Arrestimi i të riut për të zhdukurit në Sarandë, policia: Ka dijeni për fatin e Leonardit dhe Fatmirit

115
Sigal

Policia e Sarandës ka ekzekutuar dje një vendim të Gjykatës së Sarandës për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për një 28-vjeçar nga Saranda, i cili dyshohet se ka dijeni mbi emrat që fshihen pas zhdukjes së 46 vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi.

Rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes forcat e policisë kanë ndaluar Sofokli Baxheri 28 vjeç, banues në Sarandë. Ndaj tij Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia po tregohet shumë e rezervuar në dhënien e informacionit për këtë rast, por burime konfidenciale bëjnë me dije se ky shtetas dyshohet t’u ketë dhënë me qera autorëve të zhdukjes së Leonard Thodhori e Fatmir Sulovarit dhe vendosjes së eksplozivit tek banesa e Lefter Lefterit alias Afëz Kulla, një banesë e garazh në fshatin Nivicë të Bashkisë Himarë, nga ku ka edhe origjinën prindërore.

28-vjeçari mësohet se ka “kyçur” gojën para oficerëve të policisë gjyqësore dhe nuk është treguar bashkëpunues me ta lidhur me emrat e personave të cilëve u ka vënë në dispozicion mjedisin.

Pikërisht në pronën e të arrestuarit, policia ka gjetur automjetin tip “Mercedes-Benz” E Class, që dyshohet se është përdorur për rrëmbimin e dy 46-vjeçarëve, por edhe të vendosjes së eksplozivit të banesa e Lefter Lefterit në dhjetor 2022.

Edhe pse këto dy ngjarje nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, policia dyshon se janë kryer nga të njëjtët autorë. I arrestuari rezulton lidhje shoqërore e mjedisit të personave të dyshuar për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve.

Policia e Sarandës ka kryer disa kontrolle banesash, përfshirë edhe zyrtarëve apo ish-zyrtarë. Kontrollet dyshohet se janë kryer për çështje tokash, por nuk dihet ende zyrtarisht nëse është një procedim i veçuar apo hetimi për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve.