Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Portat e zemrës”

136
Sigal

Atë fundjavë dielli shkëlqente më tepër se zakonisht! Rrezet e tij ishin më depërtuese dhe ngrohtësia e tyre kalonte përtej stadeve shpirtërore… Edhe ngjyrat kishin densitet më të lartë, kontrasti i tyre përhapej në çdo skaj, midis mureve, pikturave që qëndronin kryeneçe mbi to, përtej xhamave të kristaltë të dritareve, ku me tejdukshmërinë përçonin nuancat drejt pafundësisë së qiellit… Dhe atje bëheshin njësh me kaltërsinë, e jepnin ndjesinë e çlirimit, qartësisë, paqes. Sa i kisha kërkuar ato ndjesi gjithë këto vite? A thua se kur kërkon diçka me ngulm nuk të vjen, e pasi ti ke harruar pritjen, ajo të kthehet menjëherë drejt e në zemër! Ajo ditë vjeshte kishte marrë tamam ngjyrat e zemrës… Format e gjetheve i ngjanin asaj. Ngjyrat e flakëruara kishin shtruar tapetin e kuq ku mbi të mund të kalonin vetëm ndienjat e mirësisë, ato ndienja që meritonin vërtet të shkelnin në rrugën drejt zemrës! Ajri kishte braktisur aromën e lagështirës së shiut duke e shndërruar atë në shpërthim petalesh të sinqeritetit. Ato petale ishin vendosur njëra-pas-tjetrës dhe kishin zënë pritë përpara syve të kaltër. Atë kaltërsi të marrë hua nga qielli vetëm atë ditë. Atë ditë që i ngjante pafundësisë. Vetëm pastërtia e sinqeritetit mund të marrë çdo ngjyrë të bukur të vitit, përveç ngjyrës gri, të cilën e shpërbën midis pengesave të lakmisë, gënjeshtrës dhe ligësisë… Nëpër këto pengesa retë e errëta shpërthejnë në pika shiu e stuhi të forta që shpërbëjnë dhe lajnë përfundimisht zymtësinë e ngjyrës gri… E pas tyre ngrenë krye ngjyrat e gjalla të ylberit! Ato që i japin esencën e vërtetë çdo stine të vitit. Teksa hap derën për të dalë jashtë kornizave të mureve zbukuruar nga pikturat, ajo esencë përplaset mbi lëkurë e me gjallërinë e saj të bën të shohësh qartë të gjitha ngjyrat… Ngjyrat e vetë jetës, e të kuptosh se grija ekziston vetëm në iluzione! Ato iluzione dikur ishin perdja verbuese e së vërtetës, ku pas saj fshihej lartësia e ylberit shumëngjyrësh. Por ishte tepër transparente për të mbuluar bukurinë e tij, larmishmërinë e tij të veshur me forcën e sinqeritetit… asaj force që merr trajtat e hekurit, të pathyeshme në shpirt, e butësinë e rrezeve të diellit, shkëlqyese, të ngrohta, depërtuese nëpër poret e mirësisë… Teksa ecja mbi të kuqërremtën e vjeshtës, me gotën e kafes në dorë, gjithçka që shfaqej para meje merrte trajtën e ndienjës; të ndienjës së vërtetësisë… Të çelësit të vetëm që hap portat e zemrës!