Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Këngë e njelmët arbëreshe

551
Sigal

Në një zall të vetëmith
buzë detit e trishtuar
po këndon një kallogre
një murgeshë mbetur e ve
arbëreshe e kulluar…


Tek këndonte kroi i lotëve
dy herë më të kripur detin
po e bënte asaj ane…

 

Aty shkoi një plak e ndali:
-Pse s’këndon ti në të bardha
po me kaq të zeza korbi,
kur je ende nuse e re?

 

-Plak i shenjtë, o plak i huaj
nuk e dike gjëmën time
që tani e di dhe dielli,
dhe llahtarën që në sy
më rri ditë e më rri natë
mbushur zemra me lëngatë…

Se qytetin, ku unë linda
qeni turk na e rroposi
dhe me kufoma trimash
mbushi gropat dhe hendeqet
si të ishin thasë zhavorri…
Kokat e djemve i bëri
gurë për kalldrëme rrugësh
e me vashat e dhunuara
dyshekë për jeniçerët…

 

Kur iku ushtri e huaj
ç’mbeti sheshit të braktisur,
zunë ta mbledhin të gjallët
ca në thasë, shumë në zemër.
Një nga një i mblodhën eshtrat
bënë lule dhe shandanë,
rrathë për varret e panumërt,
kyçe për dyert që lanë.

Para se të shkojnë anijet
Për në Kalabrinë e njelmët
ringritën kishën e djegur
tek çukë e malit që sheh
poshtë vetullës së diellit.


Si e lyen me gëlqere
tretur në lotin e grave
thanë meshën e të vdekurve
dhe zgjodhën rojën e tyre
zar i fatit më ra mua…

 

Unë jam murga Arbëri
që po ruaj shpirtrat e tyre
edhe bashkë me Zotin Tënë
presim mos kthehen të gjallët…