Suplementi Pena Shqiptare/ Artan Fuga: Një histori “orgjie” nga koha e komunizmit

197
Sigal

 

Për një fjalë goje!

Po ecnim të dy tok buzë Lanës, aty ku ajo zgjatet paralel me Pallatet Agimi. Ishim miq të vjetër, ai edhe unë. Ai vinte nga Tirana, ku kishte kryer gjimnazin, kurse unë nga Devolli. Ishim takuar qysh ditën e parë të studimeve universitare në Dragostun, ku bënim aksionin për ndërtimin e Hekurudhës Tiranë – Pogradec. Hekurudha nuk ekziston më si insfrastrukturë në shfrytëzim, por kujtimet tona, si edhe miqësia e hershme, e të gjitha viteve më pas, kishte mbetur e gjallë. Si reja e bardhë që mbetet në qiellin blu edhe pasi avioni mbase është ulur në tokë dhe e kanë futur në hangar. Ecnim dhe bisedonim. Dikush erdhi nga pas. Ishte gjysëm i dehur. Me një kasketë të zhytu-r deri te veshët. Me një pallto të vjetër, plot njolla dhe zbokth përsipër. E kapi për qafe mikun tim, e përqafoi dhe i kërkoi pesëqind lekë. “M’i jep vëlla se nuk kam pirë gjë sot!”- i tha. Prita që miku im ta shihte me indiferencë, por ndodhi e kundërta. “O oooo posi”, i tha dhe i la njëmijë lekë në dorë. U përqafuan dhe ikëm tutje, ne në rrugën tonë, ai në rrugën e tij. “Qenke bërë shumë dorëlëshuar”, -i thashë mikut tim. “E kam pasur shok klase” – vazhdoi. Sa herë e shoh më vjen ndër mend që jeta mund të ndryshojë në një çast të vetëm, pastaj dhjetra vite mund të kalojnë dhe nuk ndodh asgjë me të vërtetë e re. Por, njeriu nuk di në çastin e tanishëm se cila prej ngjarjeve që jeton e përjeton është e tillë që mund t’i ndryshojë jetën, dhe cilat janë ngjarjet që edhe sikur njëmijë herë të përsëriten, nuk i sjellin asgjë të re në jetën e tij. Kjo është drama.” “Ore lëri filozofimet, thuaj se doje t’i jepje ca lekë këtij pijanecit për shpirtin tënd, a se je bërë supersticioz, por mos më trego historira me kthesa në jetë, me të prapritura.” “Dëgjo, ky pijaneci gjysëm lypsar që sapo pe, dikur, në djalërinë e tij ishte si unë e si ti. Në vend të shëtisja me ty, tani ndoshta do të isha përkrahu me të. E kam patur shok klase në tetëvjeçare. Kishte një zgjuarësi fenomenale, ishte shpuzë.” “Çfarë i ndodhi” – nisa të bëhesha kurreshtar unë? “Ti e di se mosha 15 -vjeç është shumë e rrezikshme, sidomos për djemtë, por edhe për vajzat. Nuk e di si ndodhi, por gjatë dimrit, në klasë, në pushimet mes orëve mblidheshim të gjithë vajza e djem pas sobës prej teneqeje që bubulonte te një cep i klasës. Bënte ftohtë dhe atje trupat tanë gjithë energji merrnin ngrohjen dhe eksitoheshin. Faqet na skuqeshin, mishi i trupit bëhej i vakët, sytë na ndriçonin si thëngjij. Aty rreth sobës ndodhi një ditë gjëma. Nuk e di si nisi. Mbase kur kujtoj ato kohë sot them se nisi përshkak se të gjithë donin të ishin më afër zjarrit përvëlues se të tjerët. Nisi një si, shtyrje trup më trup midis të gjithëve se kush ishte më pranë zjarrit. Pastaj dalëngadalë u transformua në një lojë që të gjithë e donin, por të gjithë bënin sikur ankoheshin prej saj. Sapo mbaronte një orë mësimi, vajzat shkonin rreth sobës që ishte në formë cilindri e që vazhdonte me një tub prush të nxehtë e që ngrihej drejt lart deri në tavan. Ne djemtë, vazhdoi miku im – i sulmonim duke bërë sikur i tërhiqnim prej duarsh për t’u zënë vendin pranë zjarrit të druve. Nuk dihet se çfarë ishte, zjarri i druve apo zjarri i pasionit të një grupi adoleshentësh që kishte shpërthyer. Pak nga pak rituali nisi të transformohet dhe në çdo pushim orësh mësimi, rreth sobës së nxehtë, prush, mbështillej një lëmsh trupash që mbështilleshin e ngatërroheshin me njeri tjetrin në mënyrë konfuze. Dukej më shumë si një qenie me shumë koka, me dhjetra këmbë, duar, krahërorë, qafa, gjokse, llëre që mbështillej rreth vetvetes, grindej me vetveten, bënte dashuri me vetveten. ” “Përse nuk thua” – iu drejtova mikut tim- “ju paskeni rënë në orgji, paskeni përjetuar një histeri kolektive.” “Nuk di ta shpjegoj – vazhdoi miku im dhe shihte përpara me sy të menduar. Në atë kohë nuk është se kishte edhe ndonjë edukim seksual në shkolla. Edukatën seksuale e merrnim në rrugë nga djem më të rritur sesa ne. Ata na rrëfenin përvojat e tyre seksuale, ca të vërteta, ca fantazime të zbukuruara nga dëshira të paplotësuara, ose me skena filmash gjysëm erotikë, që shihnin fshehurazi në televizionet e huaja. Por një gjë mbaj mend përvojat e tyre seksuale na i rrëfenin mbushur edhe me një lloj dhune latente ndaj femrave, sidomos ndaj veshjeve të tyre. Aq sa grrisja e rrobave dhe seksi në fantazinë tonë prej adoleshentësh shpesh na mbivendosej”.