Suplementi Pena Shqiptare/ Anja Toma: “Femra është Hyjnore”

Anjeza Toma

Femra është hyjnore,

sepse nuk u thye kur duhej të ishte pluhur.

Sigal

Ia shkelën zërin,

ia mbyllën gojën me turp,

ia varën emrin në gojët e të tjerëve

si aktakuzë.

 

E matën me trup,

e gjykuan me moral të huaj,

e deshën të përkulur,

e duruan vetëm të bindur.

Por ajo nuk humbi.

 

Nga femra lind një krijesë e re

edhe kur ajo vetë ishte duke vdekur përbrenda.

 

Nga barku i saj lind jeta,

nga shpina e saj, mbijetesa.

Dhe kur e lanë vetëm,

ajo u bë shtëpi për veten.

 

E rrahën me fjalë,

e plagosën me heshtje,

i mësuan të fajësojë veten

për dhimbje që s’i krijoi ajo.

Por femra s’është viktimë,

ajo është dëshmi.

 

Se dhuna nuk e zhduk dritën,

vetëm e bën më të rrezikshme.

Hyjnore është,

sepse ecën drejt jetës,

me plagë që s’kërkojnë më falje,

me sy që s’ulen më,

me zemër që s’lypet.

 

Ata i vunë epitete.

Ajo u bë emër.

Ata kërkuan ta shuanin.

Ajo lindi përsëri.

 

Femra është hyjnore;

jo sepse është e shenjtë për ta,

por sepse mbijetoi pa lejen e askujt.