Suplementi Pena Shqiptare/ Djali i mësueses

802
Rrëfim, nga Hyskë Borobojka
Ditën e Shën Elenës, që, siç dihet përkon në të njëjtën ditë me atë të Shën Kostandinit. Të dy shenjtorët janë të pandarë në jetë të jetëve. Me që mësuesia e djalit të Besim Besnikut mbante këtë emër famëmadh, që të kujtonte Elenën e Trojës dhe i shoqi atë të Kostandinit të Madh, perandorit të Bizantin. Besniku me bashkëshorten e tij Verën, vendosën që në këtë ditë të shënuar t’u bënin një vizitë në banesën e tyre mësuese Elenës dhe bashkëshortit të saj Kostandinit. Me këtë rast Besniku me Verën bënin një rrugë e dy punë, i uronin emrat çiftit, t’i gëzonin e t’i trashëgonin dhe të plotësonin edhe një kërkesë të shkollës, lidhjen e saj me familjen. Të themi të “vërtetën” mësueses së djalit të tyre s’i delte ndonjë tjetër përpara.. Sa herë ajo bënte mbledhjen e prindërve në shkollë, gruaja e Besim Besnikut ishte nga më të rregulltat. Sa kur kthej në shtëpi. sillte me vete një thes me forma të reja të ndihmesës së prindërve në lëmin e mësimit dhe edukatës ndaj fëmijëve, për mbarëvajtjen e tyre në shkollë. Mësuese Elena në këto mbledhje, veç të tjerave. u mbante prindërve nga një leksion të gjatë si duhet të rriten e të edukohen fëmijët në shtëpi, të selisin në ta sjelljen dhe edukatën e të luftojnë me të gjitha mënyrat pedagogjike e psikologjike tekat e tyre e një qerre të tërë me udhëzime e forma bashkë kohore nga më interesantet. Nejse, të mos i zgjasim këto rrëfime e t’i bëjmë litar vrahu se, as Besimi me Verën dhe as lexuesi, s’i kanë qejf zgjatjet e shumta. Burrë e grua, të zënë prej krahu, morën rrugën për në apartamentin e mësueses. E zonja e shtëpisë i priti me një barrë buzëqeshje e përzemërsi. Dukej ashiqare, që ardhja e tyre i kishte gëzuar së tepërmi, aq sa s’dini se si t’i uronin e t’i sajdisnin. Vizitorët, sa hynë në korridorin e shtëpisë e deri sa zunë vend në dhomën e pritjes, i shoqëroi numri pa fund i fotografive, në të cilat protagonist kryesor ishte një djalë, që rritej nga njëra pozë në tjetrën. Eh, si ishte ekspozuar ai. Ku e kërkoje e s’e gjeje! Në këmbë, ulur, majë një peme, në stërkalat e shatrivanit, mbi një gur buzë lumit, i shtrirë në rërë pranë detit. Si ishte veshur në njërën foto, nuk ishte në tjetrën. Mësuese Eleni vuri re se ata s’po i shqitnin sytë prej tyre dhe nxitoi t’u shpjegonte, se të gjitha ato foto të bukura që shihnin, i takonin vetëm njërit. Olsit, djalit të saj të dhembshur, shpirtit e xhanit të mamit. Ai ishte tepër i zgjuar, shumë i zoti, tepër i shkathët, një bukuri e përsosur e një talent i rrallë, se Olsi i saj kishte filluar të ecte pa mbushur akoma tetë muaj, se nisi të fliste ditën në drekë, kur ishte rrumbullak nëntë muaj dhe, pa plotësuar vitin, kishte zbritur vete shkallët e pallatit nga kati i pestë në të parin dhe ishte ngjitur prapë, pa ndihmën e askujt. Mësuese Elena s’po linte fjalë me vlerë në fjalorin e gjuhës së bukur shqipe për të zgjuarin e të diturin e mamasë. Kur vizitorët, burrë e gruas. akoma nuk u kishin dhënë fund kullotjeve të syve në muret e dhomës së pritje të veshura me fotografi, kur u hap dera e korridorit me aq tërsëllëm, sa Besimit, edhe pse e mbante veten për trim, u tremb e i shkuan mornica në trup. Në mes të saj u duk një djalë nja pesë a gjashtë vjeç, që thirri sa e pati: -O ma!-Po kjo në ç’ kapitull të gjuhës së bukur shqipe hyn? – pyeti me marifet të shoqen Besimi. Vera i shkeli këmbën si shenjë që t’i vinte llozin gojës, se “ma-ja” donte të të thoshte “mama” dhe se ata, burrë e grua, nuk kishin vajtur në shkollë në orën e edukatës, por në shtëpinë e mësueses së djalit për t’i uruar emrin e saj e të burrit bashkë. Në këto e sipër, djali i mësueses kishte hyrë në dhoma. 

