Suplementi Pena Shqiptare/ Dhurata Kasa: Ujëza!

261
Sigal

Ata,

nuk flisnin asnjëherë veç komunikonin pa zë,

me dritëza shikimi,

urrejtje a dashuri,

një moskuptim i vjetër ky.

Mëngjeset lindnin ndryshe për secilin,

diku një fushë gri i ndillte në mjegulli,

diku një hon i thellë rrezet kryqëzonte në pabesi,

sepse nuk shkëputeshin dot këtë askush nuk e dinte,

veç zotit lart.

U bë një rrjedhë uji që gjeti nën gurë e drurë kalime të vrugëllta,

u bë një shkëmb i thërrmuar edhe ai,

pa fjalë me gurëza që nën rrjedhën e saj,

gurgulloi pengje përqafuar me dëshirë.

Ujëza tashmë ecte lumturisht mbi gurëza,

udha tashmë ishte përcaktuar nën pragje

që vetëçaheshin me dëshirë,

ato gurëzat e pendimit pluskonin veç spektatorë.

Mbi dritën e ujëzës shelgjet shekullore lotonin ndjesën,

ujëza ecte qetë, tashmë kishte një ogur,

diellin mbi sy,

gurëzat u bënë ranishtë për brigjet e saj,

ajo u bë rrjedhë për ekzistencën e tij.

E përsëri dielli lindtte ndryshe për të dy.

Një tingull Bethovian udhëtoi me ujëzën.

Një marsh i Lisstit ushtoi brigjeve,

ndalesë e kotë,

lotët e shelgjeve kripëzonin sirenat e mbetura aty,

tek shihnin ujëzën që largohej.

Ujëza tashmë largohej duke puthur brigje të tjera,

por duke mos ndalur tek asnji.

Ranë flokëza bore, ra edhe shi,

dhe margaritarë nga qielli ranë,

ra edhe një yll mbi ujëzën natën me hënë.

Ajo prapë nuk ndali, sepse e priste ai,

deti,

i pamati në dashuri,

i pamati në drejtësi.

Veç guralecët rrugës ishin bërë rërë dhe në det e prisnin

tashmë të penduar për një mëngjes të njëjtë.

Ajo nuk pranoi kurrësesi,

kishte tashmë mëngjeset e saj,

u konvertua në dallgë!