Suplementi Pena Shqiptare/  Bedri Çoku: I çmenduri

472
Sigal

…Njerëzit e shikonin që ai dilte shpesh nga lagjja e qytetit, i vetëm, duke parë prapa, para dhe anash dhe ecte tinëz…deri sa shkelte në farishten e njomë të fshatit, aty, ku aroma e barit të prerë, e misrave të kalbur nëpër ugare, e tërhiqnin si me magji për t’iu afruar gëmushave …

Aty e përpinte dheu.

Frymën e ndalte te një gazhdare ku lëvrinin me shumicë minjtë që brenin kokrra misri dhe çapëloheshin me njëri-tjetrin. Shtrihej mbi lëpushkat e thata dhe kënaqej me aromën e mykut n’atë vend të braktisur. Rrinte dhe priste me orë të tëra. Priste me padurim që rrugëve të pluhurosura të dëgjohej kuisja e qenve të lëshuar nga zinxhirët…Prej atyre kuisjeve ai do të lëshohej vrik nga vendi dhe do të vraponte duke u tundur e shkundur dhe i gëzuar kapërcente mbi hendeqe, ferra dhe driza, pa i hyrë gjemb në këmbë, pa iu përdredhur asnjë damar e, pa u rrezuar asnjëherë në tokë…

Ndalonte para qenve të fshatit, që kacafyteshin me njëri- tjetrin, për një kockë a për një buçe dhe, i kërcënonte ata të zbatonin menjëherë rregullat e vendosura nga ai vetë.

Rregulli i parë: Ata, me të parë që ai ishte aty, do të ulnin kokën e tundnin bishtin, duke i ardhur rreth e rrotull.

Rregulli i dytë…Do të fillonin t’i lëpinin këmbët e duart e tij, nëse ato ishin të shpuara apo të rrjepura nga të bredhurit.

Rregulli i tretë:.. Ai do të shtrihej midis tyre dhe ata ishin të detyruar që të dëgjonin disa minuta leksionin e radhës.

Rregulli i katërt :.. Ai do të flinte, ndërsa ata do të bridhnin nëpër fshat për të grumbulluar ushqimin për të.

Rregulli i pestë:… Do të prisnin mëngjezin, pranë tij, për të mbikëqyrur ushqimet, deri sa ai të zgjohej, pa lejuar njeri apo kafshë të afrohej.

Kjo shoqëri e çuditshme me qentë e fshatit Daullas, në rrethin e Fierit, kishte kohë që i habiste fshatarët. E shihnin njeriun e panjohur, që flinte, për shtatë palë qejfe, ndanë rrugëve, ugareve, ose ndanë gëmushave, mes trupave të ngridhur të qenëve të fshatit, por, ngaqë ai nuk fliste, nuk ngacmonte kënd, ikte nga fshati ditën dhe kthehej natën, ekzistenca e tij për banorët, që merreshin me punët e hallet e tyre të përditshme, ishte kthyer në një mospërfillje të zakonishme, siç ndodh ngahera pas një çudie, e cila nuk zgjatë më shumë se tri ditë…

Kur punëtori operativ i policisë pyeti fshatarët , mësoi se: “Njeriu që rrinte me qentë e fshatit ishte një i çmendur nga qyteti, njeri pa njeri, pa shtëpi, pa katandi !”

Ishin të habitur vetëm se si kafshët e tyre i shërbenin një të huaji, një rreckamani, që kundërmonte nga era e thartirës dhe, që kërcënonin cilitdo që do të guxonte t’i afrohej asaj fantazme…

Ndaj një ditë, teksa fëmijët shkonin në shkollë, duke kaluar pranë të çmendurit, që rrinte i tulatur mes qenve të fshatit, ata u trembën nga kërcënimi i tyre dhe u kthyen nga frika në shtëpi,. Ky qe shkaku që fshatarët për herë të pare, reaguan.

