Jovan Bizhyti: Beteja e Çukasit kundër autokolonës gjermane dhe Çlirimi i Lushnjës në 18 tetor 1944

(Vëllezërit Nako dhe Miti Bozo, partizanë të orëve të para të luftës Nac.Çl. në Myzeqe)

Aksionet revolucionare kundër fashizmit, nisën që herët në vitin 1942. Si në mbarë vendin edhe në Myzeqe, patriotët dhe rinia idealiste, nisën aksionet luftarake, sinjalet e para të një praglufte masive partizane. Krahas të tjerëve, në Myzeqenë e Lushnjes u shquan dhe dy vëllezërit partizanë, Nako dhe Miti Bozo, që u përfshinë në shumë aksione kundër fashiznit Italian, deri sa u krijuan formacionet e para partizane në Myzeqe. Të dy vëllezërit dhe i ati i tyre Loni Bozo, ishin ndër të parët që mbështetën luftën kundër pushtuesve për çlirimin e vendit.
Në 26 dhjetor 1942, në fshatin Kolonjë të Myzeqesë u krijua Çeta e Parë partizane, ku Nako e Miti Bozo ishin ndër partizanët e parë të kësaj Çete. Pastaj u përfshinë në Batalionin e Parë partizanë në prill 1943, e më tej në shtator 1943, në Grupin partizan të Myzeqesë me 4 batalione dhe me rreth 800 partizanë. Në këto formacione luftarake, Miti Bozo ka kryer detyra të rëndësishme si, zv/komisar dhe më pas komisar batalioni, ku të dy vëllezërit së bashku, morën pjesë me partizanët e Myzeqesë dhe në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44 në luftimet që u zhvilluan në Sulovë e Tomorricë të Skraparit, e deri në Opar të Korçës. Pas Kongresit historik të Përmetit Maj 1944, Miti Bozo me vendim të Qarkorit të Partisë të Beratit, u emërua në detyrën e sekretarit politik të komandës së vendit për Nën/prefekturën e Lushnjes, detyrë të cilën e kreu deri në çlirimin e plotë të vendit dhe më pas për vendosjen e pushtetit popullor në rrethin e Lushnjes. Ndërsa i vëllai Nako Bozo, u përfshi në Brigadën e XVI-të Sulmuese, që u formua në Therepel të Skraparit dhe që zhvilloi luftime në Qarkun e Beratit dhe kryesisht në Myzeqe. Për çlirimin e Myzeqesë morën pjesë në luftime 3 brigada të Ushtrisë Nac.Çl, Brigada e VII-të, e VIII-të dhe e XVI-të Sulmuese. Një aksjon të rëndësishëm, Brigada e XVI-të e zhvilloi në kodrat e Çukasit të Fiersheganit, që shtrihet në rrugën nacionale Lushnje-Berat. Ishin ditët e para të tetorit 1944 në prag të çlirimit, kur Brigada e XVI-të Sulmuese po e ngushtonte rrethin drejt çlirimit të Lushnjes dhe të gjithë Myzeqesë. Forcat gjermane po tërhiqeshin nga Berati dhe Kuçova drejt Lushnjes, Durrësit, e më tej drejtë veriut të vendit. Në fundin e tërheqjes së autokolonës gjermane, një kompani e Brigadës së XVI-të që kish zënë pritë në kodrat e Çukasit pranë Fiersheganit, buzë rrugës nacionale, u hodh pa pritur në sulëm ndaj autokolonës gjermane.
U zhvillua një betejë e përgjakshme, gati trup me trup. Nga forcat partizane mbetën të vrarë 16 partizanë, midis tyre dhe i riu Nako Bozo. Bashkë me të u vranë dhe, Liri Gero, Shaban Turku, Vedut Dokollari, Andon Basha, Shaban Çela e të tjerë. Ndërsa nga radhët e armikut mbetën të vrarë mbi 35 ushtarë gjermanë, 9 oficerë dhe një ushtarak madhor me gradën kolonel.
Terreni fushor i luftimeve ishte në disfavor të forcave partizane, por enthusiazmi i fitores mbi armikun, bëri që djelmoshat partizanë, u sulën me furi ndaj armikut, pa marë parasysh kushtet e terrenit dhe jetën e tyre. Shkolla e Mesme në fshatin e lindjes së dëshmorit “Nako Bozo”, Kolonjë e Myzeqesë, mban emrin e tij. Çlirimi i Lushnjes dhe i Myzeqesë dhe vendosja e pushtetit popullorë. Pak ditë pas betejës luftarake të Çukasit, forcat partizane triunfuan drejt çlirimit të qytetit të Lushnjes. Për çlirimin e Lushnjes morën pjesë në luftime kryesisht Brigada e VIII-të dhe ajo e XVI-të Sulmuese. Në 16 tetor 1944, forcat partizane u vendosën në pozicione luftimi mbi kodrat e qytetit. Mësymja në luftime filloi në ora 21 të datës 17 tetor 1944. Luftimet vazhduan për gjithë natën. Në mëngjes duke gdhirë 18 tetori, forcat e Brigadës VIII-të likuiduan një kompani gjermane në fshatin Karbunarë dhe deri në hyrjen jugore të qytetit tek Çezma e Kalifasë, ndërsa forcat e Brigadës së XVI-të, sulmuan qendrën e qytetit dhe garnizonin gjerman, që ndodhej tek