Suplementi Pena Shqiptare/ Brahim Omeri: Shega

158
Sigal

Ditën që linda, babi vendosi të më flasë me emrin Shega. Disa u gëzuan, disa u mërzitën. Dhe më ngacmonin duke më thënë: jo Shega majhoshe, jo Shega e ëmbël. Dhe unë po rritesha për bukuri. Ditën që unë mbusha tre vjeç, babi erdhi nga qyteti, duke mbajtur në dorë një fidan shege. Të gjithë gëzuam. Pasi festuam atë natë ditëlindjen, të nesërmen mua më mori babi bashkë me vëllain, hapi një gropë të madhe, hodhi pleh dhe mbolli shegën. Unë si e vogël që isha, veja dhe me një kovë të vogël e ujitja. Jo moj Shegë më thotë babi, mos I hidh ujë gjithmonë se thahet.Vitet kaluan. Rritesha unë, rritej dhe Shega. Kur veja në shkollë, këpusja disa kokrra dhe i ndaja me shoqet e klasës. Gjyshja më thoshte gjithmonë që kur ha shegë duhet t’i hash të gjitha kokrrat, se një kokërr nga ato të sjell fat. Por ja, që do të ndodhte diçka e keqe. Një ditë babi me mamin dhe vëllain kishin shkuar në qytet. Unë isha vetëm me gjyshen. Mora koshin dhe doja të mblidhja shumë shegë që t’ia bëja surprizë babit. Isha 10 vjeçe. Për fat të keq kur hipa lart, mblodha shegët dhe për të ruajtur fustanin që mos të grisej, u rrëzova pa ndjenja përtokë. Gjyshja erdhi pak me vonesë. Më mori në krahë dhe më çoi në krevat. Isha shumë keq. Mezi u përmenda. Babi me mamin u mërzitën jashtë mase, vëllai qante me dënesë. Kur erdhën mjekët, mua më kishin vajtur djersë të ftohta dhe nuk lëvizja fare. Me keqardhje mjekët i thanë babit, por jo në praninë time, se vajza do çuar urgjentisht në Tiranë. Me gjithë kujdesin e madh, që vazhdoi për dy muaj, nuk kisha asnjë përmirësim. U ktheva përsëri në shtëpi. Mjekët nuk më jepnin shpresë për t’u ngritur në këmbë. Nuk e dija sa do zgjaste kjo. Kur erdha në shtëpi, gjeta shoqet e klasës. Ato filluan të më jepnin kurajo. Babi me mamin shkonin në punë. Vëllai im, Miri, shkonte në shkollë. Unë rrija me gjyshen. Bënte shumë vapë. Rrija tek kravati që ishte i lartë dhe nga dritarja vëzhgoja shegën që ishte plot me lule. Me gjyshen kaloja gjithë paraditen. Tani për mua filluan ditët më të vështira. Isha e vogël dhe doja, që si gjithë shoqet e mia, të gëzoja vitet në vazhdim, jetën time. Lexoja libra, revista. Ndonjëherë edhe i laja me lot, por gjithmonë fshihesha nga gjyshja. Por gjyshja më jepte gjithmonë kurajo. -O Zot, -thoshte, -ndihmoje Shegën. Një natë, para se të flija, në dhomën time hyri një flutur e bardhë me krahë tepër të mëdha. U rrotullua rreth meje disa ccaste, bëri disa xhiro rreth llambës dhe qëndroi në mur pa lëvizur. -Eh, -thashë me vete: -Ti moj flutur, mos ndoshta ke ardhur e mbarë për mua? Rrinte në mur ditë edhe natë pa lëvizur. Nga dritarja shikoja si përherë shegën dhe mendoja: si unë rashë nga një pemë me një bukuri kaq të rrallë. Jo, s’më kish faj! U tregova vet e pakujdesshme. Shoqet vinin përherë dhe më takonin. Babi sidomos ishte shumë i mërzitur, por nuk e shfaqte. Kur një ditë u nis për punë, e pashë që doli i përlotur nga shtëpia. Sa keq u ndjeva. Një ditë kur gjyshja po pastronte, befas tek duart e mia u përplas diçka e rëndë. Ishte shkopi që mbante gjyshi, kur ishte gjallë. I thashë gjyshes: -Nesër do bisedojmë për diçka. Dhe vendosa me kokën time të bëj sakrificë.
-Gjyshe, ma jep shkopin! Dhe e mora për të provuar por e pashë që ishte e pamundur të ngrihesha, m’u duk shumë e vështirë. -Gjyshe! – i thashë, – mos i thuaj gjë mamit dhe babit, sekret midis nesh.-Allahu do të ndihmojë, – më tha gjyshja. Për tre muaj rresht, me shumë mundim, bëja stërvitje me shkop, kur për çudi, më në fund arrita të eci dy hapat e para. Gjyshja u gëzua. -Jepi Shega, – më thoshte. Ditët kalonin dhe unë po përparoja. Babi me mamin nuk ishin në dijeni. Babi I kishte qejf surprizat. Këtë gjë unë e dija. Mjekët vinin gjithmonë më vizitonin, por ata, si gjithmonë:  -Kemi shpresa, -më thonin. Në shtator fillonte shkolla. Unë I thashë babit të më merrte librat se do të mësoja në shtëpi. Tani isha shumë mirë. Babi u çudit. Atë ditë që erdhi babi me librat vendosa t’i bëja surprizën. Në darkë do të vinte dhe dajua nga Italia. Babi me mamin shkuan për ta pritur në Rinas. Babi vonoi. Zbrita shkallët pa shkop, dhe mora koshin për ta mbushur me kokrrat më të pjekura. Si e mbusha koshin u ngjita nëpër shkallë dhe u ula në karrige, jashtë në verandë. Koshin e vendosa mbi tavolinë dhe po prisja. Dhe ja, në oborr hyri e para mami. Kur më pa, bërtiti me të madhe: – Sheeega!!! – Po ti këtu?! Pas saj babi me dajon. Babi nga gëzimi, i habitur, erdhi i pari për të më takuar. Unë u ngrita, i hapa duart dhe mezi prisja ta përqafoja. -Kjo është surpriza më e bukur. Ti i ke qejf ato. -Bija ime, -më tha. Shega ime, çfarë është kjo? -Kjo ishte mrekullia, – tha dajua. Doli dhe gjyshja me Mirin. Gjyshja i qerasi të gjithë. U futëm brenda në shtëpi dhe të gjithë bashkë festuam shërimin tim përgjithmonë. Sa durim dhe guxim duhet në jetë.