Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Dedja: Arti i të lexuarit –

322
Sigal

 

(Shkëputur nga libri “Psikologjia në fokus”)

Ndonjërit mund t’i duket pak si e çuditshme që ta quash leximin art. Dhe vërtetë, rrallëkush e përdor këtë shprehje, pa folur për disa që edhe mund të mos jenë dakord me këtë mendim. Këtu ne nuk bisedojmë për deklarimin artistik të aktorit në skenë apo në ekran. Fjala është gjetiu, për të lexuarit e të gjithë njerëzve, të cilin, zakonisht, e quajnë shprehi. Kjo është një dukuri psikologjike e veprimtarisë së njeriut që nis të krijohet, normalisht, kur fëmija hyn në shkollë dhe që zhvillohet dhe përsoset gjatë jetës.  Praktika dhe të ushtruarit e bëjnë këtë shprehi që të arrijë në shkallë shumë të larta të zhvillimit, aq sa mund të bëhet fjalë edhe për artin e të lexuarit të njeriut të zakonshëm. Kështu, ngandonjëherë flitet për njerëz, të cilët kanë arritur të lexojnë gjer në pesëqind faqe në ditë; të lexojnë jo fjalë për fjalë e rresht për rresht, por, si të thuash, diagonal dhe ta kuptojnë shumë mire përmbajtjen e librit. Është folur përsëri, gati si në legjendë, për njerëz që lexojnë aktivisht dhe në të njëjtën kohë kryejnë paralelisht, me vëmëndje dhe pa gabuar edhe dy punë të tjera: p.sh. të bisedojnë me njerëzit që kanë pranë dhe të hanë drekën ose darkën me shije.  Jo, kjo nuk është më ajo shprehja e thjeshtë si komponent psikologjik i automatizuar, por është arti i të lexuarit tek njeriu i kulturuar.

A ka “sekretet” e veta përvetësimi i këtij arti? A mund të flasim për një “ABC” të këtij arti?

Psikologët dhe shkencëtarët që merren me studimin e dukurive psikike, siç janë edhe shprehitë e të lexuarit, i ka tërhequr gjithnjë ky problem në moshat e vogla dhe veçanërisht, në moshën e adoleshencës. Ka prej tyre që shprehin pakënaqësi për përmbajtjen dhe mënyrën e të lexuarit të veprave letrare nga ana e adoleshentëve. Sigurisht, mosha vë vulën e vet në mënyrën, në interesat dhe në zgjedhjen e librave për lexim. Por kjo nuk shfaqet tek çdo fëmijë njëlloj. Në përgjithësi, tek fëmijët tanë ne vëmë re një “uri” të madhe për të lexuar, interesa të gjëra për literaturë të të gjitha llojeve, duke filluar që nga ajo politike dhe shkencore dhe gjer tek letërsia artistike.

Po si ecën puna me të lexuarit e veprave letrare?

Ka prindër dhe mësues që ankohen. Ata thonë se mjaft fëmijë të kësaj moshe lexojnë me “kapërcime” dhe të krijojnë përshtypjen se librin e mbarojnë shumë shpejt. Pastaj mund ta marrin përsëri në dorë të njëjtin roman dhe fillojnë ta lexojnë për së dyti, për së treti, etj. Ka dhe ankesa se në këtë moshë nuk para lexohet poezia. Tërheq si magnet vetëm proza e gjatë.