Ngjarja ndodhi fshatçe, teksa qentë po rrinin nën rrezet e diellit, përreth rreckamanit të qelbur, disa djem e burra të zgjedhur të fshatit, iu afruan kopesë me hunj e zinxhirë nëpër duar, ndërkohë i çmenduri i përkëdhelte ata me gishtat e fëlliqur, pa çarë kokën për grumbullimin e njerëzve të ndërkryer që i afroheshin për herë e më shumë. Disa thirrën qentë e tyre në emër, i ndollën sipas zakonit, por asnjëri nuk iu bind të zotit. Madje, afër fare, u habitën që pranë të çmendurit kishte shumë copa buke, mish, djathë, lëkura qengji, lëkura dhie, mace të shqyera, minj të ngordhur, si dhe rroba të vjetra të marra nëpër shtëpitë e fshatit, por që i çmenduri nuk i prekte me dorë.

Për shkak se qentë nuk iu bindën thirrjeve të zotërve, dikush hodhi një gur midis tyre. Ata prapë nuk lëvizën nga vendi, madje as kokën s’e kthyen nga erdhi guri. “I dyti” i shqetësoi paksa, por jo njeriun midis tyre… Vetëm sa skërmitën dhëmbët në drejtim të njerëzve. U egërsuan shumë pasi fshatarët, filluan t’í bombardojnë me breshëri gurësh …Por ishte e pamundur. pasi kafshët u bënë gardh përballë Fytyrë Mishnjeriut, mbuluar këmbë e kokë, me rrecka dhe vetëm vdekja mund t’i ndante prej tij. Nga ky çast fshatarët nisën luftën e vërtetë me gurë, hobe, sfurqe dhe hunj të trashë, nga të katër anët…Rrallë i takon njeriut të shohë skenë të tillë si në fshatin Daullas të Fierit, në mëngjesin e asaj dite, kur qentë e armiqësuar me të zotët e shtëpisë, bëheshin copë e çikë, për të ndaluar furinë e gurëve e të hunjve , që vërviteshin për të eliminuar njeriun e mbrojtur nga trupat e qenve të tyre. Ata kërcenin përpjetë dhe prisnin gurët dhe gjithçka, me gjoks e shputa, duke ulëritur nga dhimbjet, ndërkohë që njeriu mes tyre lëshonte lutje dhe klithma drejt qiellit .. Ai mallkonte me gjithë shpirt njerëzit që e sulmonin…

Dikur, një popël e madhe ra mbi shpatullën e tij dhe ai, si një hero, nisi të recitonte me zë të lartë :

“Po në ato llogore,

ku sulmon brigada

me pushkë, libra, kazma dhe lopata.

Atje:

me vrull e zjarr,

me ligjërime

shko dhe lufto si dje,

o kënga ime…”

Këtë potere kaq të madhe e mori vesh i tërë fshati. Ama, jo të gjithë u bashkuan atje për të luftuar me qentë e tyre. Ishin disa ata që gjuanin me gur, shanin e mallkonin, të tjerët shikonin të habitur betejën përherë më të ashpër e më të egër…

“Vjershë, o vjershë, shko si bombë.

Me tërbim,

shko përpara si flamur,

si kushtrim…!”

Thërriste “komandanti” për t’í dhënë zemër çetës së tij, që mbrohej me vetëmohim…

Zgjati kjo luftë e pashembullt, e pabarabartë… Por kulmi arriti kur një gur tinëzar, fluturoi mbi kokat e qenve dhe ra mbi shpatullën e majtë e të pambrojtur të rreckamanit, që vazhdonte recitimet dhe bisedat e tij me qiellin. Në fillim u dëgjua një klithmë e hollë, si tingull klarinete, pastaj mori trajtën e një bulurime kau, e llahtarshme, aq sa mbuloi krejt ulërimat dhe të lehurat përreth. ..

