Suplementi Pena Shqiptare/ Bedri Çoku: Vdekja e Dallëndyshes së “Burrelit…”

414
Sigal

 Dita më e gëzuar për të burgosurit politikë të burgut të Burrelit, në diktaturën komuniste, ishte  njëra nga ditët e marsit, kur në qelinë e tyre, papritur, hynin cicërimat e dallëndysheve të para …Bashkë me to edhe  aroma e pranverës, vrulli i jetës së lirë, lutjet i fuqisë hyjnore, pse jo dhe ndijesitë e dashurisë njerëzore. E ndërtonin folenë brenda në qeli dhe çfarë tjetër më e gëzueshme e argëtuese do të ishte  për ata, që vite e vite përjetonin vetëm këto emocione, mes katër mureve të qelisë. Vizita e papritur e dallëndysheve ishte ndryshe, nga qeniet e tjera, që i përçmonin në atë vend të mallkuar. Me ardhjen e tyre, të burgosurit politikë, uronin me gjithë shpirt njeri-tjetrin:“Qoftë viti i lirisë e i çlirimit të Shqipërisë! ”As festat e Bajramit, të Pashkëve apo e Pavarësisë nuk sillnin atë gëzim e shpresë për të burgosurit që treteshin në burg, për liri e demokraci, siç ua sillte pranvera e dallëndysheve. Në qelitë e tyre rifillonte jeta, ëndrra për të ardhmen, ngase, të ngeshëm deri në çmenduri, mbështetur në kurriz, ata vrojtonin me orë të tëra, çiftet, që ndërtonin çerdhen e bukur të familjes së ardhshme ndërrimet e prindërve, kur zëvendësonin njeri – tjetrin, për të ngrohur vezët, pastaj, për t’i ushqyer të vegjëlit, apo kur vigjëlonin për të mbrojtur shtëpizën dhe pasardhësit e tyre. Aty grindeshin, aty pajtoheshin, për të ushqyer fëmijët, që cicërinin për të ngrënë …Kjo ishte gjithçka që u mungonte aq shume të dënuarve, të izoluar, nën tavanin e betonuar ushtarakisht: familja, fëmija, puna dhe sakrifica për të ndërtuar të ardhmen e tyre Dhe ja, fatkeqësisht, një ditë teksa të dënuarit ktheheshin nga orari i ajërimit, në krevatin e njërit prej tyre kishte rënë “i vogëli” i folesë. “Oh, ç’fatkeqësi!”Askush s’kishte mundësi ta rikthente në folenë e vet. Tavani ishte shumë i lartë. Prindërit e tij përplasnin krahët sipër kokave të njerëzve, por pa mundur të realizonin gjë. Mjerisht, “i vogëli ” do të jetonte, tash e tutje, me  të dënuarit nga diktatura komuniste, i burgosur si ata, i mbyllur mes katër mureve, deri sa të rritej, nëse arrinte t’i shpëtonte syrit vigjëlent të policëve të shërbimit të brendshëm, e të fluturonte përmatanë këtij Ferri dantesk. Por, jo! Më i moshuari, njeriu më autoritar i dhomës, Dom Nikoll Mazreku, iu drejtua bashkëvuajtësve: Të nderuar, me bekimin e Shën Marisë, zogthin e vogël do ta quajmë “Princi i Lirisë“, me status:“I PAVDEKSHËM ”, i cili do të jetojë e do të rritet për të fluturuar, si gjithë të  tjerët, i lirë, në qiellin e pamatë, edhe pse një dorë e padukshme e hodhi këtu, midis nesh! Ata e duartroitën Dom Nikollën e famshëm, njeriu me katër diploma, i cili vuante, prej shumë vite në këtë  burg  të zi. Në këtë rast, shtoi ai, do t’u kërkojmë ndihmë edhe të burgosurve nëpër qelitë e tjera, pa dallim feje, krahine dhe ideje, të jenë solidar me qëllimin tonë të shënjtë e fisnik: Për të shpëtuar “Princin e Lirisë”! Duhet të grumbullojnë, sa të munden, edhe ata, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë miza, insekte dhe çdo gjë tjetër, që është e dobishme për fatkeqin tonë të vogël!.. Pavarësisht si erdhi në dorën tonë, ogur i mirë, apo  i keq! Ama, këto detyra të jenë të patolerueshme!