-Eja te teta, more xhan! – i tha me përkëdheli Vera, Por djali nuk pyeti, as për të e as bë Besimin, por u vërtit nëpër dhomë, duke qëlluar me një farë kobureje, që nxirrte nga gryka, në vend të plumbave, një si gjysmë lapsi, që mbaronte në fund me një si llastik rrumbullak. Ky i fundit kur zinte në mur, në derë apo në xham ngjitej si ventuzë Kësaj radhe plumbi i kobures së djalit të mësueses nuk u ngjit as në derë, as në mur e as në xham, por në mes të ballit të Besim Besnikut, me aq forcë, sa atij të gjorit i lëshuan sytë shkëndija e i erdhën mentë vërdallë aq sa mend u bë kurban pa frymë në dysheme, por e mblodhi mendjen shpejt. Dhembja e ballit i solli inatin. Vera, që ia dinte mirë huqin të shoqit dhe trembej mos e edukonte “vënçe” dalin e mësueses, i shkeli këmbën, sikur donte t’i thoshte: 

-Duro Beso, të durojmë, se je trim e duron shume, duron plumbin e barutnë e jo të mos durosh një fishek qorr në mes të ballit, peshqesh nga djali i dhembshur i mësuese Elenës! Djali ndër kohë e kishte mbushur për të dytën herë koburen nga gryka dhe tërhoqi këmbëzën e saj. Kësaj radhe predha vërshëlleu drejt Verës, që po të mos e kishte ulur pakëz kokën, do ta kishte qëlluar mirë në ndonjë vend me zarar, sa ta linte pa shpirt dhe Besim Besnikun pa grua. Kur lufta ndërmjet mysafirëve, që ishin tërhequr e strukur në një qoshe të kolltukëve dhe Olsit që po sulmonte me kobure në dorë me furi, po zhvillohej e ashpër, ndërhyn mësuese Elena ta sqaronte e ta edukonte të birin, se Besimi e Vera ishin xhaxhi e teta të mirë, ishin babi e mami i një nxënësi të saj, se shpirti e zemra e mamit nuk bënte hiç mirë që sillej ashtu. Por Olsi i saj që formuar me kohë si kapedan e trim i shtëpisë. Ai kishte një karakter të qëndrueshëm e një vullnet të fortë në tekat e tij dhe refuzonte të përfitonte e të përmbushte ndonjë nga mësimet didaktike në fushën e edukatës që tani po përpiqej ta vinte në jetë mësuesja e djalit të vizitorëve. Pas disa qitjeve me kobure, djali e hapi më tej revanin. Hipi e zbriti në të gjitha mobiliet e dhomës. Shalli i Besimit u lidh pas këmbës së një kolltuku, në rolin e kapistallit të një kali. Vera kur e shihte shallin e të shoqit në atë gjendje, i therte në zemër, sepse kishte ndenjur dy net pa gjumë sa ia thuri, që t’ia bënte qafën ngrohtë të shoqin. E zonja e shtëpisë, sipas zakonit, u ngrit, që emrin e saj e të burrit, mysafirët të mos e uronin në të thatë, por më kot vinte vërdallë nëpër shtëpi. I biri, i dituri dhe i bukuri i mamit, ia kishte bërë rrush e kumbulla të gjitha ç’kishte blerë e gatuar. Mësuese Elena, edhe pas kësaj që ata panë me sy, si dëshmitarë okularë, vazhdonte bisedën “edukative” se Olsi i saj i ditur, i talentuar, i përkryer edhe ndonjë prapësi të vogël që bën e kishte nga zgjuarsia e tepërt, se te të vegjlit duhet edukuar iniciativa, vetëveprimi, guximi, shkathtësia…Ndërsa Besimit, që po i digjte akoma balli nga plumbi që mori, fjalët e saj nga një vesh i hynin e nga tjetri i dilnin. Nuk po duronte dot më e i dha shenjë Verës të ngriheshin, para se të hanin ndonjë predhë tjetër si demonstrim të edukatës e iniciativës, që mësuese Elena i kishte dhënë djalit të saj.

-Të shpejtë e bëtë vizitën! Ju mëzi na erdhët një herë! -u tha mësuesja. Besimi nuk foli. Mendjen e kishte te shalli i lidhur në këmbën e kolltukut, që s’po ia gjente dot anën ta tërhiqte. Sa dolën nga dera e shtëpisë e zbritën shkallët e pallatit, i tha Verës:

-O burra të vemë shpejt te drejtoresha!
-T’i urojmë emrin edhe asaj? – e pyeti e shoqja.
-T’i themi ta shohë si e zbaton mësuese Elena planin edukativ, jo vetëm në shkollë me nxënësit, por edhe me fëmijët e saj në shtëpi. Madje t’i lutemi t’ia ndërrojë klasën djalit tonë, se me ç’pashë e ç’hoqa sot, kam frikë mos edukojë dhe atë më shumë e më mirë se Olsin e saj.
Sigal