Shpendi Topollaj: “Trëndafili i Ballkanit” i Nadire Buzos, roman apo Enciklopedi për gollobordën

312
Sigal

Nja tri a katër herë kisha kaluar andej nga zona e Gollobordës, kur përshkoja rrugën Peshkopi – Librazhd, nga ku merrja trenin për në Pogradec për të shkuar tek e fejuara ime. Madje, më vonë aty nga viti 1992, kisha qëndruar për një drekë në Trebisht, ku me disa shokë si Bashkim Kopliku, Safet Zhulali, Shkëlqim Hoxha, Mirush Mati, Genc Bardhulla, vëllai im Spartaku e ndonjë tjetër që përfaqësonin krahun demokrat, na kishin shtruar një drekë, ku pashë se sa mikpritës  dhe të çiltër ishin ata njerëz që ndërtonin në çdo anë të vendit dhe vetë kishin probleme jo të pakta ekonomike. Takova aty një burrë të heshtur që kishte ardhur për të na nderuar edhe pse djalin e tij vet` i dytë para pak ditësh i kishte vrarë ariu. Ai kuptohej që nuk e jepte veten dhe nuk e shfaqte dhimbjen që ndiente për këtë humbje të madhe. Nuk donte të ndikonte me hallin e tij te gëzimi që na kishte pushtuar si pasojë e përmbysjes së sistemit komunist. Natyra e atij vendi qe mjaft e bukur, por një tis gri i shtëpive të vjetra sepse të ngjallte trishtim. Në Tiranë dhe kudo që kam shërbyer si oficer, kam njohur shumë nga ajo anë. Në ndërtimin e pallateve, para viteve gjashtëdhjetë kishte shumë nga ata, disa edhe morën shtëpi pranë nesh. Edhe sot e ruaj miqësinë me Vahidin që aq bukur luante futboll kur ishim të vegjël. Kam pasur plot prej tyre ushtarë. Më merr malli për ta dhe shpesh them: Pse s`bëhesh i gjallë o Fido Ibushi? Te të gjithë mund të dalloje se kishin një emërues të përbashkët; ishin shumë të thjeshtë e të padjallëzuar dhe kurrë nuk ja përtonin punës. Edhe sportistë mjaft të mirë kishte ajo krahinë. Nuk mund t`i harroj kurrë Rahim Ramën dhe Haxhi Ramën, mundësat e shquar të “Partizanit” që aq shumë i donte trajneri ynë legjendar Ali Kastrati. Mirëpo, për të qënë i vërtetë më duhet të pohoj, se thuajse kaq dija për atë vend. Por ndodhi që rastësisht, kur shkrimtarja Flutura Açka më ftoi këtu në Durrës për një kafe, ku ishte dhe Ilia Milloshi me gruan e tij Gjinovefa, mjeke, u njoha me shoqen e saj Nadire Buzo (Nura). Teksa ne bisedonim për letërsinë, kjo thuajse nuk fliste fare, veç qeshte ëmbël. Vetëm kur biseda u vërtit te një shkrimi im për Kadarenë dhe idhullin e tij Lasgushin, ajo u gjallërua dhe nisi të fliste me pasion. Mësova se ajo e njihte mirë Lasgushin, pasi kishte jetuar gjatë në Pogradec. Duke u treguar më i vëmendshëm ndaj saj, mësova nga Flutura se ajo ishte një grua që ishte marrë gjatë me kulturën, deri në Bibliotekën Kombëtare, kishte botuar shumë shkrime kritike, libra dhe kishte realizuar dhjetra filma dokumentarë, sidomos kushtuar figurave që ja lartësojnë emrin vendit tonë. Pra, një grua tepër e suksesshme, por që për turpin tim, nuk e kisha fiksuar në mendje ndonjëherë. Me atë thjeshtësinë tipike të vendit prej nga vinte, ajo, kur u ndamë, nxori nga çanta një roman, shënoi shpejt e shpejt diçka si kushtim dhe me modesti dhe zë të ulët, ma zgjati, duke më thënë afërsisht se po të kisha kohë, ta lexoja. Romani ishte me mbi 400 faqe dhe titullohej “Trëndafili i Ballkanit”. Emri ishte disi ekzotik dhe mendova se do të ishte ndonjë histori e rëndomtë dashurie, me lumturinë që vjen pas përpjekjeve të dy të rinjve, pra me gëzimet, por edhe me dramat e zhgënjimet që zakonisht ajo mban në vetvete. Por isha gabuar. Qysh në fillim u befasova kur pashë se ajo e tejkalonte ku e ku pashikimin tim. Isha para një enciklopedie të mirëfilltë që sikurse shprehet vetë autorja në pasthënien e saj ishte “…shkruar mbi ngjarje dhe histori të vërteta, të një fisi, një fshati, dhe një krahine të shquar me histori dhe kulturë të madhe”. E gjithë kjo, na është dhënë pas një alternimi harmonik midis historikes dhe artistikes. Dhe që mund ta bëjë me një durim të pazakontë, kjo autore që e njeh aq mirë letërsinë, pasi ka qenë e rrethuar nga librat qysh e vogël dhe ka kryer studimet e larta në këtë degë. Ngjarjet marrin udhë qysh nga kohë shumë të vjetra, të cilat Prijësi Skënderbe, që ajo e quan Strategu, pas çdo luftimi, kur uleshin për t`u shlodhur, u rrëfente ushtarëve, për njerëz, prejardhjen ilire të tyre, vende, bëma, legjenda, luftra, e deri toponime. Dhe ato