“Vdekja e tradhtarëve, liria e shqiptarëve! ”

Thirrën të gjithë një zë. Ai  u mësua shpejt, me të gjithë, ushqehej nga të gjithë, hante me të gjithë, flinte me të gjithë dhe, rritej për ditë midis tyre. Edhe në ajërosje atë e merrnin fsheurazi me vete. E bënin me radhë. Ai ishte jeta dhe dinjiteti i tyre. Kur erdhi dita e fluturimit, për herë të parë, të burgosurit lotuan nga gëzimi, ama, edhe u trishtuan: Princi i Lirisë s’do të ishte më midis tyre, ai s’do të ishte më problemi dhe argëtimi i tyre. “Besa – besë, nuk do ta harronin kurrë”! Sa herë dilnin në ajërim sytë i drejtonin nga qielli, mos vallë e shikonin në fluturim, të lirë, së bashku me lirinë e tyre, të  gëzuar, së bashku me gëzimin e tyre, të trishtuar, së bashku me trishtimin e tyre. Ai do të kalonte male, fusha, dete dhe oqeane. “Do të shkonte, me siguri, në Amerikë, në Shtëpinë e Bardhë ku do të fliste me Presidentin, me njerëzit e lirë të Botës demokratike dhe, do t’u tregonte atyre, për shqiptarët që po vuanin me dekada, për liri e demokraci, nga diktatura e regjimit komunist. Por jo! Për ccudinë e të gjithëve, Princi, u kthye përsëri një ditë  nga “ Qielli i Lirisë”, në tokën e robëruar, duke cicërirë sipër kokës së tyre dhe, duke përplasur krahët në shënjë mirënjohje dashurie për ta… Dhe, papritur  u ul mbi supin e njërit  prej tyre. Ky, sapo dalloi verorëzen në këmbën e djathtë të dallëndyshes, që ata ia kishin vendosur, qyshse e gjetën në krevat, thirri i gwzuar: Oh, qënka Princi ynë… i Lirisë! E prekën të gjithë me dashuri dhe lot, për besnikërinë dhe mirënjohjen dhe … Kur e lëshuan, e brohoritën. Por, ai, nuk iku larg siç dëshironin ata. “Princi i Lirisë” zbriste përditë në duart e miqve të tij, për t’i gëzuar e përshwndetur dhe, ngjitej përsëri në qiellin e paanë. Këtë gjë e mësuan njerëzit e komandës, ndoshta rastësisht, nga habia e ushtarëve të rrethimit, të cilët ccuditeshin që një dallëndyshe, përditë, ulej në duart e ccdonjerit prej të burgosurve. E alarmuar, komanda e burgut nxori urdhër për dallëndyshen, që ulej përditë në duart e të burgosurve, që të gjendej mënyra për ta kapur dhe eliminuar, sepse ajo mund të ishte  stërvitur nga të burgosurit, për të bërë punën e një agjenti . Mendja djallëzore ngriti kurthin, duke mos  i nxjerrw  një ditë të burgosurit në ajërim, dhe mbushi oborrin me ushtarë, të cilët ngrinin duar lart, sicc bënin të dënuarit dhe, e realizuan aksionin. Ndërsa të burgosurit politikë, megjithatë, pritën e pritën me shpresë se një ditë “ Princi i Lirisë”, do të kthehej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikë, nga Shtëpia e Bardhë…me simbolin e Lirisë e të Demokracisë, për t’i shpëtuar shqiptarët nga thundra e diktaturës komuniste, por më kot…Një ditë, ata e njohen “PRINCIN e tyre të LIRISE”, me krahët e ngrira nderur mbi telat gjëmbacë të rrethimit, me verorëzen në këmbën e djathtë dhe derdhën lot trishtimi…