Suplementi Pena Shqiptare/ Ervin Nezha: Bedri Dedja, klasiku i letërsisë për fëmijë

28
Ervin Nezha
Sigal

Në pak minuta që ndenja në Panairin e Librit, u largova me një dhuratë të çmuar, që do nderonte jo vetëm bibliotekën time tepër të zbehtë në tituj, por edhe Bibliotekën Kombëtare, kolanën e plotë të librave për fëmijë të klasikut Bedri Dedja, botuar nga Albas, që ma dhuroi vajza e tij Edlira.

Për mua qe emocionuese të prekja disa nga librat e fëmijërisë, të një prej autorëve që së bashku me Gaqo Bushakën, Odhise Grillon, Tasim Gjokutajn dhe Shkëlzen Zallin, krijuan një shkollë të letërsisë për fëmijë, që më pas erdhi duke u zbehur nga mungesa e pasuesve, derisa solli një krizë të kësaj gjinie shumë të vështirë, por tejet të domosdoshme, që vetëm vitet e fundit, falë një gjenerate të re krijuesish po rimëkëmbet ngadalë, por me shumë problematika dhe vështirësi.

Letërsia e Bedri Dedjes është një letërsi ku çdo fëmijë gjen hapësirën që do. Ajo është shkruar me një regjistër gjuhësor jo shumë të kujdesshëm, (kujdes i tepruar që zakonisht po e kthen letërsinë për fëmijë në një “edukatë morale” me gjuhë të puritanizuar, pa emocion, të lodhshme për nga rregullat didaktike dhe varfëria e imagjinatës).

Në librat e Bedri Dedjes gëlon batuta e gjallë, humori i hollë dhe qesëndia e lehtë. Kjo bën që personazhet nga më normalët dhe më të çuditshmit të mos sillen ashtu siç do të donim ne të rriturit të silleshin, por ashtu siç duhet të sillen personazhet e pavarur nga narratori, si karaktere origjinalë, të vërtetë e të gjallë, që i ftojnë fëmijët në aventura misterioze, në lojëra të mbrapshta, mjedise të trilluara dhe të largëta, duke i bërë fëmijët vetë personazhe, duke u ndezur shpirtin e aventurave dhe imagjinatës, si përvoja për të formuar karaktere unikalë dhe të pangjashëm me të tjerët. Bedri Dedja refuzon këshillat e drejtpërdrejta për lexuesit e vegjël, refuzon gjuhën e drejtpërdrejtë pa emocion dhe situatat e papërthyera estetikisht, ai pëlqen cinizmin e shëndetshëm, efektin, që synon të mbrapshtën e dialektikës, krijon nënshtresa kuptimore të thjeshta dhe të ndërlikuara, qesharake dhe serioze për të mprehur shqisat e leximit, ndaj disa nga librat e Dedjes lexohen fare mirë edhe nga të rriturit, pasi tejçojnë përvoja jetësore mahnitëse, shqetësime të gjithëkujt që ka mbetur ende pak fëmijë brenda vetes. Personalisht, do doja që një fëmijë kur lexon, të zhytej më tepër në imagjinatë dhe aventura sesa të mësojë dije dhe të vërteta. Ndaj mendoj se për lexuesin e vogël një letërsi e tillë do të qe shumë e këshillueshme. Libra si “Presidenti i planetit të kuq”, “Sikuriada”, “Republika e 1100 çudirave” etj., janë libra të denjë për t’u lexuar me lehtësi nga çdo fëmijë i botës.