vazhdojnë me përpjekje të pareshtura për jetesë, mbrojtja trimërore nga sulmet e armiqve grabitqarë, intrigat e ndërkombëtarëve për copëtimin e Shqipërisë, krenaria e të qënit shqiptar, kundërvënia dinjitoze deri në sakrifikim ndaj hilerave të pushtuesve sllavë, mirëkuptimi ndërfetar deri dhe lidhja e krushqive mes tyre, përhapja e arsimit dhe sakrificat për ngritjen e shkollave shqipe, puna raskapitëse në vende të huaja, pritjet e gjata të grave për kthimin e burrave që i merrtte malli edhe për frutat e saj dardhës në oborr, hakmarrjet, dhënia dhe mbajtja e besës, bujaria, miqësitë, nderi, dashuritë, përballimi burrëror i fatkeqsive, respekti dhe dëshira për mirëkuptim me banorët e vendeve të huaja. Dhe përsëri, Nadirja nuk ndalet këtu; ajo zbërthen gjendjet shpirtërore të personazheve të pafund, emocionet e tyre, preferencat politike, ngritjen në këmbë sa herë atdheu ishte në rrezik, kontributet për shpalljen e pavarësisë, anët ku ata u rreshtuan gjatë viteve të gjata të luftës nacional – çlirimtare, fatet e mëtejshme të tyre; ku studiuan, ku punuan dhe ku përfunduan. Pasi ajo vetë, duke qenë një përkrahëse e bindur e demokracisë, në stigmatën e saj nuk i lë jashtë vëmendjes krimet e komunizmit që shkatërroi jetë njerëzish e familjesh nga ato që rridhnin nga prindër, gjyshër e stërgjyshër fisnikë. Nuk le pa trajtuar krimet e vandalëve serbë në Kosovë, ku edhe i kthehet konstatimit të Leon Trockit që shkruante se fshatrat shqiptare ishin kthyer në grumbuj zjarri. Ajo i ndjek hap pas hapi personazhet e saj edhe në ditët e sotme. Nuk është lodhur së kërkuari, dhe u gëzohet sukseseve që kanë arritur. I përgëzon studentët e vendit të saj që me zellin e tyre e nderojnë Shqipërinë atje ku janë shkolluar dhe duke u bërë intelektualë të mirë punojnë e jetojnë, pa harruar prej nga erdhën. Këtij libri ja shton vlerat edhe njohja dhe përshkrimi me imtësi i terrenit, maleve, kodrave, pyjeve, livadheve, lumenjve e përrenjve. Ajo u kushton faqe të tëra, zakoneve, veshjeve që si një pasuri e çmuar, ndryshojnë nga fshati në fshat, ritualeve të dasmave, folklorit, madje edhe këngëve, shpesh dy gjuhëshe, e gjithsesi edhe epike, gjë që tregon se ajo nuk ka asnjë paragjykim për popujt e tjerë. Veç nuk mund të heshtë kur sheh se si rrjedhojë e qëndrimit apatik të politikës tonë, qeveritë e Ish Maqedonisë dhe ata të Bullgarisë, duke shfrytëzuar të folurën (e shpjeguar shkencërisht) në dy gjuhë, si dhe nevojat ekonomike nga mos interesimi i pushtetarëve tanë, përpiqen me djallëzi të përfitojnë duke i rregjistruar si pakica kombëtare. Se është ashtu sikurse thotë Ramazan Hoxha se “Ne, gollobordasit e shpërngulur, në të katër anët e Shqipërisë, megjithëse sot, nuk banojmë në Gollobordë, një pjesë të saj e kemi gjithmonë me vete dhe ëndrrat i shohim në trojet dhe shtëpitë tona që kemi lënë atje, sepse Gollobordën e kemi në zemër, në shpirt e në mendje”. Kjo ndjenjë përftohet nga kushdo që lexon enciklopedinë e kësaj autoreve vullnet e dashuri shumë. Të gjithë e dinë se edhe për një libër të thjeshtë nuk është aspak i kollajtë shkrimi i tij. Mendoni pastaj se me ç`vështirësi është ndeshur kjo autore, kur merret me jetën e qindra personazheve apo historinë e një krahine me shtrirje aq të gjerë në kohë dhe hapësirë. Ajo vetë, edhe pse është e kursyer në citime, i referohet Ernest Heminguejit (Ernest Hemingway) amerikani i brezit të humbur që i dha vlerë forcës morale të njeriut, i cili thosh “Se të shkruash një libër është gjë e lehtë, gjithçka të duhet është një makinë shkrimi dhe të pikosh gjak”. Por ajo e ka pranuar sfidën, pasi sikurse thotë: “Për këtë më ndihmoi energjia e kulluar e imagjinatës, që unë t`i mbështillja të vërtetat e mëdha në një memorial të forcës, dhimbjes dhe ëmbëlsisë së jetës. Energjia vjen si një fllad i gjallë, që buron nga Stebleva ime nga e përditshmja, nga dashuria dhe fëmijëria”. Të gjithë këtë mund ta bëjë një shkrimtare e rrallë, sikurse e thotë emri i saj në arabisht. Ose më drejtë, sinonimi saj Zenit, pra pika më e lartë që arrin dielli në kupën qiellore (gjë që ajo e ka arritur me këtë libër prestigjioz), dhe që mua më bëri me turp para banorëve të asaj krahine, për të cilën dija aq pak, por që tani m`u shtua së tepërmi nderimi për të.