-Dëshmorët dhe krijues të tjerë në një botim të Mehmet Gëzhillit-
Në lexim e sipër të poezive më të mira të dëshmorëve, por edhe të atyre që kanë derdhur shpirtin për të thurur vargje për ta, konstatojmë se autori në formatimin e këtij libri me vlera të çmuara ka vënë në dispozicion jo vetëm përkushtimin e tij të paarrirë, por edhe “vetminë” në mënyrë që në çdo përzgjedhje, në çdo krijim poetik të rekëtijë e pulsojë zemra e Mehmet Gëzhillit.

Është një rast disi i veçantë atë çka konstatohet te studiuesi Mehmet Gëzhilli, i cili falë një pune pasionante gjysmë shekullore ka mundur të meritojë të konsiderohet “institucion” për kujdesin dhe punën profesionale që ka bërë dhe bën për Dëshmorët e Atdheut në planin më gjithpërfshirës të kontributit të tyre në luftë dhe si njerëz me kërkesa të larta si krijues në fushën e letërsisë e të artit. Botimi së fundmi i Antologjisë të poezisë në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë të titulluar “Ju kish lindur nëna për një botë të re”, është një ndër kontributet që jep ky intelektual e që në rastin konkret ka arritur të ngrejë jo një, por dhjetra monumente për ata që dhanë jetën “si me le” për të mbrojtur trojet, ata troje që u është lënë për sot e për nesër trashëgimi brezave.
Ajo çka e bën të jetë një kryevepër dhe që e lartëson mjaftueshëm të konsiderohet e tillë, Antologjia për dëshmorët e Mehmet Gëzhillit ja vlen të jetë pasuri më vete, mundësisht e “hipotekuar” në çdo bibliotekë të lexuesve e krijuesve shqiptarë. Në lexim e sipër të poezive më të mira të dëshmorëve, por edhe të atyre që kanë derdhur shpirtin për të thurur vargje për ta, konstatojmë se autori në formatimin e këtij libri me vlera të çmuara ka vënë në dispozicion jo vetëm përkushtimin e tij të paarrirë, por edhe “vetminë” në mënyrë që në çdo përzgjedhje, në çdo krijim poetik të rekëtijë e pulsojë zemra e Mehmet Gëzhillit.
Relativisht krijimtaria poetike e dëshmoreve të atdheut dhe e atyre që kanë thurur vargje për ta, është e pafundme. E pafundme është edhe tematika për çka është derdhur e shkruar me bojë gjaku, i cili, pra gjaku, në një farë mënyre është shpirti i tyre i trazuar ushqyer në luftë.
Në atë krijimtari të pafund ku i këndohet dashurisë, trimave luftëtarë, shokut që ra në llogore përballë armikut, një kënge të kënduar pas fitores së një beteje, për qëndresën përpara litarit apo përpara skuadrës së pushkatimit, autori ka përzgjedhur ato më të bukurat, ato ku dëgjohen të rrahurat e një zemre të dëlirë, më hyjnoret. Që të mundësh të kuptosh e të shijosh poezitë e përmbledhura në antologjinë që bëjmë fjalë, të duhet ta shfletosh atë faqe pas faqeje, autor pas autori. Vetëm në këtë mënyrë do të kuptojmë e bindemi se poetët-dëshmorë janë ashtu si shenjtorët, të cilët e kuptojnë jetën pak më në thellësi se ne të tjerët. Poetët fillojnë të jetojnë kur vdesin. Vargjet e bukura e të shkruara me mjeshtëri nuk thonë asgjë nëse nuk prekin zemrën. Në këtë rast ato jetojnë dy herë, edhe si heronj të luftës edhe si poetë.

Libri i Antologjisë, i cili doli në dritë në prag të 80 vjetorit të Çlirimit, përfaqëson një nga botimet më seriozë, nga ata që bëhen me merak e dashuri, me atë merak e dashuri që e kanë vetëm krijues e botues si Mehmet Gëzhilli. Kur njihesh me këtë botim, pra kur e lexon me kujdesin për të kuptuar e shijuar krijimet poetike, kupton se përzgjedhja e poezive ka patur edhe merakun që kërkimi të ish shterues në “arkivin” ku kanë gjetur “strehë” krijimtaria e Dëshmorëve të Atdheut.
Artisti nuk është asgjë pa talentin, por talenti nuk është asgjë pa punën, ka thënë Emile Zola. Tek ky botim, kjo çka citova, është kryefjalë. Është kryefjalë jo vetëm për poetët, dëshmorë e jo dëshmorë, por edhe për autorin e librit, i cili është treguar sa artist, po aq edhe punëtor i jashtëzakonshëm. Por në këtë rast le të marrim krijuesit, vetëm ata që thurën poezi shpirti për Heronjtë e Dëshmorët, të cilët jo në një rast janë edhe anonimë që do të thotë se tek “anonimët” është vet populli, i cili edhe ai në ato poezi perla ka derdhur virtytshëm ndjenjat më të pastërta, duke i konsideruar dëshmorët lavdi frymëzimi për brezat. Gjej rastin të them se në çdo rresht e strofë, në të gjitha poezitë e këtij vëllimi të papërsëritshëm, përballesh me vuajtje shpirti, vuajtje që lartësojnë krijues e dëshmorë. Nëse u referohemi poezive të autorëve që nuk kanë qenë pjesë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, vëmë re se tek ata, në muzën krijuese të tyre, ka gjetur strehë një tipar hyjnor, ai tipar që i bën njësh me një element që i përket diçkaje qiellore. Ata që kanë shkruar për luftën, për ata që e bënë atë luftë, por edhe për trashëgiminë që përfaqëson në letërsinë tonë shqipe, kanë një gjë të përbashkët: Ata janë njerëz ashtu si ne, por për krijimet e tyre, për ato të shkruara në emër të një dashurie për Atdheun, për të rënët, për lavdi epokash, siç është Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në të gjithë hapësirën e saj “galaktike”, ka atë hyjnoren, atë që e ka emrin dashuri. Për poetët dëshmorë, për të gjithë krijuesit e përfshirë në “Ju kish lindur nëna për një botë tëre”, por edhe për botuesin Mehmet Gëzhilli, të duash do të thotë ndjenjë, e të dashurosh është më shumë se ndjenjë. Pra në këto krijime e në këtë botim prestigjioz gjejmë vetëm DASHURI.






