Ushtoi vetëm thirrja e fuqishme nga gurmazi i “komandantit” :

– Përpara, përpara…partizanë! T’i zhdukim njerëzit e këqij…njerëzit e pafe…Kom…

Aq tha ai dhe u shemb në tokë, duke rënkuar, si kalama…Heshtje…

Qentë e shpërndarë të trembur, një çast, por u grumbulluan përsëri rreth njeriut, i cili dergjej me rënkime që ta këpusnin shpirtin…

Një pjesë e fshatarëve u larguan të kënaqur me atë që panë e dëgjuan, ndërsa të tjerët ulën kokën të penduar pse u ndodhën në atë ngjarje të shëmtuar e të trishtuar….

(Të paktën, kështu rrëfejnë ata që jetojnë ende )

Populli thotë një shprehje: “Një budalla hedh një gur në pus, dyzet të mençur s’e nxjerrin dot !”

Me urdhër të organizatës së partisë, filluan menjëherë diskutimet në çdo brigadë të kooperativës, për ngjarjen e njeriut të çmendur në marrëdhënie me qentë dhe njerëzit e fshatit. Anëtarët e partisë, me këtë rast, u bënë promotorë të diskutimeve të zjarrta për të vjelë mendimin e popullit. Për të mësuar nëse dikush nga fshatarët dinte diçka për jetën e njeriut të çmendur ose për identitetin e tij të vërtetë, pa lënë pasdore thirrjet e tij “për të sulmuar të pafetë”, apo kuptimin e fjalëve të shqiptuara përgjysmë, që mund të shpjegoheshin me disa nënkuptime politike…

Porosia ishte : nëse ndonjë nga fshatarët dinte diçka për të çmendurin, le të pranonte, pa dorashka, edhe nëse ai kishte qenë njeri i rëndësishëm i partisë e i Luftës Nacionalçlirimtare, por i katandisur në atë derexhe, pasi partia e kishte përjashtuar nga gjiri i saj, dhe le të trajtohej ende si armik potencial i partisë e i pushtetit popullor…

Diskutimet në fillim qenë të atilla që, nuk i dhanë rëndësinë e duhur ngjarjes dhe personit në fjalë. U bënë përpjekje për ta banalizuar ngjarjen dhe personin e çmendur. Mirëpo, nuk ndodhi ashtu, sepse njerëz nga populli, që donin të nxirrnin “kunj ” me anëtarët e partisë, qëllimisht e frynë ngjarjen me komente të ndryshme, sidomos me fjalët e të çmendurit për “të pafetë”, me gjasë se kishte dashur të godiste ideologjinë e partisë dhe ateizmin e komunistëve. Ndërsa me fjalën…”kom…”, që s’arriti ta përfundonte dot, mund të jepeshin disa kuptime :“komiteti…”…”komisari..”“komploti”….“komunistët.”…“kominterni”… “kombishti” ..”kombinati” …etj. Kuptime që u hodhën poshtë nga shumica e anëtarëve të partisë, si të pavërteta e të pabazuara…Vetëm njëri nga ata, mesuesi i fshatit, tha se, nga poezitë që i çmenduri recitoi, sipas tij, ai duhet të kishte qenë një nga njerëzit e rëndësishmëm të partisë dhe luftës legjendare të partizanëve për çlirimin e vendit nga nazifashizmi…

– Jo më kot ai thirri, si në luftën partizane: “ Para partizanë…!”, e mbylli diskutimin mësuesi i kënduar.

