Suplementi Pena Shqiptare/ Dhimitër Shtëmbari: Bluza e djalit rom

291
Sigal

Nuz Zenuni, djalë i një familjeje rome, ishte grindur që në mëngjes në oborrin e shkollës me shokun e vet të klasës, Endrit Rolandin. Sebep ishte bërë bluza që Nuzi mbante veshur. Endriti pretendonte se veshja e bukur i ishte vjedhur në oborrin e vilës ku banonte. Në një kthesë të rrugës grindja kish arritur kulmin. Endriti e kish shtyjtur  Nuzin, duke ia përplasur kokën pas një muri prej gurësh. Në çast, gjaku i kishte skuqur fytyrën, madje edhe teshat deri poshtë. Rasti e solli që aty të kalonte një punonjës Policie. Teksa e kish parë djalin rom në atë gjendje, e kish ngritur, ish munduar t’i fshinte gjakun dhe e pat marrë me vete. Ndërkaq, kishte marrë me vete edhe djalin tjetër për në Komisariatin e Policisë. Dhe i kishte futur në zyrën e shefit të Krimeve. Cilët janë këta djem?! – kishte pyetur shefi i zyrës.  Janë shokë të një shkolle, madje të një klase, – i qe përgjigjur punonjësi i Policisë, – por janë rrahur për çështjen e bluzës së këtij djali. Dhe kishte bërë shenjë drejt Nuzit. Ndërkohë që e pat nisur policin që të sillte ujë e ndonjë ilaç për të larë e mjekuar plagën e Nuzit, shefi i Krimeve filloi t’i merrte në pyetje:  Si ju quajnë? – iu drejtua djalit buçko që kishte dëmtuar shokun e vet. Endrit Rolandi.  Ku punon babai juaj? Në Kryeministri.  Po juve si ju quajnë?   Nuz Zenuni. Ku punon babai juaj? Djali heshti. I bërë flakë në fytyrë, uli kokën.  Po ju pyes, ku punon babai juaj? – nguli këmbë shefi. Nëpër kazanat e plehrave.. Shefi u ngrit nga vendi dhe iu afrua Endritit.  Përse e ke goditur shokun tënd?  Nuk e kam goditur, zoti shef. Atij i rrëshqiti këmba dhe ra .. Nuzit nuk iu durua pa folur:  – Jo, zoti polic, ky më shtyjti dhe ma përplasi me forcë kokën pas murit!.. Dhe filloi të qante.  Shefi ia nguli fort sytë Endritit dhe iu drejtua:  Çfarë kërkon ti prej Nuzit?  I kërkoj bluzën. Ma ka vjedhur te vila ime. Është hajdut i poshtër! Ende pa e mbaruar fjalinë, ndërhyri Nuzi:  E dëgjon si më fyen, zoti shef?! Edhe pse detyrat e shtëpisë nga unë i kopjon rregullisht çdo ditë, kështu më fyen vazhdimisht … Qëndroi një hop dhe vazhdoi:  Nuk e kam vjedhur bluzën, zoti shef. Më besoni! Ma ka prurë bab. Endriti e shikoi tërë urrejtje shokun e vetë dhe iu kthye:  Babi këtë bluzë ma ka blerë në Parisin e Francës…  Gënjen! Babai im e ka gjetur në kazanin e plehrave!…  Në Parisin e Francës! – ngriti zërin Endriti.  Në kazanin e plehrave! – kundërshtoi Nuzi. Shefi u bëri shenjë të heshtnin. Dhe shkoi në kolltukun e vet.   E ke numrin e celularit të babit tënd? – iu drejtua Endritit.  Si nuk e kam! Dhe ia tregoi. Shefi formoi një numër dhe nisi të fliste me të atin e Endritit.   Si, si?! Djali im në Komisariat?! E përse?! – u dëgjua të fliste tjetri.   Nuk është gjë për t’u shqetësuar, por, në qoftë se keni kohë, mund të kaloni këtej për një sqarim fare të thjeshtë. Nuk kaluan as dhjetë minuta dhe te dera e Komisariatit ndaloi një “Benz” i zi. U hap dera dhe nga brenda doli një burrë i bëshëm. Përshëndeti oficerin e rojës dhe vazhdoi drejt zyrës së shefit.   Babai i Endritit? – iu drejtua shefi.   Po, ai jam: Alfred Rolandi. Shefi iu afrua të porsaardhurit dhe nisi t’i tregonte:   Këta djem janë grindur mes tyre. Ja, për çështjen e kësaj bluze …  Po, është bluzë e djalit tim, – nxitoi të thoshte Alfredi. – Ia kam blerë, më duket…  në Londër.  Jo, babi, – e korrigjoi i biri, – ma keni blerë në Paris.  Po, po, saktë; në Paris ta kam blerë… Kur dëgjoi të flitej kështu, Nuzi ndërhyri pa marrë leje:  Bluzën ma ka gjetur babi në kazanin e plehrave. Alfredi e shikoi me bisht të syrit dhe iu drejtua:

Mirë që e ke vjedhur, mor djalë, po përse nuk e pranon?! Shefi nuk po dinte se si të vepronte. Dhe nuk mungoi ta shprehte këtë mëdyshje. Mirëpo i shkoi në ndihmë vet i ardhuri prej Kryeministrisë:  Këtë e zgjidhim tani, ja, shpejt e shpejt. Dhe nxori celularin, formoi një numër dhe …   Alo! Erestina? Bashkëshortja iu përgjigj nga andej ku gjendej.  Në Bruksel jeni, apo në Londër? – e pyeti Alfredi. Erestina vazhdoi t’i përgjigjej nga larg.

– Të shqetësova, grua, për çështjen e një bluze të kuqe që kemi pas blerë në Paris… Si, si?! E keni hedhur ju vet në kazanin e plehrave! Si, si?! Nuk ju ka pas pëlqyer ngjyra e saj!… Po, po; e kuptova. Hajde, mirëardhësh, e dashur! Mbaroi telefonatën Alfredi dhe iu i kthye shefit të Krimeve:  Ta gëzojë bluzën! E paska hedhur vet bashkëshortja ime në kazan… Sakaq, përmes dritares Alfredit i shkuan sytë në rrugë te “Benzi” i tij. U tremb nga ajo çka pa. Në çast hapi derën e zyrës së shefit të Krimeve, doli  dhe nisi të gërthiste me zë të lartë:  More maskara, a s’e shikon që po ma bën pis makinën me atë palo thes të ndyrë që mban në krah?!  Tjetri, që nuk i dukej as fytyra për shkak të thesit të madh që mbante mbi shpinë, mundohej të kalonte në rrugicën e ngushtë që ishte krijuar prej “Benz”- it të ndaluar. Teksa qe kthyer në drejtim të atij që i po i gërthiste, i qe çarë thesi dhe disa kanaçe i patën rënë mbi veturë.  Nuzi i vogël ngriti sytë drejt shefit dhe, me ton lutës, iu drejtua:   Më jep lejë të shkoj për ta ndihmuar?   Atë maskara do të ndihmosh?! – u dëgjua të thoshte Alfredi.  Si i zënë në faj, Nuzi uli kokën dhe vazhdoi: Ai është babi im! Dhe nxitoi drejt atij që vazhdonte të mblidhte kanaçet e rëna prej thesit.