Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma Gjini: “Dy Tetat” e shkrimtarit Bardhyl Xhama

249
Sigal

Më 13 qershor, shkrimtari Bardhyl Xhama, feston 88-vjetorin e ditëlindjes. Ta gëzosh, miku ynë, i miri, Bardhyl Xhama! Në emër të disa miqve të letrave shqipe, m’u la një detyrë që ta uronim publikisht me një shkrim në gazetën “Telegraf”, ku ai ka qënë shpeshherë prezent me krijimtarinë e publiçistikën e tij. E kam njohur Bardhylin që kur ka punuar në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, në vitet ’70. Ai ishte redaktor e më pas edhe sekretar i kolegjiumit të redaksisë. Shkrimtari Bardhyl Xhama ka vendin e tij të merituar dhe të nderuar në Historinë e Letërsisë Shqipe për Fëmijë. Që në moshën e rinisë ka botuar publiçistikë e krijime në shtypin e ditës të cilat kanë bërë jehonë në mjediset letrare e shkollore dhe janë mirëpritur nga opinioni. Duke lexuar tregimet e rrëfenjat e B. Xhamës të duket se je duke shkelur në rrugën e rilindësve të krijimtarisë për fëmijë.

Çfarë e karakterizon portretin dhe krijimtarinë e shkrimtarit Bardhyl Xhama? Duke qënë një mësues model, një prind shëmbullor dhe shok e mik tejet dashamirës dhe etikë, brendësia dhe vepra e tij letrare  përshkohen fund e krye nga lejtmotivi i edukimit të njeriut përmes vlerave pozitive.Shëmbulli i mirë dhe edukata e shëndetshme, puna që duhet të bëjnë mësuesit, prindërit dhe shoqëria për edukimin e të rinjve, sipas autorit, janë pikësynimi numër një i unifikuar në bllok, pasi vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme. Të gjitha krijimet e tij përshkohen nga fabula mësimdhënëse, me vlera mësimore-edukative për jetën dhe pikërisht kjo është “Thëmbra e Akilit” që krijimtaria e tij tërhiqet menjëherë prej lexuesve të vegjël.

 

     Vlera e krijimtarisë së tij qendron në faktin se subjekti, dialogjet, rrjedhshmëria e ngjarjes, veprimi, aksioni dhe batutat, përkthehen në ndjeshmëri dhe emocion tek lexuesit e vegjël. Ky është edhe thelbi i krijimtarisë së tij artistike. Ai u përcjell fëmijëve mesazhin: të duan veten, familjen, shokun e shoqen e klasës, të jenë të sinqert, të bashkuar dhe të mos i pranojnë veset e këqija si: dembelizmi, parazitizmi, mburrja, mashtrimi, egoizmi e antivlerave që nëpërkëmbin personalitetin e njeriut. Nxënësit e kanë të dashur, e preferojnë dhe e kërkojnë në biseda shkrimtarin Bardhyl Xhama, sepse kanë çfarë të mësojnë nga përvoja dhe leximi i veprës së tij. Bardhyli ka një shpirt të pastër, fisnik që i pasqyrohet në buzëqeshjen e tij të çiltër. Njeri gojëmbël dhe i kujdesshëm, që kurrë nuk ndodh të përflasë krijimtarinë e kujt. Bardhyli ka një bilanc të pasur krijimtarie letrare e artistike për fëmijë dhe jo vetëm. Është kjo arsyeja që ai për një kohë të gjatë ka qënë zv/kryetar i Shoqatës Kombëtare të Shkrimtarëve të Letërsisë Shqipe për Fëmijë e të Rinj. Bardhyl Xhama ka lindur në Fterrë të Sarandës, më 13 qershor 1933. Rrjedh nga një familje me kontribut të shquar patriotik e arsimor. Mësimet e para i mori në vendlindje, për të vazhduar më pas    gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, ku do të ishte pjesë e grupit të letrarëve të rinj bashkë me Ismail Kadarenë, Dritero Agollin, Hyskë Borobojkën etj. Këtu nisën edhe shkëndijat e para të krijimtarisë së tij letrare. Babai i tij, Lame Xhama, ka qënë luftëtar në Luftën e Vlorës, në Revolucionin e Qershorit, dhe në LANC. Ai mban disa vlerësime, mes të cilëve, titullin e lartë “Mësues i Popullit’. Bardhyli ka një jetë të larmishme krijuese në letërsi, publicistikë, në studime etj.

