Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Trëndafilët e turkeshës

106
Sigal

 

-Kënga e parë-

Marmaraja bojëgjelbër, bojë e çallmës së sulltanit!

Ndrit nën gjunjët e Stambollit, portës plakë të vatanit.

Cipë e trupit tënd të bukur e lëmuar si tespihe,

shket në varkën e përgjumur, feks me naze dashurie.

Ti më thua se për varkat s’bëj dot vjersha unë i ziu!

Sipas teje vargje thurte veç poet Orhan Veliu.

Të përgjigjem se Orhanin e njoh mirë e ma ka ënda.

Ky për varkat bukur shkruan, unë këndoj ç’ka varka brënda!

Ti zë qesh e thua prapë: “Ka poetë Arnaut-stani”?

Të përgjigjem: “Kish poetë që kur priste jatagani  „.

Në Stamboll nën jataganin ngrinte këngë e ligjërime

një sulltan i poezisë, Naim beu i tokës sime!”

Marmaraja bojëgjelbër, bojë e çallmës së sulltanit:

përkund varkën tek turkesha i këndon Arnaut-stanit.

-Kënga e dytë-

Yzmetçiu me enë turke si kapela të mëdha,

tundet si patok i majmë dhe sjell “elbasan-tava”.

Erë e viçit turk të pjekur i lëmon perdet e tylit.

Unë turkeshën myslimane e vështroj me bisht të syrit:

“Kjo tava është vepra jonë, e pëlqente dhe sulltani,

e krijoi një mendjehollë, një qejfli nga Elbasani”!

Deh! turkesha rreh shuplakat, gishti i bardhë nxjerr inxhi:

– “Arnaut shejtan me brirë, qenke tepër shakaxhi”!

Ndizem prush si pallë e turkut, një mendim nga larg më zbardh:

– “S’lamë vetëm emra gjellësh në Stambollin tënd të madh.

Ndofta, zonjëz, të kujtohet arkitekti bash Sinan?

Në Stamboll i ngrenë vithet dy xhamitë e tij me nam.

Mbase ish nga Tepelena, mbase nga Librazhdi ish,

t’i ka ngritur ty xhamitë që të falesh arabisht.

Dhe kur falesh s’e ke mendjen tek një hoxhë e një kuran,

e ke mendjen në kupolat, ku fton arti sinanian.

Në Stamboll ne kemi pasur tri armata, tri ushtri…”

– U gajas kunadhja turke: – “Qenke tepër shakaxhi”!

Dale, dale! – them me vete tek fshin djersën yzmetçiu:

– Vetë Abdyli ish armatë, ish armatë dhe Samiu.

Dhe armatë e tretë e madhe – gjeneral poet Naimi,

që lëshonte nga Stambolli divizione vjershërimi!

Dhe të tri këto armata nuk i preu dot jatagani!

I mëkonte turku vetë fshehur turçe nga sulltani.

E dëgjon një zë armate si përhapet valë-valë?

Vjen nga larg e më merr mua dhe më mban me shpirt të gjallë:

“O malet e Shqipërisë dhe ju, o lisat e gjatë,

fushat e gjëra me lule, ju kam ndër mend ditë e natë!”

Top Kapia humb në mjegull, Marmaraja fle në paqe,

mua katër pika loti më vrapojnë nëpër faqe.

Dhe turkeshën e rrëmbejnë tri armata, tri ushtri,

Yzmetçiu patok i majmë vjen e sjell “Jeni Raki”…

-Kënga e tretë-

Në “Xhenet Bahçe” turkeshat hidhen turçe hula-hup.

I fryn trompës dhe gërnetës turku Abdullah Jakup.

I bie frëngçe tamburasë turkja Selime Hashef,

po turkeshat turçe hidhen, tundin siskat me sedef.

Katër turq, turkesha pesë, me raki, turshi e mish,

yzmetçi Kasëm Murati na zgjat dorën për bakshish.