Gjithsesi, nga mbledhja e stisur, anëtarët e partisë dolën të kënaqur. E para ngaqë, sipas tyre “uniteti i popullit rreth partisë”, nuk u dëmtua. E dyta, mbi të gjitha, nuk doli në dritë emri i vërtetë i njeriut që jetonte në shoqëri me qentë e fshatit, …Ai mbeti ashtu siç e dëshironte partia, i panjohur, i çmendur, i pavlerë, i parrezikshëm, siç e meritonin të gjithë të paaftët dhe kundërshtarët në shoqërinë komuniste, si të tillë, ata nuk ishin në gjendje të punonin e të luftonin për ndërtimin dhe mbrojtjen e socializmit ngadhnjimtarë…

* * *

… Shtrirë përtokë, i ngrahti, përpiqej të ngrihej, por s’e mbanin këmbët. I dukej sikur fryma i dilte nga kurrizi aq shumë dhimbje i shkaktonte plaga. U rrëzua përsëri në tokë. Pranë i rrinte një qen leshrazi, më i bukuri ndër të gjithë qentë e fshatit, edhe pse i lodhur, ai mezi merrte frymë nga vapa e madhe; gjuha e hollë, e kuqe i dridhej midis dhëmbëve të vegjël si sharrë, ndërsa sytë e zinj, midis ballit të hirtë, gati i perëndonin nën vetullat e trasha… I çmenduri u gëzua që pranë kishte pikërisht atë. Zgjati dorën dhe e përkëdheli. Leshraziu futi gjuhën brenda dhe përdrodhi trupin, si të ishte vajzë lozonjare.

– Flladina ! – tha ai i mallëngjyer. (U kishte vënë emra njerëzish, shokësh, miqsh qenve, ) – E pe moj, ç’na punuan besnikët e partisë? Na mbytën me gurë e fjalime të egra… Vetëm nga inati pse ne mbetëm besnikë të idealeve tona të pastra, besnikë të idealeve komuniste… Na dënuan pasi nuk pranuam rrugën e tyre të tradhtisë, siç dëshironte Mugosha e Meladini, me vdekje-pushkatim, ose për të qenë përjetësisht “të çmendur”… Unë ju mbështeta fuqimisht, atëherë, në Berat, kur godita drejtimin e partisë…E dija ku po shkonim me vijën terroriste e antikombëtare, se si do të katandiseshim po të vazhdonim strategjinë e përpiluar nga udhëheqja serbe. Ja, kështu, në gjendjen siç jemi sot… të cilën ata e arritën …Eh, sa e zgjuar, dhe trime ke qenë ti, moj Flladina!…Ua thashë sy për sy, atëherë, në Berat delegatëve : “Partinë dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare e kemi shndërruar në bandë hajdutësh dhe kriminelësh…”. A të kujtohet ?…Apo nuk e thashë kështu ? … Por ti, ama, bëre krim të pafalshëm që vrave prapa shpine Mustafa Gjinishin, burrin e mençur e të kulturuar që kishte udhëheqja dhe Shqipëria … Oh, sa më dhëmbë plaga!…Më ndihmo, të lutem të ngrihem!…Hajde, shtrëngomë!… Gjinishin tonë, moj, patriotin dhe largpamësin, që organizoi nga ana jonë, mbledhjen historike të Mukjes… Trimin, moj, që në Labinot ia plasi në fytyrë Enver Hoxhës, kur i tha se : “Kush ta ka dhënë ty të drejtën, mor maskara, të caktosh kufijtë e Shqipërisë, për të cilët ne kemi pesë vjet që po luftojmë për t’i rimarrë … Shtabi ynë i Luftës Nacionalçlirimtare nuk është më për kufijtë e vitit 1939, siç dëshiron ti dhe këshilltarët e t’u serb, por për Shqipërinë Etnike ”… Apo nuk ia tha kështu ? …

“Flladina” afroi kokën pranë fytyrës së tij dhe e lëpiu në faqe.

