Sekretet e këngëtarit dhe furrxhiut Xhevat Avdalli, mikut të Enver Hoxhës me gratë e Gjirokastrës

Dossier  nga Ylli Musta: Si u kthye furra e xha Xhevatit në një  “qendër kulti”  ku mund të merrje vesh çdo gjë në Gjirokastër, nga martesat te të dashurit , pleksja e marrëdhënieve njerëzore dhe gatimet .Si erdhi te kjo furrë erdhi në mars 1978 Enver Hoxha, takimi me Xhevatin ,bisedat dhe si ia morën me zë të ulët këngës gjirokastriçe.

Te furra e xha Xhevatit, mund të veje e të merrje vesh për çdo gjë që kish ndodhur në Gjirokastër: kush u fejua e kush do martohej kush kish të dashur…

Sigal

Disa net para natës së vitit të ri, furra gëlonte nga hyrje – daljet, nga njerëzit që prisnin të merrnin byreqet, lakrorët, e çdo lloj gatimi.

– Një grup vajzash e grash, e kishin vënë në mes xha Xhevatin dhe e ngacmonin, i hidhnin lloj-lloj romuzesh për kohën “kur ishte djalë”…

– Në një moment iu drejtua njërës me fjalë ashtu vënçe…Hajde po ke qef ta tund dybekun Xhevati.

–Ua, ua, vdeksh ishallah, dëgjon? Vdeksh xha Xhevat!…-të tjerat ja plasën gazit.

– Dëgjo mi vajzë, e ke gabim. Unë nuk do vdes kurrë! Dhe e di pse? Sepse e kam lënë veten në këngë.

– Pastaj iu afrua asaj afër te veshi, duke i kënduar si me pëshpërimë: “Bandillja që fshin odanë/ Me një degë manxuranë…në krevat e krrej sevdanë”

-… Atë njeri e donte qyteti, e donte si këngëtar, e donte si furrtar, e donte edhe për urtinë e maturinë, për modelin e njeriut

Ylli Musta

Para viteve ’90, furrat e lagjeve, për byreqe e tava, kanë qenë pjesë e shërbimeve të kohës ndaj qytetarëve. Për qytete si Gjirokastra, ato përbëjnë një traditë të hershme, rreth së cilës plekseshin marrëdhënie njerëzore, ngjarje, tipa e karaktere, histori. Këto furra, edhe sot kujtohen e “shfletohen” si një arkiv i pasur. Ato kanë lënë pas një lloj letërsie origjinale dhe dëshmuese për kohën. Kjo letërsi aq e bukur, domethënëse, njerëzore, e sidomos realiste, është thuajse gojore, e pashkruar, njëlloj si epopetë e lashta Homerike…

Një furrë e tillë tipike ka qenë në vitet ’70 –’80 të shekullit të kaluar, edhe furra e Palortosë në Gjirokastër, e sidomos furrtari i saj, artisti i shquar i polifonisë gjirokastrite, Xhevat Avdalli. Disa net para natës së vitit të ri, furra gëlonte nga hyrje – daljet, nga njerëzit që prisnin të merrnin byreqet, lakrorët, e çdo lloj gatimi tjetër për natën e ndërrimit të viteve. Disa rrinin ulur pezuleve, ca grumbull te dera, të tjerë brenda i bënin shoqëri, por edhe vapë furrxhiut trupmadh, që kullonte nga djersët e nga sikleti… Bisedat e të qeshurat në mbrëmje të tilla shijonin aq shumë, saqë e kthenin furrën në një klub aq të dashur takimesh, humori e zbavitjesh… Kujtoj një nga këto netë, kur një grup vajzash e grash, e kishin vënë në mes xha Xhevatin dhe e ngacmonin, i hidhnin lloj-lloj romuzesh për kohën “kur ishte djalë”. Ato e thumbonin keqaz furrtarin, i cili shfrynte i tëri, e në një moment iu drejtua njërës me fjalë ashtu vënçe…Hajde po ke qef ta tund dybekun Xhevati… Plasi gazi sa u tund furra. Atëherë, vajza, mbaj mend emrin e saj, Dëshira, i rrahu shpatullat, sikur e godiste me grushte, dhe “e mallkonte”:

-Ua, ua, vdeksh ishallah, dëgjon? Vdeksh xha Xhevat.- Po Xhevati nuk e prishi terezinë, iu kthye me ca fjalë të mënçura:

