Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Nderim për ata…

22
Sigal

 

 Kisha kohë që tallesha me jetën time

mjekët i quaja demagogë!

I dëgjoja, qeshja dhe s’merrja mjekime;

mbahesha si “psikolog”.

Kaq herë më paralajmëroi jeta e shkretë!

“Kujdes, e ke marrë me revan”!

Por unë mburresha si të isha një mbret,

dhe si dreqi e haja bakllavanë.

Sheqerin e doja si çdo të ëmbël në botë

përfshirë edhe dashurinë.

Përpara tyre kurrë nuk përmbahesha dot,

tek femrat ushqeja zilinë.

Një ditë nuk duroi më jeta ime e shkretë

u dorëzua përpara diabetit…

Unë që mbaja veten si të isha një mbret

u ndjeva në mes të “tërmetit”.

U rrokullisa si një lëmsh përmbi trotuar

u zhgaravita nëpër mure.

Unë, deri dje si ai lisi i lartë e krenar

u dergja si një shkurre.

Tani e kuptoj sa e shtrenjtë është jeta;

përpiqem me shpirt në dhëmbë.

U tregua shumë bujare me mua e shkreta

po lufton të më ngrerë në këmbë.

Ata mjekë “mediokër” po më rrinë mbi kokë

mbërthyer si krishti pas krevatit.

Ata të urtët dhe më të thjeshtët në botë.

Ata, bijë të denjë të Hipokratit…