– Siç vranë Gjinishin pabesisht, agjentët e Titos, vranë edhe Nako Spiron, me gjasë sikur ai kishte vrarë veten …Unë bëra një poezi, atëherë, për Nakon, një elegji të bukur…E kam dashur shumë atë djalë….Ishte për t’u dashur…E donte Shqipërinë…pa diktatin e serbëve. I vetmi që m’i vlerësonte poezitë e mia.“ Janë me taban kombëtarë”, më thoshte… Ka mundësi të mos i kesh lexuar poezitë e mia. I botova me emër tjetër, Lame Kodra…Kështu njihem edhe në librat e shkollës. Tani s’janë më nëpër librat shkollor … se gjërat po shkojnë sipas interesit të atyre që bëjnë historinë… Ty, si të varrosën, me fëmijën e vogël në bark, apo e linde njëherë, pastaj të pushkatuan?…Kishte të drejtë Shote Galica kur thoshte se “plumbi me plumb, del”…Ju thashë, atëherë, në Berat, por s’më dëgjuat … Duhet të ishim bashkuar të gjithë një zëri për të dënuar praktikat kriminale që u përdorën gjatë luftës, kundra nacionalistëve, dhe partizanëve tanë që u pushkatuan me pa të drejtë, vetëm pse mendonin për një Shqipëri Etnike… Vërtet ishim komunistë, por jo antishqiptarë…Vërtet ishim miq me jugosllavët, por kurrë për të realizuar qëllimet e tyre shoviniste dhe antishqiptare…Lëre, lëre Flladina, e djallosëm qyshse “prishëm Mukjen”, u bëmë shërbëtorë të këqij të kombit tonë… Na i hodhën serbët…E ndërtuan partinë dhe luftën nacionalçlirimtare, siç deshën ata…Vranë me të pabesë njerëzit tanë më të mirë… komunistët që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike, vranë me dorën tonë intelektualët e shquar kosovarë për të pasur dorë të lirë për Kosovën…Jo se ne jemi të pafajshëm, por të paktën e kundërshtuam politikën e mbrapsht të vartësisë, servilizmit dhe interesave antikombëtare… Për ty dhe burrin tënd, ç’është e vërteta, s’é kuptoj, pse u erdhi radha për t’u dënuar me pushkatim? S’më kujtohet nëse keni qenë ndonjëherë kundra politikës jugosllave !… Apo nuk ju donte udhëheqja e Tiranës ?

Ai fliste me ndërprerje nga dhimbjet e plagës në shpinë, ndërkohë që qeni leshrazi, me një tufë leckash të kapura me dhëmbë, e tërhiqte me forcë trupin e tij. Ai bërtiste:

-Jo, jo ! Më lëndove…katile ! Lëshomë !..Oh, sa më dhëmbë plaga !…E di, të njoh… je e pamëshirshme !…Oh, sa ma ngule thikën !

E goditi me pëllëmbë në fytyrë.

Por qeni i nevrikosur, nguli thonjtë në tokë dhe e tërhoqi zvarrë….

– Ik, të them moj…Lëshomë ! E shitur…ik ! Lemë të vdes rehat…

Ata u kacafytën një copë herë me duar e thonj, deri sa kafsha e çoi të plagosurin nën hijen e një fiku të stërmadh. E la aty dhe iku. Ai dridhej dhe rënkonte nga dhimbjet. Pas pak mbylli sytë dhe u përhumb në një gjumë letargjik…

Kur erdhi ne vete, e kuptoi se gjendej i zhytur në rrecka të fëlliqura, gjithë baltë e lëtyrë gjellësh të jargavitura, u tmerrua…Por u çudit që pranë po i rrinte tani qeni kokëmadh, me sytë që i llamburitnin nga egërsia. E njohu.

