Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: Gëzim Voda “Ngjesh e qesh”

609
Sigal

Nëse thuhet që libri është dritare prej nga ne e shohim botën, më duhet të shpreh ndjesinë time që, pasi lexova përmbledhjen me rrëfenja “Ngjesh e qesh” të Gëzim Vodës, munda të njoh dhe të zbuloj thesare mençurie të banorëve të zonës së Dëshnicës në rrethin e Përmetit, të Lumit të Vlorës, të Kukësit e Tropojës e deri.në rrethe të tjerë nga Veriu e Jugu i Shqipërisë. Madje autorin e librit mu desh ta falënderoja për ç’gjë të bukur që më kish dhuruar jo pse u ndjeva mirë pas mbarimit së lexuari, por sepse  aty mësova dhe u pasurova me ca “mademe floriri” të rralla e që mund të jenë pasuri vetëm e njerëzve të thjeshtë.

Libri i Gëzim Vodës është i gjinisë së rrëfenjave, fakte të qëmtuara në takime e biseda me njerëz të zakonshëm të para viteve ‘90, por të mara e të sistemuara bukur e me kujdesin e shkrimtarit merakli. Për t’u prezantuar me lexuesin në mënyrë të sinqertë e origjinale, ashtu i duhej të sillej me fjalën e mençme të persanazheve të shumtë, të mblojtur brenda shpirtit për një kohë të gjatë, deri sa erdhi dita të bëhen pjesë e një libri serioz, Gëzim Voda “Ngjesh e qesh”, duke na gostitur me humor të hollë, ashtu siç dinë ta demonstrojnë njerëz të mençëm dhe mendjehapur. Rrëfenjat janë plot jetë, që nuk të lodhin, por edhe që të mbajnë të karikur me kureshtjen për të zbuluar xhevahirin e radhës. E për çfarë “xhevahiresh” bëhet fjalë? – mund të pyes lexuesi.  Në këtë rast ato përfaqësojnë mendimin e koncentruar të nxjerrë nga goja e njerëzve të rrogozit, të atyre që nuk kanë grada e shkolla të mëdha, por përvojën dhe filozofinë që u është dashur  për t’u përballur në dialogje “të vështira”, në oda miqsh e debate publike, por që në fund të fundit ngrejnë lart nivelin e “egoizmit” për t’u prezantuar si dikush që ka mbaruar universitetin e jetës.

Personazhet tek “Ngjesh e qesh” janë me dhjetra, por fakti që librin e bën të jetë interesant e me plot jetë, është se ata janë emra realë, emra njerëzish që në shumicën e tyre njihen nga popullata vendase me emër e mbiemër, madje disa kanë bërë histori si “nastradinë” të zonave ku jetojnë e punojnë. Në ato copësa jete, të rregjistruara e të shënuara në ditar nga autori Gëzim Voda, dalin në dritë disa emra që kanë ditur të aktrojnë bukur, të cilët të lënë pa gojë për batutat e tyre plot filozofi dhe si të jenë melhem për të qetësuar shpirtra të plagosur nga një fjalë e thënë pa menduar apo veprim i gabuar që lëndon shpirtra të pafajshëm. Aty lexuesi do të gjendet i mrekulluar  nga fjalët e mençme nga “profesorët” dëshnicarë Shuaip Harka e Xhako Kajca, të Sulës nga Luma e Rexhep Mezinit të Çajës së Kukësit apo të Rexhep Shishmanit nga Tropoja. Mendimet dhe batutat mes tyre plot kripë e me përmbajtje të thellë, të ngacmojnë për të dalë në përfundimin se fjalët e tyre nuk janë vetëm nga ato të “pleqve të moçëm e të mençëm”, por edhe pasuri e trashëguar dhe e përciellë nga brezi në brez, ashtu siç ndodh me nxënësit të dalë nga një shkollë a universitet ku japin leksione mësues e pedagogë eksilent. Eshtë kjo trashëgimi që shumë krahina apo zona të caktuara të vendit janë “të pasur” me filozofë popullorë, siç është fjalavjen disi e njohur një krahinë si Dibra.  Duke çfletuar librin “Ngjesh e qesh” lexuesi krijon vetvetiu opininonin se njeriu mund të arsimohet e të shkollohet nëpërmjet personave të tjerë, pra nëpërmjet profesorëve të përgatitur për drejtime të ndryshme të jetës, por mënçuria, mendjemprehtësia apo shkathtësia për t’u dhënë përgjigje në mënyrë diplomatike “goditjeve” që të jep kundërshtari në takime e debate publike, është diçka tjetër. Tek libri “Ngjesh e qesh” të krijohet bindja se personazhet  që prezantohen në çdo rrëfenjë janë të mençur vetëm falë mençurisë së tyre të trashëguar me gen.

