit. Ai njeh mentalitetin e shqiptarit, atë mentalitet që e dëgjon dhe e dialogon çdo mëngjes me emisionin e tij të  fuqishëm. “Nuk e kupton? -i tha Poeti. Afërsia apo largësia nuk është çështje gjeografie. Ka një ndjesi universale që e mbështjell njerëzimin pa dallim dhe pa kufij.” Ky citim nga romani është një konkluzion i vetë Bashkim Hoxhës, nxjerrë nga eksperienca e tij kaq e gjatë dhe kaq me krijimtari prodhimtare. Të shkruash për romanin “Asnjëherë tё martën” nuk mund ta mbyllësh me një analizë të thjeshtë, por duhen bërë edhe përsiatje mbi magjinë e këtij subjekti, sa bashkëkohor, aq edhe problematik në fatet e njerëzimit në përgjithësi. Paralelet mes vrasësit dhe njeriut jo vrasës duhen parë në kornizat e psiko analitikës dhe të sociologjisë. Kësi soj ky nuk është një roman, por një amalgamë idesh nga më të ndryshmet dhe nga më kundërshtueset me njera tjetrën. Edhe pse ky roman i ka këtë veti, ai merr vlera maksimale jo vetëm për lexuesit shqiptarë, por shumë më gjerë.