Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Varrezat e fjalëve

35
Sigal

Si vetë njerëzit, edhe fjalët e një jete,

shpesh varrosen, kur janë të kota.

Sa ka tretur dheu, kufoma e skelete,

aq herë më tepër fjalë, ka varrosur koha.

Por ndryshe tek ne, nga varret e vjetër,

nxirren kufoma fjalësh, për në media,

plus mençuri të reja, në internet e letër,

ka sa të mbulohen malet me gazeta!…

Ka disa njerëz, që kot lodhin trurin,

duke dërdëllitur fjalë pa asnjë interes,

sa të dhëmb koka, e me to të sëmurin,

me halle partie, që herët në mëngjes.

Teksa ti, i lodhur, më tej nuk i dëgjon

dhe fjalët rrjedhin, si një strehë hauri,

që kullojnë e bien poshtë, deri vonë,

nëpër varre fjalësh, pa dy koka guri…

Ruhen të balsamosura, fjalët e të parëve,

mençuritë e prijësve, të mbarë njerëzimit,

thëniet e shkencëtarëve e shkrimtarëve,

që mbjellin farën e zgjedhur të mendimit.

Jetojnë fjalët e arta, të sovranit popull,

me vërtetësinë dhe urtësinë tradicionale,

me dialektet, nga Vermoshi në Dropull,

ku shkruhen faqet e historisë kombëtare.