Pasi shkëlqeu në mësime në të mesmen, e mbajtën si mësues të matematikës në shkollën “Asim Zeneli”. Pas mbarimit me shkëputje nga puna të Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Shkencave Filologjike, dega Gjuhë e Letërsi Shqipe, të cilin e mbaroi me rezultate shumë të mira, shteti do ta ngarkonte në detyra me përgjegjësi. Për të, tani do të hapeshin dyert e perspektivës. Për vlerat që shpërfaqi në punën drejtuese, si drejtor i Kabinetit Pedagogjik të Sarandës, përzgjidhet të punonte si gazetar në gazetën “Mësuesi”, organ i Ministrisë së Arsimit.

Si drejtues shkolle kam patur fatin të punoja me një konsulent me horizont e të kualifikuar  në ndjekjen e studimeve të teksteve shkollore, përvojë e cila u përgjithësua prej tij në gazetën “Mësuesi”, në “Revistën pedagogjike” e në botime të tjera të Ministrisë së Arsimit. B. Xhama, sot, në 88-vjetorin e ditëlindjes, ka përse të krenohet. Krah i djathtë në rrugëtimin e tij të gjatë e të suksesshëm ka qënë edhe bashkëshortja e tij, zj. Feraset, mësuese e dalluar dhe e respektuar. Të martuar së bashku që në vitin 1953, ata kanë vatrën e tyre të ngrohtë familjare me dy vajza e një djalë: Liljanën, Meritën dhe Eduardin, të cilët janë të shkolluar, të martuar e me shumë pasardhës, dy prej tyre emigrantë me gjithë familjet. Nga fëmijët ka 7 nipër e mbesa të shkolluar, të punësuar si dhe 5 stërnipa e stërmbesa. Z. Bardhyl, në pozicionin e mësuesit, të inspektorit të arsimit dhe si drejtor gjimnazi, ka dhënë kontribut të veçant në fushën e arsimit për dhjetra vite, në: Gjirokastër, Delvinë, Sarandë e Tiranë etj. Me një frazë, kontributin e tij në publicistikë do ta përmblidhja: “Publiçistika e Bardhyl Xhamës karakterizohet nga “protonizmi”, dashamirësia për të pasqyruar në shtyp dhe letërsi histori të vërteta njerëzore dhe të ngritura në art, eksperienca pozitive që kanë shërbyer si nxitje për progres”.

Bardhyli ka shkelur në të gjitha qytetet e vendit për të marrë e shkëmbyer përvojën e përparuar të shkollave në shtyp.Ai ka qënë  zëvendësdrejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, Shef  i Sektorit të Gjuhës dhe Letërsisë në Institutin e Studimeve Pedagogjike, nga ku edhe doli në pension në vitin 1989. Si gazetar e studiues, për një kohë të gjatë ka botuar në organet e shtypit e në revista me qindra shkrime e studime për problemet e arsimit, si dhe ka përgatitur shumë skenarë për teatrot e kukullave dhe dokumentarë televizivë për shkollën dhe ansamblet artistike.

Nga kuota e 88 viteve do të veçonim jetën e veprimtarinë letrare e cila ka qënë pasioni i tij. Ka botuar disa dhjetra libra artistike.

Krijimtarinë letrare të B. Xhamës do ta ndaja në dy periudha:

1) Libra të botuara para vitit 1990 si: “Përrallat e detit”, novela “Zhytësit e vegjël të thellësive”, romani fantastiko-shkencor “Ekspedita e kaltër”,  “Zjarrfikësi i pyllit” dhe novela përrallë “Tërfili me katër fletë”.