Aftësia e autorit të librit, Gëzim Vodës, për t’i vënë personazhet  ballë për ballë, për t’ua gjetur “fushën” ku ata ndeshen si “dy gladiatorë”,  është diçka që ua rrit vlerën mendimeve të shfaqura në “shesh të mejdanit”, si i thonë fjalës, por ua shton edhe forcën argumentuese kur “kundërshtarët” përfaqësohen nga persona me emër të mirë si oratorë, të fshatit apo të krahinës. Në këtë kuptim autori del në përfundimin se njerëzit e mençëm janë të bindur në vetvete se janë të aftë t’u japin mend e këshilla të tjerëve, por edhe që mund dhe marrin shumë nga nga ai që konsiderohet “i mundur”. Eshtë gjë shumë e bukur dhe të bën të futesh në mendime kur diku, në një rrëfenjë, mëson faktin që ai që është “ngjeshur” e kalon humbjen duke “qeshur”, por që nënkuptohet se ka nxjerrë një mësim të madh, si një “heqje veshi” për kujdesin që duhet të tregojë përpara se të nxjerrë fjalën nga goja.

Personazhet e përzgjedhur nga shkruesi i rrëfenjave mund të themi se e përfaqësojnë mjaftueshëm jo vetëm fshatin apo krahinën ku jetojnë e punojnë, por edhe pjesën e superstrukturës të shtetit. Shumë nga ata që bëhen objekt dhe subjekt e materialeve të hedhura në libër janë nëpunës, drejtues institucionesh dhe deri nga ata që e konsideronin veten “të pushtetshëm” për çdo gjë: të mençëm, të ditur, të aftë për t’u bërë ballë çdo debati. Në libër jepen shembuj e fakte shumë domethënës sesi persona me detyra të larta e me pushtet, të cilët zbrisnin në popull për të dhënë urdhra e këshilla, si të flisnin nga maja e kalit, ndjehen të çarmatosur dhe pa autoritet përpara logjikës së hekurt të njerëzve “nga rruga”. Shpesh ironia është therëse dhe herë-herë të vjen keq kur njeriu me diplomë e me pushtet zvogëlohet e bëhet hiç përpara tjetrit, i cili bën “të paditurin”, duke e vënë në siklet bashkëbiseduesin me sarkazëm dërrmuese, ashtu si Sula i Çajës kur të deleguarit nga Qendra i thotë: “Më fal, or ti, se helbete, prej fshati jemi e ngutna…”.

“Ngjesh e qesh” është libër ku lexuesi përballet me persona inteligjentë, me ata tipa e karaktere që, siç thotë populli, të japin ujë me bishtin e lugës.  Por janë edhe goxha simpatikë, që dinë të të bëjnë për vete dhe të aftë për të të krijuar mjedis të ngrohtë për të komunikuar, bashkëbiseduar e për t’u marë vesh për çka është objekt debati. Autori është i prirur që në një numur rrëfenjash të jenë objekt ngjarje familjare si dasma, gostira, vakira dhe sidomos ceremonira krushqish, ku jo rrallë “ngjeshjet për të qeshur” marin vërtet përmasat  dhe seriozitetin si të jenë çështje konkurimi të vërtetë, por pa protokoll. Në librin e Gëzim Vodës, “Ngjesh e qesh”, lexuesi pa dashje bëhet tifoz dhe pret me ankth se cila palë do ta fitojë ndeshjen  për korrektësinë në zbatimin e ca formulave që kanë të bëjnë me zakonet dhe traditën. Në rrëfenjën “Ti qënke për në qoshe…”, fjalavjen, vetëm një fjalëz të zhyt e të mbyt, kur po një fjalëz tjetër të ngre nga vendi e të çon në qoshe. Rrëfenjat që gjejnë vend në libër janë me dhjetra, gjithsejt 101, dhe në të gjitha, pa përjashtim, lexuesi i vëmenshëm gjen rastin të mësojë si të komunikojë dhe t’u hapë rrugën çështjeve në jetë, zgjidhjen e të cilave nuk mund ta mësosh kurrë në asnjë shkollë apo universitet, përveç asaj që e gjen të pashkruar, por të saktë e të pastër mes njerëzve-popull.

Mes njerëzve pa grada e ofiqe gjen pa fund mendjeurtë e të mençëm, nga ata që të vrasin “me pambuk”.  Këtu qëndron edhe aftësia dhe guximi i autorit të librit “Ngjesh e qesh”, i Gëzim Vodës. Ai ka ditur të qëndrojë e të miqësohet me njerëz të mençëm e veprues, të cilët për çka dinë e për çka veprojnë përbëjnë thesarë për shoqërinë. Nga kjo pikpamje një libër si ky është shumë më i vlefshëm se një libër tjetër qinra faqesh, por që nuk mëson asgjë. “Ngjesh e qesh” të mbush shpirtin me gaz e humor, por për më shumë të mëson si të sillesh me jetën.