Suplementi Pena Shqiptare/ Anisa Markarian: Trupat e rinj

133
Sigal

 

fragment nga romani «15 ditë prilli»

Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e lartë si vagon dekovili, ishte bosh. Vende-vende, bardhësia e mermerit kishte ca njolla të verdhëlleme. Dritat e fuqishme të neoneve, që zbritnin pingul mbi të, nxirrnin në pah një mori brazdash të holla të skalitura me bisturi si të ishin grihësat ku mprehej veglëria e disektimit. Ida priste fillimin e praktikës në heshtje. Atë mëngjes, përveç Vikut, askush s’kishte denjuar ta përshëndeste. Madje i qenë shmangur duke i qëndruar disa hapa larg. Lajmi kishte marrë dhenë tashmë. Në gjirin e grupit të 7-të B kishte bërë shtrat një lungë me qelb me emrin Ida Raez. Studente me dosje dhe fletërrufe! Çibani rrezikonte të shpërthente nga çasti në çast e t’i infektonte. Bërk! Ja përse duhej respektuar një distancë sigurie. Po ju vjen trupi i ri! – i lajmëroi njëri nga studentët e grupit të 5-të A, që kishte pikasur në korridor asistenten e profesorit të shoqëruar nga laborantja; kjo e fundit shtynte karrocën metalike me materialin e freskët mësimor. Vëmë bast që plumbin s’do ta ketë në tëmth, por në ballë? – i pëshpëriti Viku në vesh Idës. Bast idiot, – ia ktheu ajo nëpër dhëmbë. Ndonëse pa pikë njohurie në Mjekësinë Ligjore, studentët do të hamendësonin rrethanat, mënyrën dhe shkakun e vdekjes sapo të ngrihej mushamaja e bardhë që mbulonte kufomën. Pastaj do të nisnin vajtje-ardhjet për “kryeshëndoshë”. Përfaqësues të çdonjërit nga grupet do të bënin vizita në sallat fqinje, kureshtarë të dinin se ç’trupa u kishin rënë në hise. Laborantja e ndaloi karrocën paralelisht me tavolinën e mermertë. Mori forca dhe, me të dy duart, shtyu mbi të “pakon” mishtore. Pastaj, me një gjest prestigjitatori – mungonin veç të rënat e tamburit për të mbajtur pezull ankthin e të pranishmëve – tërhoqi mbulesën dhe zbuloi trupin e të riut. Nuk duhej të ishte më shumë se 19 a 20 vjeç. Ia kishin ngjeshur pistoletën në ballë dhe ekzekutuar me një plumb të vetëm. Bam! Ooj… – u dhemb Ida, sikur plumbi ta kishte përshkuar edhe atë vetë. Për të mos u rrëzuar, u kap fort pas fllanxhës së tavolinës brenda së cilës shtrihej ulluku që drenonte lëngjet e trupave të disektuar dhe ujërat e shpëlarjes e të dezinfektimit. Tiparet e djaloshit i kujtuan pikë për pikë ato të të vrarit të plazhit. Lëkurën ezmere, mollëzat e gërryera, vetullat e kërleshura mbi sytë e squllët si paluze, hundën të hollë, mjekrën drejtkëndëshe, mustaqen të porsadërsirë. Vetëm… vrima e plumbit s’ishte e njëjta. Profesor Sabrani është në një mbledhje në Dekanat. Uluni në vendet tuaja dhe priteni qetësisht, – i porositi asistentja tek linte sallën e ndjekur nga laborantja. Në këmbë pranë trupit, Ida zgjati dorën dhe i ledhatoi kryet. I kaloi gishtërinjtë mes flokëve të qethur shkurt, pastaj ia zbriti ngadalë përgjatë zverkut të rruar “zero”. Akullsi e lagështi. Dhe era hundëshpuese e formalinës… Hë, puthe në buzë tani, – e ngacmoi njëri nga djemtë. Ho, ho, ho!! Fryji te pipi i kallamit, se ndoshta ringjallet, – shtoi një tjetër. Hi, hi, hi! U dëgjua një kërcitje shuplake. Viku i kishte dhënë një flakërimë në fytyrë djalit, që zgërdhihej në krah të saj. E pamundur… E pa-mun-dur! Ç’të ndodhi moj?! Në prag të derës, gishtin tregues drejt kufomës, qëndronte njëra nga studentet e grupit të 5-të A.