Partia e Lirisë ka reaguar pas kërcënimeve të Ramës ndaj ish kandidatëve socialistë në zgjedhjet e 11 majit, të cilët kërkuan verifikim të pamjeve filmike të procesit të numërimit të votave në Qarkun e Tiranës.
Përmes një deklarate për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi tha se ky veprim jo vetëm që përbën një shkelje flagrante për transparencën dhe llogaridhënies e një sistemi demokratik, është dëshmi e qartë e frikës dhe panikut të Edi Ramës përballë zbulimit të manipulimeve të rënda dhe skandaleve që e kanë shoqëruar procesin zgjedhor të 11 Majit.
Sipas Blushit, refuzimi për t’i bërë publike pamjet filmike të procesit të numërimit, është një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar provat e manipulimit, të vjedhjes së votës dhe të përdorimit të çdo mjeti presioni ndaj qytetarëve për të deformuar rezultatin zgjedhor.
Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm, Z.Tedi Blushi
Partia e Lirisë shpreh indinjatën më të thellë ndaj deklaratës kërcënuese të Kryeministrit Edi Rama, drejtuar kandidatëve për deputetë të “Rilindjes” që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën legjitime për të verifikuar pamjet filmike të procesit të numërimit të votave në Qarkun e Tiranës.
Ky veprim përbën jo vetëm një shkelje flagrante të parimeve themelore të transparencës dhe llogaridhënies në një sistem demokratik, por është edhe dëshmi e qartë e frikës dhe panikut të Edi Ramës përballë zbulimit të manipulimeve të rënda dhe skandaleve që e kanë shoqëruar procesin zgjedhor të 11 Majit.
Ky kërcënim nuk është një akt i izoluar, por një dëshmi e autoritarizimit të një Narkokryeministri që prej kohësh ka braktisur dhe që shkelmon çdo ditë normat e demokracisë dhe sundimin e ligjit.
Ai që dikur ngrihej në greva urie për hapjen e kutive të votimit, sot kërcënon për t’u mbyllur sytë shqiptarëve përballë të vërtetës së rëndë të tjetersimit të vullnetit qytetar.
Pamjet filmike të numërimit të votave janë dëshmi autentike, të pakontestueshme, të një procesi që duhet të jetë i hapur, i monitorueshëm dhe i garantuar për të gjithë.
Refuzimi për t’i bërë ato publike është një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar provat e manipulimit, të vjedhjes së votës dhe të përdorimit të çdo mjeti presioni ndaj qytetarëve për të deformuar rezultatin zgjedhor.
Partia e Lirisë thekson me forcë se transparenca është shtylla kryesore e legjitimitetit në çdo proces zgjedhor.
Mungesa e transparencës nuk është thjesht një çështje teknike, por një sulm direkt ndaj demokracisë. Kur kutitë mbyllen me forcë, kur pamjet filmike fshihen apo mohohen, kur vota blihet, vidhet apo deformohet, nuk kemi të bëjmë me zgjedhje, por me një farsë të dirigjuar nga pushteti për të ruajtur sundimin me çdo kusht.
Deformimi i vullnetit të qytetarëve përmes presionit, shantazhit, frikës, varfërisë së qëllimshme dhe kontrollit të çdo aspekti të jetës së përditshme është një akt kriminal që nuk mund të amnistohet. Vota është arma më e fortë e qytetarit në një sistem demokratik – dhe kur ajo vidhet, i vidhet popullit dinjiteti, liria dhe e ardhmja.
Partia e Lirisë rithekson vendosmërinë për të vijuar betejën politike, institucionale dhe qytetare për mbrojtjen e votës së lirë. Ne jemi dhe do të mbetemi në krah të çdo qytetari që kërkon drejtësi, barazi dhe mundësinë për të vendosur vetë për të ardhmen e tij, përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm.
Ne nuk do të ndalemi përballë asnjë shantazhi, presioni apo manipulimi. Do të evidentojmë dhe denoncojmë çdo shkelje, çdo abuzim, çdo tentativë për të kthyer zgjedhjet në formalitet dhe në falsitet.
Mbrojtja e votës së lirë nuk është thjesht një qëllim politik, por një mision kombëtar për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë së vërtetë funksionale, të shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit për të gjithë.




















