Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: Shpëtoni shpirtrat tanë

318
Sigal

Fragment nga romani

R.B. Tash, nëse më lejohet, kam vetë një pyetje për ata që na ndjekin në emision. Si do ta prisnit ju pohimin e dikujt, që ngulmon se njerëzimi rron me gisht në gojë? Ne e kemi zakon të themi se, kur e thithim gishtin e madh të dorës, biem në ëndërr dhe, kur e kaçim, dalim nga ëndrra. O qytetarë të ndershëm, ende keni nevojë për përralla? Nëse po, ngopuni me kopalla. Nëse jo, i flisni pra atij shkrimtarit të falisur që t’ia shtrëngojë vidhat kaploqes, se nuk po vë mend. Dhe mos harroni për zgjedhjen tuaj, ju lutem, ndëshkimin nuk e meriton vetëm ai që mashtron, por edhe ata që mashtrohen.
G.H. Atëherë, përpara se të ndahemi, ju kujtoj se në Lajme do të ndiqni një kronikë të zgjeruar për ngjarjen e papritur të ditës. Siç jeni në dijeni, në rrasën shkëmbore të lagjes së Kodrës, në atë faqen e gurtë që ngjan si ekran dhe që mund të shihet nga çdo cep i qytetit, sot është shfaqur një thirrje në dimensione të mëdha. Tani për tani nuk dihen autorët, por me gjasë është shkruar përgjatë natës duke përdorur spruco të bardhë. Mendohet se në krye të grupit mund të ketë qenë Filip Mazreku, i cili nuk e ndan të majtën nga e djathta dhe të djathtën nga sollakja, pasi shpesh punon me të dy krahët njëkohësisht. Thirrja përmban sinjalin ndërkombëtar S.O.S., si dhe tekstin e plotë të kësaj shkurtese, që disa e kanë marrë për ndonjë lutje biblike ose dedikim të shenjtë. Por s’është ashtu, prej shumë kohësh e gjithë bota e njeh këtë tekst në anglisht: Save Our Souls. Në gjuhën tonë do të mund të përkthehej: Shpëtoni Shpirtrat Tanë.
Mirupafshim në romanin, më falni, në emisionin e ardhshëm.

Tiranë, qershor- shtator 2008


BUZËQESHJE PA KUSHTE

Një vlerësim nga Arian Leka

A don shpirt? A don dijë? A don gjuhë?
A don sy? A don jetë? A don mall?
Apo s’don hiç gja?!
Në romanin e Zija Çelës të gjitha këto jepen në shkëmbim të një buzëqeshjeje, të cilën duhet të jesh i gatshëm ta bësh flì apo ta falësh pa kushte, sido që të marrë jeta, për mirë a për dreq. Gjithmonë nëse je aq i lirë, sa të dhurosh gjithçka që të është dhuruar, të pranosh fatin që të tërheq për flokësh lart, drejt Atit dhe atë tjetrin që të tërheq përposhtë, drejt Hiçit pa fund. Njëlloj, krejt njëlloj si Jari Kaçinari i pashoq tek “SOS, një buzëqeshje”, që vë me gjithë zemër në ruletën e pandalur të dashurisë, të jetës e të vdekjes, çfarë kishte dhe çfarë nuk e kishte.