Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Një grua me fëmijë në krah…

471
Sigal

Ajo erdhi dhe iku. Iku me një djalë të vogël kërthi që nuk i kishte mbushur ende dy vjet. Thuajse fluturoi. Por një gjë e mësuam : ajo foshnje nuk qe e saj. E kishte adoptuar…
Sa herë vinte Krishtlindja ne mblidheshim sëbashku. Ajo me të shoqin dhe ne të tjerët, unë me gruan dhe fëmijët tanë. Veç ta shihje si tërbohej ajo pas fëmijëve të mij. I donte sikur t’i kishte të vetët. Ndoshta ngaqë nuk e kishte provuar ndjenjën e mëmësisë. Ndoshta ngaqë e dinte se nuk do ta provonte kurrë… Edhe i shoqi po ashtu. Por ai qe më i përmbajtur. Nuk e jepte veten. Dukej se për të nuk ishte ndonjë fatkeqësi e madhe që nuk ishte bërë baba e që ndoshta mund të mos bëhej kurrë. Pastaj në jetën e tyre erdhi ky djalë i vogël. I adoptuari. Që dukej i zbehtë në fytyrë, me një lëkurë si prej limoni, a thua se nuk e kishte pirë qoftë edhe një gllënkë qumësht prej sisës së të ëmës… Po cila qe mëma? Ku ishte mëma ? Ajo që vërtet e kishte mbajtur në bark për nëntë muaj. Ne këtë nuk e mësuam kurrë. As nuk pyetëm dhe ,ca më tepër ,ajo na dha të kuptonim se ne nuk duhej ta bënim atë pyetje. Ishte kaq prekëse ta shihje atë grua të rrinte me netë të tëra pa gjumë për atë fëmijë shëndetlig. Por ishte po ashtu e çuditshme kur ajo pothuaj e harroi se ai djalë kishte patur një nënë që e kishte lindur diku, dikur… Dhe, edhe më e pabesueshme ishte se si ajo grua, çdo ditë që kalonte po shfaqej sikur të qe ajo nena e vërtetë, ajo që kishte kishte ndjerë shqelmat kur e kishte pasur atë foshnje në bark… Po të shihje fytyrën e asaj gruaje i dalloje krejt lehtësisht vragat e moshës dhe kushdo e merrte vesh se ajo edhe sikur të qe e aftë të bëhej mëmë, nuk e kishte moshën për të lindur fëmijë. Se Zoti e ka shkruar një kalendar në kockat e gruas kur lulëzojnë lulet, kur lidhet fruti dhe,kur më në fund, bien gjethet në vjeshtën e saj… Ajo nuk donte t’ia dinte për këtë kalendar, thosha unë me veten time. Ajo që bëre MËMË. Dhe e kishte pushtuar Botën me atë djalë kërthi… Nga të gjitha pushtimet, unë e besoja se ky qe pushtimi më fatlum për të cilin bota kishte nevojë. Sepse Bota po bëhej shkretëtirë në sytë tanë. Në qytetin tim kishte kohë që nuk dëgjohej një e qarë fëmije… Sepse ata që mund të mbushnin djepet me fëmijë iknin nga sytë këmbët. Ata nuk kishin bukë për të ngrënë në tryezë e si mund t’u shkonte mendja të kishin edhe fëmijë ?! Ata kishin frikë nga gjithshka. Nga stuhitë, nga përmbytjet, nga fëmijët… Lëngu i burrave kishte ngrirë bashkë me vezët e grave… Dhe kjo ishte sikur të kishte rënë një bombë atomike e padukshme në qytet , një bombë që, larg qoftë o Zot i madh, po shuante farën e qytetit… Ndonjë herë, mbrëmjeve, i thosha vetes se gruaja me foshnjën kërthi e shpëtoi botën tonë qëkurse e adoptoi këtë djalë fatkeq. Shpëtoi edhe veten se e largoi vdekjen nga vetja. Të rrisësh një fëmijë është si të bësh një dyluftim me vdekjen tënde dhe, në më të shumtën e rasteve ta fitosh.. Por, kishte edhe çaste kur mendoja se , kur të rritej ai djalë, mëma që e rriti duhej t’ia tregonte se kush ia kishte bërë realisht kokën.
Pastaj prap ndjehesha ligsht. E kush isha unë që duhej t’i mësoja gruas me foshnjën kërthi se çfar duhej të bënte? Unë thjesht isha një komshi i saj, asgjë më shumë. Në fund të fundit, ajo i doli për zot një kërthiu që nuk dihej se si do t’i shkonte fati, pasi e braktisën ata qe i bënë kokën…Në fund të fundit, ajo e shpëtoi botën sepse i dha frymë një fëmije , jo unë që ,ndoshta, po më pështjellohej koka nga nuk e di se çfarë…
Ajo erdhi dhe iku. Iku me një djalë kërthi që ende nuk i kishte mbushur dy vjet.
Kur iku më përshëndeti me dorë dhe më tha:

– Mirë mbetsh! Zoti të bekoftë ty dhe fëmijët !

Dhe unë, nuk e di se si m’u dha dhe krejt qetësisht iu gjegja:

– Zoti të bekoftë edhe ty. Ti je MËMA më e mirë në BOTË!

Qeshi. I ndrinë sytë si dy yje të zjarrtë në atë muzg dimri . E ndoqa me sy një copë here si çapitej nëpër udhëzën me borë…

E shihja tek mbante të voglin në krah dhe e ndjeva që ajo grua që shpëtoi qytetin, më theu një qelq që e mbaja kot së koti diku në një skutë të vetes sime. Ndoshta qenë copat e thyera të egos sime…Për herë të parë në jetë pashë një grua që më shpetoi edhe mua në këtë Botë…Një grua që erdhi dhe iku me një fëmi në krah…