Kosovë
Me fjalë të vogla të kam dashtë!
Me fjalë të vogla të kam dashtë,
si zemra e vogël di të dashurojë…,
Pa ia thënë botës, pa u bërë lajm
sa shumë me shpirt ty t’u dhashë !
Ta fala zemrën, në gji ta mbaje,
sepse në ty nuk do të lëndohet.
Është vërtetë e vogël, por mirë e di
pa të, asnjë çast s’mund të jetohet!
Ta dhashë dhe frymën time ty!
Që ti më lehtë çdo ditë të frymoje…
Askush s’e sheh, madje as ti
është e vogël, por shumë çmoje!
Të fala dritën e syve të shihje mirë;
të shihje më qartë bukuritë e jetës.
Sytë e shpirtit, sa të ëmbël, të dlirë
Ata janë pasqyra e së vërtetës!
Me fjalë të vogla, unë të dua prapë,
ndoshta më shumë krejt në qetësi.
Pa zhurmë, pa bujē, si e detit valë
por dije, është dashuri në përjetësi!
Kështu në heshtje, do të dua gjithnjë
në heshtjen që më ngjall nostalgji…
Me mallin që shpirtin e djeg flake,
me zjarrin që ka emrin dashuri!
Me fjalë të vogla, me pak fjalë
Ashtu zemra më dha një mësim:
” Fjalët e mëdha, për dashurinë
janë gjithmonë pa një kuptim…” !




















