Suplementi Pena Shqiptare/ Dijetari i madh, Sami Frashëri

591
Sami Bej Frashëri (1 qershor 1850, Frashër – 18 qershor 1904, Stamboll). Ai ishte rilindës i shquar, dijetar i madh, shkrimtar, publicist dhe ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në literaturën e huaj është i njohur me emrin Shemshedin Sami. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, ku përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine si dhe gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë nga Mahmut Efendiu (Kalkendelenli Mahmut Efendi), mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Sami Frashëri drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe i cili mbeti i pabotuar. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare. Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke “Terxhuman-i Shark”. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare. Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i türki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare.

Sami Frashëri
Maksima
1. Shenjë e kombësisë është gjuha; çdo komb mbahet me gjuhët; ata njerëz që harrojnë e lenë gjuhën e tyre e flasin një tjetër gjuhë, me kohë bëhen njerëzit e atij kombi që i flasin gjuhën e dalin nga kombësia e tyre.
2. Çdo ditë e jetës sate është një faqe e jetëshkrimit tënd; përpiqu të shkruash mirë, sepse një faqe e ndyn krejt librin. 
3. Populli është themeli i shtetit; sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina.
4. Leximi është zbavitja më mire për njeriun; libri shoku më i mirë. 
5. Njeriu kur do të marrë një vendim, duhet të mendojë edhe rreziqet, pasi të ketë vendosur, nuk duhet ë mendohet për kurrgjë, d.m.th. në marrjen e vendimit duhet të jetë i matur, në zbatimin e tij, trim. 
6. Ai që nuk u jep rëndësi punëve të vogla, nuk mund të kryejë punë të mëdha. 
7. Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë. 
8. Mizoria lind nga frika: sundimtari që trembet nga populli, është i shtrënguar të frikësojë atë. 
9. Shoqëria njerëzore është themeluar mbi bazën për të punuar të gjithë; çdo njeri punon për të gjithë, por atyre që nuk punojnë u takon pjesë nga fruti i punës së të tjerëve. 
10. Njeriu, ashtu siç dëgjon lavdimin e veprës së tij, po ashtu duhet të dëgjojë edhe kritikën pa u hidhëruar dhe t’u japë të drejtë kritikave të drejta; kjo punë nuk ia ul vlerën veprës dhe mendjes së tij. 
11. Njeriu në familje nuk gjen gati vetëm të ngrënët, të pirët e veshjen; përveç këtyre nevojave, që mund ti gjejë edhe gjetkë, atje gjen dashuri e përkujdesje. Dashuria dhe lidhja në mes të pjesëtarëve të një familjeje, është një e mirë që nuk mund të gjendet jashtë saj.
12. Le të jesh djalë i kujt të duash, por mëso moral dhe edukatë. Burrë është ai që thotë: “Unë jam!” Nuk është burrë ai që thotë: “Ky ka qenë im atë.”
13. Karakteri i njeriut është i fshehur, por nga puna e tij del sheshit ç’ka është. 
14. Ta dish mirë se njeriu është milli i mendjes së tij, por kur nuk ka shpatën, milli nuk ka asnjë vlerë. 
15. Njeriu nuk mund të jetojë pa punë
Sigal