Suplementi Pena Shqiptare/ Dhimitër  Gjoka: Simfoni e pambaruar …

Kjo që do ju tregoj shumëkujt nga ne mund t’i ketë ndodhur. Një shoku im i fëmijërisë emigrant prej 25 vitesh  në Amerikë dhe që kthehet në Atdhe për të parë të afërmit në Vlorë pas dhjetë vitesh nga vizita e fundit, më merr në telefon për të pirë një kafe tek Kalaja e Toptanajve në Tiranë. Një i djathtë i përkushtuar qysh nga fillimet e viteve ’90. Inxhinier i zoti i fushës së Mekanikës, profesion të cilin e ushtron me pasion edhe sot aty ku banon. Biseduam e çfarë nuk biseduam. Kujtuam fëmijërinë e largët në Vlorën tonë të dashur, capkënllëqet e moshës, gjimnazit apo edhe të kohës kur ishim studentë në Tiranë. Folëm edhe për politikën. Këtë herë  m’u duk ndryshe në qëndrim, në të folur, në mendime nga çishte para dhjetë viteve. Më fliste i mbushur gjithë kënaqësi nga çfarë kishte parë gjatë vizitave të tij. E teksa rrufisnim kafenë s’pushonte së foluri. -Më kanë pëlqyer shumë Vlora, Tirana, Spileja e Himarës tënde, por edhe Saranda ku kalova dy ditë të paharruara. Do dëshëroja të rrija edhe më shumë, por nuk mundem. Sinqerisht kam mbetur i befasuar. Një ndryshim i madh gjithandej. E vështroja në sy dhe e dëgjoja me qetësi. -Të kujtohen vitet ’70 si ishte Vlora? Ngushëlloheshim vetëm me detin apo kur vinte “Dulla” për pushime në muajin mars apo në prill që lëshonin sinjalin televiziv e ku një muaj kënaqeshim me Rai-in ? Po kanoçet…eh sa herë hipnim në tarac të pallatit për të drejtuar antenën. Kujtonim dhe qeshnim me zë. Nuk e di pse nostalgjia na pushtoi si pa dashje. Kishim zënë një tavolinë ku nuk shqetësonim njeri. Po ekspozita e atyre viteve që u hap tek Shtëpia e Kulturës , maketi se si do ndërtohej Vlora përgatitur nga Instituti i Projektimeve nr1 i urdhëruar nga “qoftë largu” të kujtohet? U hap fjala se Vlora do të bëhej si Aleksandria në Egjypt.-Po.- i thashë – më kujtohet, na la gojë hapur. S’kishte ditë të mos e vizitonim. Nuk ngopeshim duke e parë, nga 3-4 herë shkonim. Gjithë Vlora jetonte me imazhin e atij maketi që na u shfaq si një ëndërr. Nga serdhën për ta parë. Ato ditë dhe shumë kohë më pas diskutonim me zjarr kudo në shtëpi, në rrugë, mes shokësh, në shkollë se më në fund edhe Vlora jonë do të bëhej e bukur, moderne. Popo, po ja, – buzëqeshi pak dhe shtoi – kaloi një jetë nga ekspozimi i atij maketi. Më shumë se 40 -vjet mbeti ëndërr në sirtar dhe ky “qerrata” Edi Rama e bëri realitet. Të të them të drejtën u mahnita nga ç’pashë dhe preka në Vlorë, sidomos shëtitorja anës së detit është e jashtëzakonshme. Apo sheshi i Flamurit dhe lagjia “Muradie”!Kisha parë në televizor apo në foto të shumta në FB dhe si vlonjat kënaqesha, por kur erdha dhe pashë nga afër realitetin, u stepa.Vlora jonë e dashur edhe pse vonë është tashmë një qytet Europian siç ne e ëndërronim. Prit!- i thashë – ka akoma rrugë përpara. Dhe si për të nxitur më shumë bisedën e pyeta se si kishte kaluar në Tiranë. Të kujtohet mesi i viteve ’80 kur Kryetar i Komitetit Ekzekutiv ishte Xh.T. ?- më tha duke ndezur një cigare. -Po më kujtohet. Mos do të thuash që kur u kthye pas një vizite në Egjypt u shpreh se do ta bënte Tiranën si Kajron? Qeshëm kaq shumë sa na dolën lotë nga sytë. Të dy e dinim mirë këtë histori. Kryetari u mundua të bënte diçka me ndriçimin në kryeqytet, por mbeti vetëm me vendosjen e disa abazhurëve në formë spirale në cepat e dy urave në atë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe në atë të “Rrugës së Elbasanit” por që mbeti ndriçim pa ndriçuar vijimësinë e shpresës tonë që Tirana të bëhej një Kajro. Premtimi ishte i madh, por mundësia ishte…..s’ishte fare…  Të të them të drejtën,Tirana më mahniti!- vazhdoi pas një heshtje- 10 vjet pa ardhur, u befasova! Ecja rrugëve dhe ndihesha mirë. Ja edhe këtu ku jemi ulur është një ëndërr. Si ishte Kalaja e para 10 viteve? Më shijoi shumë kafja. E pabesueshme. Ka ndryshuar shumë Tirana, shumë. Është bërë një qytet tamam Europian i pastër e ku të ndjell të ecësh nëpër rrugët e saj. Mos do të thuash që ke ndryshuar bindje, të kanë bërë ”Lali” Eri apo ky “i gjati” për vete?- e ngacmova për të shtyrë më tej bisedën. Thithi fort cigaren, nxori vrullshëm tymin dhe i qetë e i buzëqeshur më tha; Jepi Çezarit atë që i takon. Biseda pastaj mori rrugë për shëndetin, familjen, punën, shoqërinë. Më tha se kafen tjetër shoqëruar me “ujin e bekuar” do ta pinim kur të rikthehej këtë verë, në gusht edhe me miq Amerikan për të kaluar pushimet në Himarën e bukur.Ndihej krenar për ndryshimet pas 10 vitesh mungese në mëmëdheun e tij.

NOA