Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xh Deshnica: Sekret, tepër sekret!

59
Sigal

Atëherë u ndërtuan rreth e qark vendit, aq shumë bunkerë sa s’numëroheshin dot. Sheshet e ndërtimit u mbushën fytas me ta. Dhe, ç’ishte më e çuditshmja, bunkerët ishin sekret ushtarak! E ky qenkësh i shenjtë! Mjaft djem besnikë e ruanin sekretin me fanatizëm. Kur ndonjë prej tyre kthehej me leje në shtëpi me uniformën e marinarit e rrethonin shokët dhe e pyesnin për jetën në marinë. Sa shokë ke në fjetore ti, Sofo? Është sekret ushtarak, mos më pyesni, s’jua them dot! Mirë, po kepele si kjo, që ke sot, a ke tjetër? Edhe ky është sekret! Sa herë dilni në det me motovedetat ruse atje? Sa të shpejta janë ato?- Aaaa, ç’ju qenka shkrepur kështu? Ç’më jeni qepur me këto pyetje, për të zbuluar sekretet ushtarake?! Kështu ndodhte edhe me bunkerët. Sekret – numëri i tyre, sekret – kostoja e tyre, sekret – vlera! Projektet e bunkerëve ruheshin nëpër kasaforta të fuqishme, siç qenë edhe ata vetë. Megjithatë, udhëheqja e partisë përhapte fjalë nëpër popull se çdo bunker u takonte jo më shumë se tre vetëve. Kaq i madh ishte kujdesi i shtetit për njeriun, si kapitali më i çmuar! Pra, ata, bunkerët siguronin strehimin dhe fjetjen e tërë shqiptarëve, në raste sulmesh të papritura me  topa, tanke e bomba nga ana e armikut, i cili, sikurse dihej, edhe kur uji flinte, ai rrinte zgjuar. Dhe ishin aq të fortë bumkerët tanë, saqë nuk pyesnin as për bombën atomike. Dhe kjo s’ishte fjalë e kotë, se qenë bërë prova. Paskëshin futur brenda në bunker një kec të gjorë dhe e kishin qëlluar me topa të kalibrit të rëndë!  Populli nisi të sajonte për bunkerët emrat: “Këpurdhë betoni”, “Thelë portokalli”, “Hotel pa para”…Kur ndonjë udhëtar e zinte nata rrugës, ia merrte me gjumë në bunker si s’ka më mirë. Por, bunkerët e bregdetit shërbenin gjatë verës për bukuri edhe si vila të posaçme. Veç, nuk mungonin edhe rrugaçë, që i përdornin për të kryer nevojat duke i ndotur e përdhosur. Lamçe Guri, nga fshati Darzezë ngjitur me Banjën, u shkoi pranë katër ushtarëve, që po ndërtonin një bunker në bahçenë e tij. Puna e mbarë, or djem! – u tha. Ju lumshin krahët! -Mbarë paç, xhaxha! – ia kthyen ushtarët. Lamçja iu drejtua ushtarit më të gjatë: -T’i je i pari i këtyre, or bir? -E, unë jam!- Po nga të kemi? -Nga Shëmbërdhenji. -Si të thonë? -Kamber! Ta gëzosh!- Po yt atë ç’emër ka? -Isuf Holta. -Ua, ua! Po pse çuni i Isufit qenke ti!? -Po unë jam mik me babanë tënd, ore, mik e shkuar mikut! Tha kështu Lamçe Guri dhe doli tek donte: -Sa kohë, xhanëm, do të qendrojë në mes të bahçesë time ky bunkeri? – Ç’të të them! Mesa di ti, dimë edhe ne, që po e bëjmë! -Po, ele – ele, sa bunkerë janë ngritur gjer tani në fshatin tonë? -Aaaa, këtë pyetje mos ma bëj, të lutem shumë! Është sekret ushtarak! -Jo, or, jo! Por, a më thua dot se me tërë atë çimento e hekur, që ka ky bunker, a u bën dot ballë gjyleve të topit? – Sigurisht, sigurisht! Se nuk kursehet gjë për bunkerin! Me materialet që ha ky, mund të çohet në këmbë një shtëpi me dy kate! – Pa shiko, pa shiko! E po, duke i pasur këta, na e marrka të keqen armiku, thuaj! Të nesërmen, sapo hëngrën groshën e mëngjesit, oficeri  i mensës e njoftoi ushtar Kamberin që të paraqitej menjëherë në zyrën e  komisarit. Kamberi shkoi dhe, kur arriti, sapo hapi derën e zyrës, u gjend përballë tre oficerëve pa kapele. – Shoku komisar, sipas urdhërit tuaj, ushtar Kamber Holta ju paraqitet! – tha ai në qëndrim gatitu, duke nderuar me grusht mbi vesh. Kaluan disa çaste në heshtje, pastaj komisari u ngrit në këmbë dhe, ndryshe nga herët e tjera, i bërtiti: – Je i arrestuar! Merr vesh? Të hënën do të dalësh para gjyqit ushtarak! – Unë!? Pse!? Ç’paskam bërë! – Ke guxuar të nxjerrësh jashtë sekretin ushtarak për bunkerët dhe je marrë me axhitacion e propagandë! – S’është e vërtetë, shoku komisar! – Hajt, pusho, se nuk ia fusim në tym ne! Kemi dëshmitarë tre ushtarët që punojnë me ty dhe Lamçe Gurin nga Darzeza! Tani e pata këtu, në zyrë! Kamberi u trondit. Njëri prej ushtarëve ishte  shoku i tij më i ngushtë, kurse Lamçja, siç i tha vetë, qenkësh mik e shkuar mikut me të atin!