Këtu duhet të ndalemi. Ne dëshirojmë që çdo lexues ta përvetësojë artin e kësaj veprimtarie që është aq e domosdoshme për ta ngritur njeriun në shkallët më të larta të dijes. Nuk duhet asnjëherë të harrojmë se leximi i veprave letrare nuk është “një kohë e humbur”, siç mendon ndonjë prind, ose ndonjë adoleshent. Edhe letërsia artistike, edhe romani, novela, tregimi, poema, vjersha e përralla të japin shumë dije. Madje, unë do të thoja se nuk japin asnjë gram më pak dije se sa veprat shkencore ose tekstet shkollore. Por që t’i përfitosh këto dije duhet të njohësh “sekretet” e artit të të lexuarit dhe t’i bësh ato një natyrë të dytë të vetes. T’u shpallim luftë “kapërcimeve” në lexim, që janë ngandonjëherë karakteristike për këtë moshë! Ç’do të thotë kjo? Të sulmosh, si të thuash, vijën e parë të frontit në këtë luftë. Vepra letrare e çdo gjinie qoftë, ka shumë përshkrime në formën e portreteve të personazheve, të peisazheve, të ndërhyrjeve të autorit për të hyrë thellë në botën e brëndshme të sejcilit prej tyre, të ideve të tyre, të idealeve, të halleve, etj. Këtu fillojnë dhe “kapërcimet”. Mjaft lexues në këtë moshë rrëmbehen vetëm pas ngjarjes, asaj që quhet fabula e romanit, e tregimit apo e poemës; shpejtojnë të arrijnë sa më shpejt në fund të librit nga kureshtja për të marrë vesh sa më parë se si përfundon historia e këtyre personazheve. Sigurisht, kureshtja është një veti e mrekullueshme, por të kapërcesh përshkrimet për të mbërritur “me vrap” në fund të librit është një humbje e madhe. Kjo humbje mua më ngjet me krahasimin që bënte njëherë një pedagog i shquar: një lexues i tillë i ngjet karrocierit, i cili niset me karrocën plot të ngarkuar, u grah kuajve sa mundet dhe kur arrin në vëndin e duhur, shikon se pothuaj pjesën më të madhe të ngarkesës e ka rrëzuar rrugës nga pakujdesia. Ngjarja e romanit dhe e çdo vepre letrare ka bukurinë e vet, por ajo është pak, në krahasim me vlerat e tjera shumë të rëndësishme që ngrenë lart kulturën e njeriut. Libri letrar është një minierë, në të cilën sa më thellë të futesh, aq më shumë thesare mendore zbulon. Hyn p.sh. në bibliotekë dhe i sheh librat e heshtur të radhitur: romane, vëllime me tregime, me vjersha. Mos mendo kurrë që t’i vështrosh këto libra si një rreshtim të thjeshtë vëllimesh, por përpiqu të shohësh më thellë me sytë e mendjes dhe të fantazisë se në këto rreshta është historia e përshkruar artistikisht, është bota e njerëzve, lufta e tyre për një jetë më të mirë e gdhendur me art nga penda e shkrimtarëve; aty është kimia dhe biologjia çudibërëse, aty është rruga për të hyrë në të fshehtat e matematikës. Rreshtat e librave janë një galeri e mrekullueshme dhe e pafundme artesh figurative me pejsazhe, portrete, kompozicione, komplekse skulpturore, të cilat shkrimtari nuk i ka dhënë me penel ose me daltë, por me bukurinë magjike të fjalëve.

Dhe që këtu nis e mendo për artin e të lexuarit!

ABC-ja e tij fillon me durimin për ta lexuar veprën letrare fjalë për fjalë e rresht për rresht. Në fillim nuk ka rëndësi që kjo punë mund të ecë edhe ngadalë. S’ka gjë! Rëndësi ka që t’i nxjerrësh tabanin minierës së veprës letrare me kujdes e vëmëndje, duke mbajtur shënime, duke nënvizuar copëzat më të bukura, idetë, portretet, pejsazhet e çdo mendim të artë të autorit, pasi vetëm kështu, shkallë-shkallë do të arrish te rekordet e larta të sasisë së faqeve që mund të lexosh në ditë. Arti i të lexuarit të veprës letrare, pra lidhet edhe me mbajtjen e shënimeve, me atë që disa e quajnë ditar ose fletore të librave të lexuar. Te këto shënime do të kthehesh shpesh, do t’i rilexosh, do t’i kujtosh, sepse ato përfaqësojnë një pjesë të madhe të pasurisë së mëndjes; ato zhvillojnë fantazinë, edukojnë të menduarit shkencor e artistik, e bëjnë të folurin tënd, siç thotë populli, si ligjërimin e bilbilit. Dhe kjo nuk arrihet duke lexuar vetëm romane, novela e vepra të tjera të gjata në prozë. Kjo arrihet duke formuar me vullnet edhe dashurinë për poezinë, duke lexuar në mos çdo ditë, por patjetër çdo javë edhe qindra vargje të këtij lloji, që pa frikë mund t’i quanim muzikën e letërsisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi nuk duhet të harrojmë edhe një kërkesë tjetër. Letërsi artistike duhet të lexojmë çdo ditë, qoftë sikur të na teprojë edhe gjysmë ore, qoftë edhe duke mos humbur kohë për të parë p.sh. pesë herë një film, siç ndodh me disa, ose duke humbur më shumë se ç’duhet orë përpara ekranit të televizorit. Nuk bëjmë gabim, po të themi se humbja e kohës së shumtë për televizorin e dembelos lexuesin dhe e pengon përvetësimin e atij që ne e quajmë art i të lexuarit dhe që duhet të kthehet në një veti të karakterit të njeriut të kulturuar.

1983