Ndoshta qaj për ty, mbështetur në ndonjë mur
Ndoshta pi aq shumë, sa këmbët s’do më mbajnë
Lotët e mi e dashur, s’do t’i shohësh kurrë
Të rrosh m’ atë mendimin ‘’burrat jo nuk qajnë’’.
Ndoshta dhe përballemi diku në këtë botë
Mos prit që të gëzohem që erdhe e më gjete
Dhe prap lotët e mi ti s’do t’i shohësh dot
…, se burrat qajnë më vete !
Do të them që jam i lumtur, i qeshur në çdo çast
Do t’flas për jetën time ashtu në maja-maja
E mijëra herë të tjera të gjendeshin si ky rast
Me zor do të buzëqeshja e lotët do i mbaja !
I fundit akt
…..
Thashë të shkruaj për sytë e tu
Nga partitura, të fundin akt.
Asgjë nuk pipëtin këtu
…, unë përballë muzgut të flaktë!
Tek tuk dëgjoj zogjsh cicërima
Asnjë makinë nuk shkon këtej
Gënjehet shpirti me çikërrima?
E unë mundohem ta gënjej!
Janë disa orë aq monotone
Sa përmbi letër prehet një muzë.
Sytë i vijnë rrotull kësaj dhome
Shpirt jep lapsi, aty mbi buzë!
S’ munda të shkruaj për sytë e tu
Ndoshta mbyll nesër të fundin akt.
Nuk pres që ti të vish këtu
Pres…, të iki unë në fakt!




