Hula-hupi turçe sillet, turçe gotat mbushen plot,

nga “Jeni Rakia” turqit dehen turçe, s’mbahen dot…

Katër turq dhe katër mjekra në pëqi të turkes ranë

dhe, të katër si fëmijët e turkeshës zunë e qanë…

Po turkesha nxori sheshit jataganë e gjuhës turke

dhe, me gjuhë jatagani përmbi turqit u vërsulke:

– “S’kini turp, o turq nga turqit, ju ka dehur arnauti?

Erdhi piu rakinë e turkut dhe me lëngun turk ju mundi?

Ky na marrka gotën turke dhe me gotë turke tallet.

Ah, o turq, na nxitë faqen dhe kjo faqe nuk na lahet!”

Unë i them: – “Më fal, turkeshë, gjyshrit një zakon na lanë,

të marr shpatat e sulltanit dhe me to të pres sulltanë!

Ky zakon i keq më mbeti dhe në shpatën e rakisë,

zbraz “Jeni Raki” të turkut dhe deh burrat e Turqisë”. –

Më vështrojnë e qeshin turçe katër turq, turkesha pesë:

– “Eh, kjo luftë dashurie!… Shpatë e saj le të na presë!…”

Pimë turçe, hamë turçe; s’flasim turçe, po frëngjisht.

Të jetonte gjyshja ime, mund të fliste dhe turqisht…

I fryn trompës turku turçe, turku Abdullah Jakup.

I bie turkja tamburasë, siskat hidhen hula-hup.

Në “Xhenet Bahçe” turkeshat kush s’i do, kush s’i pëlqen?

Marmaraja xha Stambollit ia lan këmbët në legen.

 

-Kënga e katërt-

Bashkë i shohim dalngadalë mrekullitë e Top Kapisë.

Tek na shfaqen nëpër mjegull varg sulltanët e Turqisë.

Duke ecur pranë xhamesh me florinj e jataganë,

vanë sytë e mi të lodhur në dy çallma, dy sulltanë.

Ti në çast nis ligjërimin për sulltanë e për vezirë…

Hesht, turkeshë, se sulltanët që të dy unë i njoh mirë!

Që të dy në tokën time kanë pirë e kanë ngrënë,

nën bedenat e kalave medalionet kanë lënë.

Që të dy i ulën çallmat: dhe Murati dhe Mehmeti

dhe, pas mureve të Krujës gjysmëhënë e tyre mbeti.

Ah, s’ia ditke emrin Krujës? Kruja turçe Ak-hisar,

dy sulltanët pallëthyer s’e harruan gjer në varr!…

Vetullvrenjtur ti më thua: “S’ishin trima po guhakë”.

Jam modest, turkeshë e dashur, i pranoj dhe frikacakë.

Mos u vrenjt se ke në xhame mbi tridhjetë e ca sulltanë:

vetëm dy të mori Kruja dhe të tjerët ja ku janë!

Falemnderit nga sulltanët, namin shekujt po na shtojnë!

Sa më e mprehtë pallë e tyre, aq më e nxehtë shpata jonë!

Paske qejf t’i mburr sulltanët!… Po t’i mburr për trimërinë:

ata derdheshin furtunë dhe ne digjnim vetëtimë!

Dhe turkesha rrahu doçkat: “Arnaut shejtan gjyzar,

në pallatin e sulltanit me sulltanët bën pazar”!

Unë i them: “Tani sulltanët për pazar vërtet u bënë,

po dikur stërgjyshërit tanë me ta kokat kanë ngrënë”!

Dhe në vesh një këngë malesh i këndoj me mall turkeshës,

pranë çallmës së sulltanit, në konak të sulltaneshës:

Zylyftar mustaqeverdhë,

prit nizamët se t’u derdhë!

– Po të duan, le të vinë,

pranë pusit kam Melesinë…

Melesini maja-maja

e rreh topi, kumbaraja.

Njëzet trima me Mersinë,

buzë pusit seç u shtrinë.

Dhe tek portë e Zylyftarit

varur kokë e bashnizamit…

Ah, turkesha uli syçkat si dy gurë xhevahiri,

vinte Zylyftari i Podës hipur kalit bojëhiri.

