Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi: Dhurata me çerek çmimi

Në një ditë të ngrohtë vjeshte, para filxhanëve të kafes, Kalemi, miku im qysh prej vitit 1967, e nisi bisedën me një humor dashamirës. “Më kujtohet, një rrëfenjë që më ke pasë treguar para ca vitesh. Hysenit i duhej të shkonte në dasmën e djalit të Selimit,por meqë nuk ia arrinte hesapi se ishte pensionist, mori një gur të vogël të fortë me cepa, e mbështolli me një shami dhe e shpuri si dhuratë. I zoti i dasmës, duke e njohur shpirtin, zemrën dhe varfërinë e mikut të tij të fëmijërisë, jo vetëm që nuk u ofendua, por e quajti nderin më të madh, sepse guri-dhuratë ka domethënie të fuqishme. Edhe unë sot do të ‘dhuroj’ diçka, por me dy kushte.” Hapa veshët mirë dhe po e vështroj Kalemin në sy. I pari kusht, tha ai,‘me që ma kanë sjellë dhuratë, e mua nuk më duhet se e kam një, po ta jap ty. Ti e di se dhurata nuk falet, ndaj po ta ‘dhuroj’ me një çmim simbolik, pra përsëri, le ta konsiderojmë plaçkë të dhuruar. Së dyti, këtë dhuratë po e shoqëroj edhe më një anekdotë që ka ndodhur në një fshat të rrethit tonë. Nuk më tha ende se cili qe ‘objekti” që do më dhurohej. Rashë dakord me propozimin e Kalemit. Nuk u nxitova ta pyes, por u armatosa me durim e guxim që të dëgjoja anekdotën, njëherazi nisa të kruaja xhepin ku mbaj lekët, se portofol nuk kam mbajtur kurrë.

Kalemi filloi. Kur hynë kompanitë e celularëve për herë të parë në vendin tonë, në një fshat të thellë, Estrefi, baba i moshuar, i pyeste katër djemtë se çfarë bënin ata me atë gjënë e vogël sa në dorë e sa në vesh. Djemtë herë me durim e herë me nxitim, ia shpjegonin se është telefon. Babai i habitur vijonte me pyetje:” si qenka ky telefon pa tel? Vetë fjala telefon vjen nga fjala tel!? Fëmijët ia shpjegonin gjithsesi, përsëri e përsëri babait. Estrefi këmbëngulës e kureshtar iu lut atyre që dhe atij t’i blinin një telefon të atillë. Dhe ata ia blenë.”E ke dhuratë nga ne!”- i thanë njëzëri duke buzëqeshur, sepse kishin plotësuar një kërkesë të thjeshtë të njeriut të tyre shumë të dashur. Me njëmijë urime ai u nxori lekët, por djemtë e quajtën ‘fyerje’. Babai duke parandjerë se ishte dhurata e fundit, i uronte fëmijët ”marshi nga ditët e mia”, sa herë që niste të fliste me ata që ia donte shpirti, sidomos me kushërinjtë e moshës së vet dhe ndonjë shok të hershëm.

Sigal

I kënaqur pa masë, një ditë Estrefi, iu tha fëmijëve:”E ndjej se gruri është bërë për t’u korrur! Prandaj kur të vdes, telefonin ma vini në xhepin e xhaketës që ta kem me vete në varr. Ata buzëgazën pabesueshëm. Nuk kaloi shumë dhe babai u nda nga jeta. Fëmijët të mbledhur në zi, nuk harruan që të çonin në vend porosinë e atit të tyre. I futën celularin në xhep. Djali i vogël, i cili ishte më shakaxhiu dhe që shumëkush e quante se ishte ‘më i prapti në atë fis’, para se të vendosej aparati në xhep të trupit të pajetë, fshehtazi ia heq kartën telefonit të babait. Të gjithë e përcollën babain, me lot e respekt, dhe të qetë se ia kishin plotësuar amanetin. Ditën e pestë pas varrimit kur të gjithë po rrinin ulur në shtëpi, djali i vogël i Estrefit të ndjerë, u ngrit dhe shkoi në tualet. Atje, fshehurazi ai hoqi kartën e telefonit të tij, futi kartën e telefonit të babait në vend të saj dhe shkroi një mesazh. Aty lexohej: “Bijtë e mij të dashur. Arrita shëndoshë e mirë! Mos u bëni merak!”. Pastaj mesazhin ua dërgoi me anë të telefonit të tij dhe vëllezërve të vet dhe disa njerëzve që i ati i kishte pasur miq të afërt. Të gjithë filluan të pëshpërisnin dhe të habiteshin për mesazhin që u erdhi. Lajmi u përhap në fshat dhe mori dhenë. Mali i thashethemnajave sa vinte e rritej. Mbas dy javësh aty në fshat vdiq një burrë tjetër, Nevzati. Ishte një nga moshatarët, shok i të ndjerit Estref. Djali ‘hokatar me zarar”, përsëri shkroi një mesazh që u vinte djemve nga babai në jetën e përtejme. Aty shkruhej: “Mora vesh se ka vdekur Nevzati. Jepini karikuesin e telefonit të ma sjellë këtu se po m’i bie bateria. Ju përqafoj me mall. Babai.”

Nisëm të qeshim mendueshëm në një gjendje të trishtë, por edhe paksa të gëzueshme që sjell forca e humorit popullor, i cili edhe vdekjes i mvesh mantelin shumëngjyrësh të jetës njerëzore. Për një hoft ramë në qetësi. Kalemi, që si pasuri të patundëshme ka shakanë, ma theu heshtjen me një fjali, e cila më preku edhe më tej:”Mos kujto se ky celular që po të jap me ‘çmim simbolik’ është dhurata e fundit që do marrësh!? Jo, more burrë, mos u ligështo! Ti je i ri, se akoma nuk i ke mbushur tetëdhjetë e dy vjeç!? Dhe mua vetiu më dolën fjalët: ‘dhurata më e thekur do të ishte përcjellja e traditave të mira tek brezi që vjen pas’, e për të mos e zgjatur më, si pensionist që jam, e falënderova atë për celularin që ‘ma dhuroi’ me çerek çmimi.