Ah, ti linde si drita më e paqtë:
Fëmijë krejt, krejt i mbarë!
Vetëm për botën s’pate kureshtje,
dikush ta kishte vrarë,
në heshtje.
Asnjëherë nuk pyete
Pse, kur bie shi,
Retë me tokën bëjnë dashuri?
Pse, kur shfryn furtuna me furi,
Zemërim’ i saj jehon i zi?
Pse, kur bie dëborë për mrekulli,
aq gëzim rrezatojmë ne dhe ti.
Asnjëherë nuk pyete;
pse, në çdo pranverë,
Lulet këndojnë me ngjyrat plot erë?
Pse, në çdo vjeshtë,
gjethet e trishtimit trokasin në derë?
Pse, përherë,
Plaku i Vitit të Ri dhurata do të të bjerë.
Asnjëherë nuk pyete
Pse, kur gëzim ndien,
Njeriut shpirti ëmbël i shkëlqen?
Pse, kur brenga thellë e bren,
Në zemër limonti i nden.
Pse, kur dëshpërimi e mbërthen,
vetë jeta befas e zhgënjen.
Ah, ti linde si drita më e paqtë,
Fëmijë krejt, krejt i mbarë,
Vetëm për botën s’pate kureshtje,
Dikush ta kishte vrarë,
në heshtje.




















