Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Kujtime …

208
Sigal

 

“ Njëherë në vitet ‘70 Ramiz Alia , më ftoi mua me Llazar Siliqin për të shkuar në Sarandë me atë aeroplan karakatinë qeveritar . Atë ditë sa kishte lexuar një libër për Manush Alimanin, të shkruar nga një shoku i tij.

-E lexova ,-tha,por nuk është shkruar me atë vërtetësi që duhet. Autori flet edhe për torturat që i kanë bërë fashistët Manush Alimanit në hetuesi. Po e dini si është puna e torturave të tij? “ Manush Alimanin e kishim shok që në ilegalitet në kohën e pushtimit fashist. Njëherë ai na pat thënë:” Sikur të më kapnin fashistët , ju duhet menjëherë të ndërroni bazat , pasi unë gjatë torturave mund t’i tregoj të gjitha. Komunist jam , por nuk i duroj dot torturat dhe mund t’iu spiunoj nga zori .”

Kështu na tha, dhe ne, kur morëm vesh se u arrestua , braktisëm bazat e ilegalitetit.

Dhe është e çuditshme që Manush Alimani: ky njeri që kishte frikë nga torturat , është nga të vetmit komunistë që vdiq duke u torturuar pa treguar asgjë. Ja kjo e vërtetë duhet shkruar „.

Unë e Llazari shikuam njëri-tjetrin . Atëherë i thashë Ramiz Alisë:- Nuk pranon asnjë drejtues t’i thuash këto të vërteta. Do të thonë se si është e mundur që komunisti të pohojë me gojën e tij që paska frikë nga torturat! Po t’i shkruajmë këto gjëra, të parët ju do të na dërmonit me kritika dhe me të tjera…

Ramiz Alia vuri pak buzën në gaz. Heshti për një çast dhe pastaj u hodh në një bisedë tjetër.”

Mollët

Ajo doli nga kopshti me mollë.

Mbi supe kish hënën dhe degët me kokrra.

Në këmbë kish barin e hollë.

Unë rrija te porta.

Ajo binte erë mollë atë natë!

Atë natë pa tym e trazira,

nuk më kujtohet se ç’i thashë,

po e di se i thashë fjalë të mira.

 

Shpirti

Në xham!

Një ditë e ngrysur ngriu.

Dritarja më ngre mornica.

Pse qan?

O shpirti im!

Mbështetur mbi dy paterica?…