– Eh, mo, Koçi Xoxe…puna jote aferim ! – i tha – Na ndrite dhe ti si proletar i vërtetë !… Ta them unë pse të pushkatuan…Mos qesh, o derdimen ? Nuk e ke kuptuar ende pse e hëngre plumbin ? Nëse jo, mësoje, o lumëzi! Ndodhi, ngaqë serbët të donin të parë ty, për të drejtuar Shqipërinë, si ortodoks i pastër e i thjeshtë që ishe. Kurse grekët futën në thes Enverin… Lufta midis Asfalisë dhe UDB-së, për ju të dy, qe e tmerrshme. Fitoi Asfalia. Po të fitonte UDB-ja, do ta hante Enveri…Epo, kështu ndodh kur shikon vetëm bythën tënde dhe punon për hesap të të tjerëve, kundra interesit të popullit tënd… Po “shkodrani”, mo, ai, katoliku, ku është. pse nuk ndodhet me ju?..E ke takuar Tukun, mo?…Atë komunistin e ndershëm që e urrente luftën e klasave… Thoshte me bindje se komunistët shqiptar luftuam për të dëbuar fashistët dhe nazistët, por jo për të vrarë e burgosur shqiptarët … Në luftë, kur përplasen dy vezë, normale, njëra thyhet, apo jo? S’ka më arsye të vriten njerëz pse nuk pëlqejnë regjimin politikë pas luftës… E kam dashur shumë shkodranin se ishte njeri i drejtë. E shtruan qëllimisht në spital, për ta mbytur më kollaj … Po “Bedriu, mo,… “… i vogël si flori”, thoshte kënga partizane për të?…. Është çmendur edhe ai si unë …Eh, sa pishman u bë ai njeri… Në fund të fundit mirë t’i bënetë… Bëri budallallëk… Ç’ishte Enveri mo, para tij? Një birbo, ja ç’ishte !….Ai s’duhet ta linte birbon e mëhallës të bënej aq i madh….E njihte me rrënjë e dhëmballë …

Mirëpo, nuk vazhdoi dot se u mek. Siç duket, ngaqë foli shumë e fuqitë iu shterën. Shkuma e bardhë i doli, ufa – ufa, nga goja. U mavijos në fytyrë… “Koçi Xoxe ” filloi ta lëpinte në faqe, në ballë e në gushë… që ta sillte në vete. Por ai u vithis përsëri në humbëtirën e lëngatës dhe të urisë, që po ia gërryente zorrët e boshatisura…

***

Pas atyre debateve që partia bëri me anëtarët e saj nëpër brigadat e kooperativës, u shtuan kureshtarët për të parë “armikun e partisë”, që, me siguri ishte duke dhënë shpirt. Disa të rinj e të reja u lemerisën kur e panë në atë gjendje, kurse disa të moshuar, sipas traditës, u përkulën me keqardhje mbi të, për t’ia shtrirë këmbët e krahët…Ia pastruan buzët, fytyrën, ndërsa nën kokë i vendosën diçka të butë që të mos vuante….Erdhën edhe disa plaka, gra, nuse të reja…Mirëpo të rejave nuk u mbajti zemra. Filluan me të qara… Gjynah!.. Po vdiste një njeri….

Por… dikush që erdhi papritur, thirri:

– Largohuni!.. Ikni që aty ! Nuk u takon juve të kujdeseni për atë njeri që nuk e meriton…Ndryshe, do të ishte midis nesh dhe do të punonte e jetonte me ne, si revolucionarë… Hajt, shporruni!

U larguan të gjithë dhe e lanë përsëri vetëm njeriun, që vazhdonte të lëngonte dhimbshëm nga plagët e trupit e të shpirtit…

Nga vinte dhe kush ishte ky njeri, para se të çmendej, askush nuk e mori vesh…

Ai, apo hija e tij, vazhdon ende të rikthehet në qytet, në shtëpinë e tij, ku një grua me të zeza, pastron dhe kujdeset për të, Ajo largohet pa hyrë ai në banjë… Pasi lahet, ndërrohet dhe mjekon plagët e qelbëzuara, ai ulet në tavolinën e pastër, mbushur me gjellë të ngrohta e fruta të freskëta…Pastaj shtrihet në krevatin me çarçafë të bardhë e të hekurosur dhe fle deri sa trupi i tij ndjehet përsëri në gjendje për të përballuar peripecitë e një dite tjetër në shoqëri me ish – bashkëluftëtarët e tij të një fati…

FUND 1982.