ish shkolla bujqësore, sot Instituti i Kërkimeve Bujqësore në daljen veriore të qytetit. Në këto luftime mbetën të vrarë rreth 20 ushtarë gjermanë dhe u zunë 30 robër lufte. Po ashtu u kapën dhe 3 autoblinda e disa kamjonë me armatime. Në ora 8 të mëngjezit të 18 tetorit 1944, qyteti u spastrua nga forcat gjermane dhe partizanët hynë fitimtarë në qytetin e çliruar të Lushnjes. Çaktivizuan disa mina që gjermanët i kishin vendosur tek Ura e Përroit në hyrje të qytetit, si dhe pranë Nën/prefekturës. Po ashtu fikën dhe zjarrin në një depo drithi me 900 kv grurë, që armiku në ikje e sipër në panik kërkonte ta digjte. Populli i Lushnjes i përfshirë në enthusiazmin e çlirimit, i priti fitimtarët me gëzim e brohoritje.
Në 20 tetor, dy ditë pas çlirimit të qytetit, u mblodh Celula e Partisë Komuniste të qytetit e përbërë nga 14 komunistë me përgjegjës Miti Bozon dhe antarë, Myzafer Hoxha, Halil Ahmeti, Sedat Ruli, Fato Ahmeti, Adem Haxhiu, Idajet Ruca, Llaqi Jano, Musa Rustemi, Shyqyri Dervishi, Rakip Haxhiu, Llazar Zegali, Sabri Dardha dhe Halim Haxhiu. Celula partie u ngritën dhe në disa zona të rrethit si, në zonën bregdetare Libofshë-Divjakë me 12 komunistë dhe në zonën Bubullimë-Krutje-Fiershegan me 8 komunistë. Në 3 nëntor 1944 u krijua Komiteti i Partisë Komuniste për rrethin, ku asistoi i deleguari i Qarkorit të Partisë të Beratit shoku Xhorxhi Robo. Ai propozoi që Komiteti i Partisë i Nën/prefekturës së Lushnjes të përbëhej nga 6 antarë dhe drejtues. Miti Bozo u zgjodh sekretar politik, Myzafer Hoxha kuadrovik, Sedat Ruli përgjegjës për rininë, Argjiro Leka përgjegjëse e gruas, Adem Haxhiu përgjegjës për financat dhe Shemso Çelo përgjegjës për teknikën e agitpropin. Në 6 nëntor 1944 u zgjodh dhe Këshilli Antifashist Nac.Çl. i Nën/prefekturës me organet e pushtetit dhe të ekonomisë. Ky këshill përbëhej prej 11 vetë. Kryetar u zgjodh patrioti Rakip Jaçellari dhe sekretar Mehmet Gina. Këshilli ndau dhe detyrat funksionale ku, Aristir Gjini u emrua përgjegjës për ekonominë, Adem Haxhiu përgjegjës për rindërtimin, Riza Shehu për arsimin e shëndetsinë dhe Taq Spiro (Kondakçiu) për financat. Po ashtu u ngrit dhe komanda e vendit, me komandant Rakip Haxhiu dhe komisar Myzafer Hoxha. Në këto momente të rëndësishme, pas luftës për stabilitetin e rrethit dhe për organizimin e organeve të partisë e të pushtetit, një rrol të rëndësishëm ka lozur Miti Bozo si sekretar politik, duke qenë kudo e kurdoherë në krye të detyrave që shtroheshin.
Shef i sektorit ekonomik në KQ të PPSH. Hysni Kapua e njihte Miti Bozon kur ishte Ministër i Bujqësisë dhe punonin së bashku. Ai vlerësonte shumë aftësitë e kapacitetin intelektual të tij. Miti Bozo kudo ku punoi, u shqua si kuadër i aftë dhe me kapacitet në fushën e ekonomisë, e veçanërisht në atë të bujqësisë. Ai ishte ideatori dhe një nga iniciatorët e direktivës për intensifikimin e lartë të bujqësisë në vitet 1970-80 dhe ngritjen e disa ekonomive bujqësore si flamurtare dhe shkolla të rendimenteve të larta në bujqësi e blegtori. Në mbledhjet e Byrosë Politike kur analizoheshin probleme të bujqësisë, Enver Hoxha para mbledhjes pyeste:-“A ka ardhur Miti Bozo”? Pra, dhe Enveri vlerësonte kapacitetin dhe mendimin e përparuar të tij.
Ja si shkruan në kujtimet e tij Xhorxhi Robo, shoku dhe miku më i afërt i tij që nga fëmijëria, nga lufta dhe jeta pas çlirimit:-“Miti Bozo ishte një shokë që rrallë ke fatin ta ndeshësh në jetë. Ai ishte trim e i guximshëm, ( lufta i nxori në pah këto cilësi të tij ). Ishte i ndershëm dhe shumë i drejtë dhe mund të them me plot gojën, që ishte një ekonomist, veçanërisht për bujqësinë i përmasave kombëtare”. Në një delegacion shtetëror që shkoi në Francë i drejtuar nga Ministrja e Bujqësisë Themije Thomai në vitin 1982, ishte në përbërje dhe Miti Bozo. Që në ditët e para të punës së delegacionit në Paris, ai në mënyrë të papritur ndahet nga jeta nga një trombozë akute në tru, në një moshë relativisht të re. Për këta djem myzeqarë me ideale të larta patriotike, Lushnja dhe Myzeqeja kanë qenë dhe mbeten krenar për luftën dhe kontributin e tyre.

Sigal