Unë mbaj mend shtëpi( disa)
Një, dy dhoma e kuzhinë
Me familje të mëdha
Kudo ndjeje dashurinë!
Tani shoh shtëpi gjigante
Me lulishte e pishinë
Me familje më të vogla
Që s’e njohin dashurinë!
Unë mbaj mend një palë sandale
Që i blinim në 1 Maj
Në asfalt, në fusha, male
Ato kishim “laj e thaj”.
Tani i kemi sipas ngjyrës
Disa mbeten kot në raft
Shihni rrudhat e fytyrës
Dhe i thoni vetes ” mjaft”.
Unë jam rritur në kohë tjetër
Bukë në dorë, a ka më bukur?
Edhe ëndrrat kishin metër
Ndaj dhe ishim më të lumtur.
Tani ku nuk na shkel këmba
Djersa kurrë nuk bëhet det.
Mos i ndiqni njëmijë ëndrra
Sepse nuk mjafton një jetë!




