-Dëgjo mi vajzë, e ke gabim. Unë nuk do vdes kurrë! Dhe e di pse? Sepse e kam lënë veten në këngë. Edhe kur të mos jem, do dëgjosh këngët e mia e do më kujtosh…Mbaje mend këtë që të them!-  Dhe ashtu, i rrëmbyer pas fjalëve që i dolën nga shpirti, iu afrua asaj afër te veshi, duke i kënduar si me pëshpërimë: “Bandillja që fshin odanë/ Me një degë manxuranë…” Ndërkohë, një grua tjetër, hidhet e i thotë:

-Xha Xhevat, leri këto të rejat, se nuk ua del dot me llafe…Po shiko, se sikur vjen erë e djegur nga furra, mos na i shkrumbove…Hë të keqen…Se na zuri viti i ri në furrë…

Në vitin 1992,

Në vitin 1992, kur isha për pak kohë drejtor i Pallatit të Kulturës në Gjirokastër, më njoftuan se ishte ndarë nga jeta furrxhiu ynë i lagjes, këngëtari i shquar, xha Xhevati. Duhej si institucion të përgatisnim edhe disa buqeta me lule për ceremoninë e varrimit të tij. M’u desh t’i mblidhja vetë lulet nëpër oborrin dhe lulishten e ish – pallatit të pionierëve, që në atë kohë ishte përshtatur për pallat kulture… Tek mblidhja lulet, më sëmbonte në shpirt ikja e artistit, e furrxhiut të jetës. M’u kujtuan ato net të largëta te furra, kuvëndimet, të qeshurat, era e ngrohtë e tavave përzier edhe me tym…Më erdhi në veshë edhe zëri karakteristik i xha Xhevatit: “Dëgjo mi vajzë, unë nuk do vdes kurrë…do dëgjosh këngët e mia e do më kujtosh…mbaje mend…”  Kishe të drejtë xha Xhevat, flisja me vete gjithë dhimbje në shpirt.

Tradita

Ishte një zakon, që në fakt mbeti traditë, kur sa herë familjet çonin në furrë ndonjë “gjë të mirë”, si fjala vjen, lakror, mish të pjekur, e sidomos ëmbëlsira për ndonjë sebep gëzimi, i dërgonin pjesën e tij të nesërmen edhe furrxhiut. Duhej edhe ai të uronte e të gëzonte bashkë me familjarët, sikur të ishin një familje e madhe. Veç kësaj, te furra e xha Xhevatit, mund të vejë e të merrje vesh për çdo gjë që kish ndodhur në lagje e në qytet: kush u fejua e kush do martohej dhe me kë do martohej; kush vdiq e ku do presin ngushëllimet; filani dërgoi djalin apo vajzën në shkollë të lartë, etj.,etj. Lajmi do kalonte më parë nga furra e xha Xhevatit… Atë njeri e donte qyteti, e donte si këngëtar, e donte si furrtar, e donte edhe për urtinë e maturinë, për modelin e njeriut që di dhe respekton normat e zakonet në mjedisin qytetar. Ndaj dhe nëpër sebepe, e ftonin në krye të odasë. Ai çelte muhabetet, çelte urimet, apo fjalët ngushëlluese. Nga fillimi i viteve ’80, isha në një darkë përkujtimore për njeriun e fisit tim që kishte vdekur, dhe aty pashë sesi në krye të tavolinave, ulën gjithë respekt xha Xhevatin, edhe pse ne nuk kishim ndonjë lidhje farefisnore me të. Por ai, mesa kuptova unë i riu atëherë, ftohej për prezencën dhe fjalën e tij. Mbaj mend, që ai e çeli ceremoninë me fjalët: “Kyç e liga!” dhe vuri pak buzën te gota e rakisë. Por, Gjirokastra ishte po aq edhe e çuditshme, e paparashikueshme, atje thellë skutave të saj. Sokaku i të Marrëve, dhe sokaku mbi teatrin e kukullave, fare pranë furrës, nuk shternin nga thashethemet e plakave, nga sarkazmat e romuzet për këdo, që nuk u hynte në sy plakave të gurit…

“-Moj, thonë se ai Xhevati ua merr indirën tavave me cfungar…”

“-Uëë! Vërtet thua?-“

“-Poo, ja për këtë kafe… Më zëntë sitë..”

 “-Pse s’thua! I di koka…”

“-Atyre të Cekajve ua kishte tharë birjanin, ua kishte djegur…”

“-U pikaa, pikaa!”

“-Po se mos e ka mëndjen te puna ai? Tërë ditën fi-fi-fiu, tojo-mojo, vetëm këndon..”.

Nga fundi i viteve ’70, një natë ishim te halla ime për darkë.

Përcillnim një nga vajzat e saj në Veri, ku ishte emëruar si arsimtare. Mbrëmja po vinte dhe ishte krijuar një ambjent i ngrohtë me biseda, të qeshura, ndërsa halla, me mëngët e përveshura, vente e vinte, përgatiste tavolinën me gatimet e rastit. Kishte bërë edhe një tavë te furra e xha Xhevatit, e mezi priste të na kënaqte. Ishte “pikërënë” për gatime e nikoqirllëk. Por  befas, vuri re se tava që ishte marrë nga furra qysh në drekë, nuk ishte tava e saj… Pa dashur kishim marrë tavën e tjetërkujt!… Ishte për dreq e njëjta tepsi, dhe i njëjti gatim! Sikur ra bomba në shtëpi! Filloi shamataja, duke na u drejtuar ne të rinjve: “Jo ku i kishit sitë, jo na prutë gatimet e botës, jo e kisha mbitur me vaj e gjalpë…Po ai furrxhi ziu, si nuk e pa? Ju dha derr në thes…” e plot e plot fjalë e nervozizma. Pas gjithë atij “gjyqi”, u mor vendimi: unë bashkë me dy të tjerë, si të rinj, do venim te shtëpia e xha Xhevatit, me tepsinë “e botës” në dorë, e t’i thoshnim se ç’kishte ngjarë! U nisëm nëpër natë, dolëm nën Këcullë, nëpër rrugica e nëpër gurë, gjersa sosëm te shtëpia e furrxhiut. I thirrëm disa herë, kur u hap drita e portës së jashtme dhe u shfaq trupmadhi Xhevat: “Urdhëro, kush flet?” Ne i treguam cilët ishim dhe çfarë kishim. Në dorë mbanim tepsinë… I shkreti Xhevat, që nuk e priste kurrë një kacipodhi të tillë, heshti pak, pastaj mori zemër: “Po mirë mo xhan, po tani në mes të natës e patë që s’ishte tava tuaj? Nuk ju sosi dita? Ç’t’ju bëjë i ziu Xhevat tani? Ejani t’ju marr për darkë…” Ne u prekëm disi në sedër… “Pa dale pak, – foli prapë ai ,sikur diç iu kujtua.- Tavë si tuaja sot kishte filani…, filani, kishte ajo e Fules, kishte…dhe ajo sishtrëmbëra nga lagjja Granicë, se nuk ia di emrin… Aa, mos kini hiç merak, i njoh unë. Janë nikoqirë e pastërtorë si ata! T’u pish kafenë! Ndaj hajeni pa frikë e t’ju bëjë mirë, sikur ta keni tuajën… Hë djalë, merreni dhe mos çani kokën!” Ne u kthyem me tepsi në dorë te halla, që na priste jashtë te pragu i portës… Unë mendova një çast se do fillonte sherri prapë, dhe po rrija si i ngrirë. Kur dëgjova pa pritur të qeshurën e hallës… Qeshën të gjithë, e ashtu duke qeshur, kaluam atë darkë deri vonë afër mesnatës, darkë që ishte dhe mbeti nga më të bukurat e jetës sime…

Koha e furrës së Xhevat Avdallit, ishte kohë e bukur, ishte kohë me tipare të qarta, të gdhendura, me identitet. Dhe njerëzit gjithashtu ishin me tipare e karakteristika të dallueshme, me prirje, me shije apo dhe me huqe e cene, plot individualitet. Ndaj dhe ajo kohë ka aq shumë personazhe nga pamja, sjelljet, apo mënyra e jetesës… Sot, për fat të keq, globalizmi po i fshin, po i tret tiparet kohore e njerëzore, ku çdo gjë u ngjason manekinëve të përsosur e plot shkëlqim nëpër vitrina. Furrxhiu ynë ishte dhe mbeti një individ, një histori origjinale që e ushqeu Gjirokastrën në tërë poret dhe vlerat e saj shpirtërore. Dhe me se e bëri këtë Xhevat Avdalli? Me mjeshtërinë e këngëtarit dhe atë të furrtarit! Kur shikoj sot gërmadhat e furrës së dikurshme të Palortosë, sigurisht që ndihem keq.Te kjo furrë erdhi në mars 1978 udhëheqësi i vendit, Enver Hoxha, e thirri Xhevatin nga rruga dhe ky doli me krahë hapur, u përqafuan e kuvenduan. Pastaj ia morën kokë më kokë me zë të ulët këngës gjirokastriçe. Kjo furrë për vite ka qenë si një “qendër kulti” për qytetin e gurtë. Ndaj meritonte të ishte një nga objektet muzeale më origjinale të Gjirokastrës, e jo të mbetej rrënojë pa emër, sikur s’ka ekzistuar kurrë…