Suplementi Pena Shqiptare/ Bledar Koçi: E gjelbër…

Arrabullën e mbyti pranvera – më thanë.

S’e di në më ruajti dy kërcej hollacakë t’i bëj pilipizgë e të zgjoj fëmijërinë fjetur afshit të njomë.

NOA

Dikur nëpër mëngjese thërrisnim diejt me to.

Po, po!

Hipur mbi një lis kryeneç që hidhej drejt qiellit.

 

E mbyti pranvera Arrabullën.

Firomën e fundit ia treti të gjelbrës së saj.

Të gjelbër zogjtë borakë, atje së tejmi.

E gjelbër dhe një fúgë që shkiste dhe humbte magjishëm.

Të gjelbër gurët… Të gjelbra dhe puthjet e mallit mbi ta.

 

E mbyti Arrabullën pranvera.

S’e di në më ruajti dy kërcej hollacakë t’i bëj pilipizgë.

Të zgjoj këngën e diellit!