Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Kozeli: Nëna dhe refugjati

85
Sigal

LETRA E NËNËS

Si nuk m’u ça zemra atë ditë,
kur të pashë majës së direkut !
Dhimbja e lotët më verbuan sytë,
vura kujën si për një të vdekur…
Vura kujën si qyqe e korbë
për djalin e humbur ku ish ngjitur,
që e tundte dorën si një rrobë!
Rrobë! Ah zemra ime e sfilitur…
mes zallamahisë me klithma e shkumë
vija veshin të të ndjeja zënë.
M’u duk sikur erdhi gjer tek unë
zëri i dashur që thërriste : “Nënë…!”
Por veshët e plakur më gënjyen,
“Nënë!” flisnin gjithë djemuria…
Oh, kjo zemra ime si s’u shqye,
kur u nis me ulërimë anija !…
Qysh ike, o bir, nga Dheu e Nëna
dhe m’u trete udhëve të botës?
Si s’u hap kjo tokë të hyja brenda,
Ç’perëndi me mbajti mendt e kokës?
Si më ike, bir në vend të huaj !
Ashtu vjedhur, pa më marrë uratë ?!
Dal e vështroj yjet e malluar
mos të gjej mes tyre, atje lart…
Dal e vështroj thellë në errësirë…
E… që mos i shtoj detit dallgët,
lotët i përmbaj e rri e mpirë,
Buzët i bëj gjak e duroj plagët…
Kam merak ku ha, ku fle, ku prehesh?
Nganjëherë për ty i flas dhe Hënës,
dhe i përgjërohem që të kthehesh…
Eja! Kur do vish, o bir i Nënës ?!
Paçka se harramët e paudhë,
për shkollë e për punë të plasën xhanin.
Ti do vish, o bir, këtu jam unë!
Pragu i derës, gurët e vatanit…
Ndaj, o bir, të pastë Nëna, ktheu !
gjersa të vish ti, s’do më tresë dheu…

LETRA E REFUGJATIT

Nënë moj, nënokja ime,
dhembshuri e kësaj bote.
Më dhe jetë për së dyti,
kur më erdhi letra jote…
E lexoj me sytë e zemrës,
dhe çuditem si më gjeti ?!
Thonë se letra e Nënës
fluturon mbi valë deti…
Thonë male kapërcen
me pëllumba, dallandyshe
dhe kudo të jesh, të gjen…
Por kjo jotja… erdhi ndryshe…
Erdh’ më këmbë, udhë e paudhë…
ku s’e kish degdisur fati.
Zverdhur, mpakur, shuk e rrudhë,
si fytyrë refugjati…
Se ata e mbajtën gjirit
dhe ma prunë dorë më dorë…
Me ta, fshehtazi kufirit
kaloi shtigjeve me borë…
Me ta brodhi kontinente
dhe i erdhi rrotull globit.
Ata e mbajtën me vete,
sado ndarë, si zogjtë e korbit…
Një prej tyre ma dha letrën
i drobitur, sy-përgjumur…
Kishte humbur gjithçka tjetër,
vetëm letrën s’e kish humbur.
Ish dita, kur unë një lypësi
i dhashë të holla, të mjerit…
Në të ikur dëgjoj shqip:
“Rrofsh e të faleminderit!”
Shtanga, ngriva, m’u drodh trupi,
si vëlla qafoj lypsarin.
Ai skuqur qan nga turpi,
unë i prekur qaj nga malli.
Nuk e di sa ndenjëm heshtur,
gojëkyçur si në mort.
Dufi e gazi me qenë pleksur
sa nuk mund t’i shqitja dot…
Unë shpërtheva:” Mor qyqar,
pse ul veten tek të tjerë?!
Në ke ardhur për lypsar,
më mirë vdisje ku ke lerë…
Perëndimin ç’e di ti?
Det me kos, lugën në brez ?
Liria s’eshtë anarki.
Këtu ligji është mbret.”
“Mos më nëm dhe ti, vëlla.
Boll që fati më ka nëmur…
Erdha si shqipe me krah.
Mbeta si trumcak i trëmbur.
Doja Liri, u bëra argat.
Ca të tjerë janë bërë bosë.
Më mirë një lypës i ngratë,
apo vjedhës e kodosh?”
Unë heshta për së dyti.
Sytë m’u mbushën me trishtim…
Befas ai një çast ndriti,
kur mësoi emrin tim.
Më pa si të çuditshme qënie
dhe vuri dorën në gji.
Prej andej nxjerr letrën Tënde,
mbajtur si një hajmali.
Ngazëllyer më dha letrën,
i drobitur, sypërgjumur.
Kishte humbur gjithçka tjetër,
vetëm letrën s’e kish humbur.
Si mund ta lija mes udhës
një vëlla të vendit tim?
I gjeta vendin e punës,
mori krahë për fluturim.
Nënë e shtrenjtë, rri e qetë,
mua mos ma ki merakun.
Sot që shkruaj këtë letër,
më pret makina te pragu.
Rroj në vilë me pishinë.
Ylli i fatit këtu më ndriti.
Është një çift që s’ka fëmijë
e më mbajnë si djalë shpirti…
Më beso, arrita ëndrrën.
Ëndrrën time – fakultetin.
Tek studjoj, flladi i ëmbël,
vjen më shlodh nga buza e detit…
Vjen puhiza gjer tek dhoma,
dhoma, që ndrin nga stolia.
Prej murit më sheh ikona,
sikur më sheh Perëndia.
Por s’e fsheh…edhe Parajsa
duket ferr ngado njëherë…
Zogjtë nuk durojnë kafazë,
por folenë ku kanë lerë.
Nuk e fsheh, syri u velka
me çdo send të bukurisë.
Veç zemra e Nënës s’u gjetka,
as aromë e Shqipërisë.
Andaj pritmë se do vij,
do të vij tek Ty, Nënoke.
Nëse qiellit ka hyjni,
Ti je hyjni e kësaj toke !…