“Më përfytyrohesh…” dhe “Fshesarja e Republikës”: një kthim në dashurinë e parë, tregimi i shkurtër, dhe një roman i ri. Një buqetë personazhesh, kryesisht femërore, që do t’ju befasojnë e do t’ju trondisin, do t’ju argëtojnë me humorin dhe shtien në mendime me historitë e tyre
Shkrimin e një libri e krahasoj me një gatim festiv recetën e të cilit, ndonëse e kam përfytyruar dhe hedhur në letër që në krye të herës, nuk e respektoj pothuajse kurrë. Dhe aq më mirë! Është aq joshës ai çasti magjik kur ndiej se si përbërësit e saj më tërheqin për dore e më udhëheqin, symbyllur, drejt zemrës së kuzhinës. Aty ku zihet brumi, tëhollen petët, mpikset yçi e karamelizohet sherbeti.
“Pip-pip-pip!” – sinjali se pjekja u krye. Nxitoj ta shijoj me ta nxjerrë nga furra, për të pikasur ndryshimet me recetën “origjinale”. Falë sugjerimeve të pëshpëritura nga vetë personazhet, gatesa letrare më ngjan më e shkrifët dhe e mëlmyer se ajo që kisha ndër mend kur lidha futën e përvesha llërët. Dhe ndihem fatlume, që vendosa të ndiqja këshillat e tyre. Librat që po vijnë e kanë zanafillën në dy e më shumë receta të hershme. Aq të hershme, saqë mrekullohem me durimin që patën në pritje të nxehej furra.
“Më përfytyrohesh…” dhe “Fshesarja e Republikës”: një kthim në dashurinë e parë, tregimi i shkurtër, dhe një roman i ri. Një buqetë personazhesh, kryesisht femërore, që do t’ju befasojnë e do t’ju trondisin, do t’ju argëtojnë me humorin dhe shtien në mendime me historitë e tyre. Jeni që të gjithë të ftuar në gostinë letrare. Le t’i shijojmë së bashku!






















