– Reflefktime pas leximit –
Kur dikush pëlqen një libër, kjo do të thotë se aty ka gjetur diçka nga vetja. Prandaj, siç është shprehur më parë Zija Çela, ata që lexojnë e flasin, tërheqin gjithashtu vëmendjen e autorit, pasi te lexues të tillë gjen veten edhe shkrimtari.
Zoica Gjolla Popi:
Në spitalin e Konventrit në Angli, gjatë një terapie disa orëshe, lexoja romanin “ Las Varrezas” të Zija Çelës. Një mjeke më pyeti për autorin, titullin dhe pak përmbajtjen. Një grua e quajtur Dinosha, kishte aftësinë që t’i shëronte njerëzit e sëmurë, duke u vetëflijuar pak nga pak, sepse u jepte shëndet nga shëndeti i vet. Ajo u vinte kokën në prehrin e saj, i përkëdhelte ëmbëlsisht, pastaj përkulej dhe u pëshpëriste formulën e jetës. Po kur u sëmurë vetë, të gjithë ata që kishin pasur këtë përvojë, duke përfshirë edhe të shoqin, e lanë Dinoshën të vdiste. Për të ruajtur shëndetin e tyre, ata hiqeshin sikur nuk e mbanin mend atë formulë. Prandaj, si një mallkim i mistershëm, në qytetin e Kukunamit përhapet një ndëshkim pandemik. Kushdo që ishte duke dhënë shpirt, nëse thërriste emrin e dikujt, ky njeri vdiste gjithashtu brenda njëzet e katër orëve. Merret me mend çfarë paniku krijohet mes banorëve të Kukunamit…
Mjekja mbeti e çuditur nga subjekti. E po ashtu me faktin që në një roman, të shkruar në vitin 2004, përmendej epidemia Covid Sars, para se të shpërthente në përmasa botërore, gati si izolimi i atij qyteti. Sa Mjeshtër i madh letrar dhe sa parandjenja, thoshte. Aq shumë po tregonte interes, sa u ndjeva krenare për autoresinë e shkrimtarit tonë të rrallë!
Drita Fejza: Para disa kohësh po flisja me një irakene për emrin e Zija Çelës dhe një tregim, që në librin “Thika pa gjak” e kam shumë për zemër. Tregimi mban titullin: “Margarita dhe tullumbace“. Dhe i thashë:
– Ekzistojnë forma të sinkronizimit të bukurisë shpirtërore. Njëra prej tyre është ky tregim.
Pastaj nisa t’i rrëfeja subjektin. se si ai biznesmeni, kur shkonte në shtëpinë e nënës, i numëronte hapat rrugës dhe gjithnjë i dilnin afërsisht njësoj. Madje, ngaqë i qe bërë zakon, i numëron edhe kur shkon së pari te varri i saj, që ta dijë në të ardhmen. Por çfarë nuk i shkon fare ndër mend dhe s’kishte për ta ditur kurrë, ishin hapat e panumërueshëm të nënës, sa shumë, sa shumë hapa të nënës drejt tij!
Zija Çela nuk bën tashmë pa letërsinë, por as letërsia pa mjeshtrin Zija Çela.
Mirela Deda : Kur isha gjimnaziste, rreth fundit të epokës së komunizmit, më ra në dorë libri “Mali i tejdukshëm”. Sa kujtime, sa episode të memorizuara ruaj në mendje nga ai roman i Zija Çelës!
- “Qyrku” i shkrimtarit që flinte në të njëjtën dhomë me drejtorin e minierës… e që një ditë, kur drejtori i ashpër e veshi gabimisht, u bë më i butë me njerëzit. Unë edhe sot e kësaj dite e përmend në ndonje rast këtë episod, si një nevojë që ka ndonjëherë dikush për qyrkun e shkrimtarit.
- “Thesi” me pagat e minatorëve që përfundoi në humnerë dhe njerëzit filluan të mblidhnin paratë, që pagatori t’i shpëtonte burgut. Kurse ai i gjori thoshte: “Ma mirë t’i ngelem borxh qeverisë, se sa miletit”. Dhe mirë e kishte!
- Po ai tipi që, kur i telefonin punëtorët, bënte sikur nuk dëgjonte, por kur e merrnin nga dikasteri, rrinte gatitu!!…
Këto janë shumë pak nga ai libër i mrekullueshëm, në faqet e të cilit ëndërrohej që atëherë të hapej një tunel e të lidhej Dibra me Tiranën… Ndërsa lexoja romanin e Zija Çelës, ndjeja se ndryshimi i madh, që në libër paralajmërohej me guxim si domosdoshmëri, ishte afër.
Lulëzime Malaj: Librin “Thika pa gjak” sapo e mbarova dhe, duke ndjekur letërsinë e autorit, e dija që do të ishte i mrekullueshëm. Një libër që të mban pezull nga tregimi në tregim dhe nuk do që ta lëshosh nga dora. Librat e Çelës janë gjithmonë befasi, janë unikë.
Tregime që të nguliten me brengat e dramatizmin, sarkazmën apo ironinë e hollë, plazmimin e figurave të gjalla njerëzore, kompozimin e lakonizmin e stilit, teknikat e pasura të narracionit, përgjithësisht paraqitjen emocionuese të realiteteve tragjikomike. Sa dhembje, sa dhembje njerëzore ka “Thika pa gjak”!
Të lexosh e të ndjesh kënaqësi. Të lexosh e të pasurohesh shpirtërisht dhe mendërisht. Aq sa në fund të librit sikur nuk je më ai, që ishe në faqen e parë. Këtë bën arti magjik i Zija Çelës.


