Vinte mbushur plot me plagë nëpër Urën e Gallatës,

vinte përmes këngës sime nëpër vargjet e baladës…

 

-Kënga e pestë-

Me turkeshën ishim shtruar në “Kafe Sari Salltik”,

Yzmetçi Ali Oglliu shtinte çajin me ibrik.

I tregoja se në vargje komunist i ndershëm jam…

-“Çok gjyzel, – më tha turkesha – komunist e mysliman”! –

Unë u plaka në fytyrë, kuvendimi vuri bisht,

dhe ia ktheva: – “Nuk bashkohen mysliman e komunist”!…

Po turkesha hapi buzkat si dy sure në Kuran:

– “Mos ma prish dëshirën mua, komunist e mysliman”!

Ama mendje! – them me vete, – mendje e zbrazur si ibrik,

pika neve që kullosim në livadhin politik!

-“Ç’ke që ngrysesh, – tha turkesha, – apo syçkat s’m’i pëlqen?

Sytë e mi në “Kapitalin” e Karl Marksit nuk i gjen!

Këta sy i gjen si perla në çdo sure në Kuran:

Mos ma prish dëshirën mua, komunist e mysliman”!

Yzmetçi Ali Oglliu na jep çajin me ibrik

dhe, ma bën përshesh turkesha botëkuptimin dialektik.

Po ndër kohë ajo rrudh ballin dhe ul sytë e zez përdhe:

– “Komunist një lëmsh i mjegullt, lëmsh shejtanësh nëpër re!”

Unë i them: – “Ne komunistët jemi djaj të kuq në botë,

po hanëmet si zotrote na pëlqen t’i mbajmë ngrohtë.

E shikon se komunistët janë popull simpatik?

Shtina çaj, Ali Ogliu, myslimani me ibrik!” –

Shkoi e vate komunisti, dialektikë e “Kapital”,

dhe në gjirin e hanëmes ngriti krahët dhe u fal!

O bo-bo ç’qenkesh kjo falje mbi Kuranin që m’u taks.

Lamtumirë ju, mjekëroshë, Lenin, Engels, baba Marks!…

 

-Kënga e gjashtë-

Rri në breg të Marmarasë m‘u në gjunjët e Stambollit.

Vjen nga larg një valë e shurdhër, regëtimë e Anadollit.

Kullat shpuar nga fenerët sytë i mbyllin, sytë i hapin,

dhe vaporëve të majmë shenjë u marrin, shenjë u japin.

Këto shenja më lëndojnë, sepse jam vapor i gjallë:

Jam vapor që vjen nga kohërat i sfilitur nëpër valë.

Jam i mbushur me vajtime dhe i zbrazem Marmarasë,

ku turkesha thyen gishtin në një tel të tamburasë.

Zë vajtoj një këngë mali, një baladë pleqërishte,

për një Tiko Papajani me takije shqiptarishte:

Marmaraja det i turkut,

çau vapori tatëpjetë.

Çau me dyzet kapedanë

dhe me treqind e ca vetë.

Në vapor u ça kazani,

humbi Tiko kapedani,…

Thonë u mbyt e thonë u shua,

lëreni dhe mos e ngani!

Po mahnitet dhe Stambolli,

kur del Tikua nga vapori;

Në një shkëmb qëndron i gjori!

Shokët deti i shkretë i mori…

E derdh drithma si purtekë

në atë shkëmb ku mblidhen retë.

Mbetur fillikat pa shokët

Hidhet përmbi valët vetë…

Marmara, t’u shoftë nami,

humbi Tiko kapedani!

Thonë humbi, thonë doli,

e kërkon, s’e gjen Stambolli…

Marmaraja hesht pasdarke, nanuritur e përgjumur,

me turkeshën e kërkojmë Tiko kapedanë e humbur:

Ndofta dergjet nën Gallatë, ndofta prehet mes Bosforit,

ndofta duart ka shtrënguar në kazanin e vaporit.

Unë u ndava nga turkesha, nga stërnipja e sulltanit,

po turkeshën do ta ndjekë shpirt i Tiko kapedanit…

Stamboll, 1980