… Ne ke… kemi të… njëj… – foli me fërgëllima dhe iu afrua tavolinës. – …Po të mos e kishte vrimën në ballë, do të thoja që është i njëjti trup. I yni e ka vrimën pas veshit… Është binjakuuuu! – këlthiti Ida dhe u sul në sallën nga vinte studentja. Në tavolinën e laboratorit të tretë të Anatomisë së Përgjithshme dergjej kufoma që kishte gjetur me Vladin të hënën në të gdhirë në cekëtinën e molit të vogël. Pali dhe Timi ishin aty, që të dy. Të lindur njëzet vjet më parë në një fshat të vogël në rrethinat e kryeqytetit, ishin sëbashku edhe pas vdekjes. Mbi tavolinat e disektimit anatomik të Fakultetit të Mjeksisë. Ç’trajektore e hidhur! Djelmëri e thyer në mes mizorisht. Si do të mund t’ia rrëfente nënës mynxyrëmadhe?! Ku do t’i gjente fjalët për t’ia përshkruar se ç’po i shihnin sytë?! Jo, më mirë të mos e dinte. Ida u përkul mbi djaloshin; ia mori kokën në duart e veta. Gishti i vogël preku buzët e përzhitura të një bire prapa veshit të majtë, nga e cila u rrokullisën disa kokrriza rëre. I përkëdheli qafën, shpatullat, gjoksin… Ia ngrohu faqet me frymën e vet. I pëshpëriti fjalë motre dhe e vesiti me lot të nxehtë. Shporru, o psikopate! – u çor njëri nga studentët. O nekrofile! – e përbuzi një i dytë. Mbërritën! – lajmëroi i treti. I veshur me një përparëse plastike mbi bluzën e bardhë dhe dorezat e trasha prej gome, profesor Sabrani zuri vend pranë kokës së të vdekurit. Sistemi nervor qendror përbëhet nga truri dhe palca kurrizore, që e marrin origjinën nga tubi nervor embrional, – u shpjegoi. – Truri është i mbyllur brenda kafkës, që e mbron nga goditjet, ndërsa palca shtrihet në kanalin e shtyllës kurrizore të formuar nga vertebrat. Tek i rrituri, truri peshon rreth 1300-1500 gram dhe ndahet në tri pjesë: truri i përparmë, i mesëm dhe i pasëm. …Frezën! – urdhëroi asistenten. Jooooo!!! Mos e prekni me dorë! – buçiti i përbindshëm zëri i Idës. Ulu në vend! – ia ktheu profesori autoritar. Guxoni t’i ngitni qoftë edhe një fije floku e jua rrjep lëkurën! – e kërcënoi Ida. Kishte ngritur krahët mbi kokë e mprehur kthetrat. Shprehja e fytyrës së saj kallte tmerr: syshqyer, buzëkërveshur, gojëçapëlyer, flegrarrëqethur. Dil jashtë! – iu përvesh tjetri. – Lipsu! Më dëgjove? Pa gëk e pa mëk! Joo!! Je e përjashtuar nga Fakulteti! Nuk më takonte mua të ta thoja, por ja ku po të njoftoj: Këshilli Pedagogjik sapo mori vendimin për të ta prerë bursën. S’ke të drejtë të studiosh në universitet. Nuk e meriton! Ida u bresht. Kishin vendosur t’i hiqnin bursën e studimit pa pritur t’i përgjigjej fletërrufesë. E kishin linçuar. … Në vend që t’i mjekosh, ti do t’i vdesësh njerëzit! Je armike e popullit!… Po ju, ç’më rrini si mumje?! – iu drejtua studentëve të tjerë. – Nxirrmani jashtë këtë zgjyrë revizioniste! Por Ida nuk u dha kënaqësinë ta shtynin jashtë derës. Mori çantën e doli vetë. Plagët e përfytjes së pardjeshme me anëtarët e Bashkimit Rinor të Qytezës Universitare (BRQU) i thernin si t’i kishin ngulur spica pishe. Një përleshje e re trup më trup do ta kishte shpërbërë thërrmija-thërrmija.