2) Libra të botuara pas viteve 1990 si: Rrëfenja “Pse qau delfini” (nderuar me çmimin “Mitrush Kuteli”, romani “Në kthetrat e Piratit”(nderuar me  çmimin “Tasim Gjokutaj”), vëllimi me përralla “Lejleku me akullore”, (nderuar me çmimin “La Fonten”), libri me rrëfenja “Djaloshi që kapte rrufetë”, (nderuar me çmimin “Bekim Harxhi”, vëllimi me rrëfenja “Gota e lumturisё” (me çmimin “Tasim Gjokutaj”). Libri i fundit i botuar është “Mikeshat e pёllumbit” (101 rrёfenja tё zgjedhura), i cili është cilësuar dhe si kryevepra e serisë së librave me rrëfenja. Novela e tij për të vegjël “Tre vëllezërit”, u vlerësua si libri mё i mirё pёr fёmijё nё Panairin e Librit tё vitit 2010. Bardhyli është bashkautor në disa vepra letrare në shkallë vendi. Shtëpia Botuese “Toena” është duke botuar kolanën e tij me rrëfenja për fëmijë e të rinj.Janë botuar 3 libra e janë në proces pesë libra titujt: “Pse u ndërpre xhirimi i filmit”, “Hakmarrja e shpendëve”, “Fjala si bleta”, “Gardhi kalbet, armiqësia mbetet” dhe “Një krimb than një lis”.

Për vlerat e mirëfillta edukative, artistike e gjuhësore, librat: “Ekspedita e kaltër”, “Tërfili me katër fletë”, “Pse qau delifini”, “Në kthetrat e Piratit”, “Lejleku me akullore”, “Përrallat e detit”, “Djaloshi që kapte rrufetë”, “Zhytёsit e vegjёl tё thellёsive” dhe “Arratisje nga kafazi”, janë ribotuar disa herë. Krijimtaria artistike e B. Xhamës ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të kritikës letrare. Për të kanë shkruar emra të njohur të letërsisë dhe artit shqiptar, si: Dritëro Agolli, Skënder Hasko, Odhise Grillo, Pandeli Koçi, Viron Kona, Xhahid Bushati, Fatmir Terziu, Riza Braholli, Murat Gecaj, Sejdo Harka, Naim Berisha, Fran Gjoka, Niko Tyto, Melaim Nelaj, Kozma Gjini e shumë të tjerë. Për efekt vendi, po veçoj konsideratën e Driteroit dhe të Pandeli Koçit.

Dritero Agolli: “…Bardhyli ka dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë për fëmijë, që nga libri “Përrallat e detit’, e deri më sot. Më këto ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndezjen e fantazisë së fëmijëve për animizimin e sendeve, që t’i bëjë sendet e kafshët të flasin si njërëz, të nxjerrë në dukje aksionin që u pëlqen tepër fëmijëve…”

 Pandeli Koçi do të shprehej për Bardhylin: “…Shkrimtari Bardhyl Xhama ka spikatur me lëvrimin e një zhanri të shkurtër prozaik, atë të rrëfenjave, ku do të thoshim se ka gjetur veten, madje ka parë edhe suksesin, pasi ato janë mirëpritur nga lexuesit, aq sa nuk kanë munguar zëra kolegësh ta quajnë “Babai i rrëfenjave”.  

Puna e tij si mësues, metodist, drejtues shkolle, studiues, veprimtar e krijues, është vlerësuar nga institucionet shtetërore. Është dekoruar nga Kuvendi Popullor me “Medaljen e Punës”, “Medaljen “Për Veprimtari të Shquar Shtetërore e Shoqërore”, Urdhërin “Naim Frashëri” të kl. III, Urdhërin “Naim Frashëri” të kl. II dhe sot mban titullin e lartë “Mësues i merituar”. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes për kontribut të veçant në letërsinë për fëmijë dhe për drejtimin e Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve të Letërsisë Shqipe për Fëmijë e të Rinj, është nderuar me “Çmimin e Karrierës”. Ka marrë disa Ҫertifikata Mirёnjohjeje dhe është zgjedhur Kryetar Nderi i Shoqatёs Kombëtare tё Shkrimtarёve pёr Fёmijё e tё Rinj. Shkrimtari Bardhyl Xhama i përket plejadës së dytë të shkrimtarëve të letërsisë shqipe për fëmijë dhe është vazhdues i denjë i vlerave të: Spiro Çomorës, Qamil Guranjakut, Zihni Sakos, Mojsi Zaloshnjës, Bedri Dedjes etj. B. Xhama edhe tani që është në pension, vazhdon të shkruajë e të krijojë pa pushim. Ai mbetet për ne njeriu shumë i dashur, i respektuar, shoqëror, i qeshur dhe i afrueshëm, i gatshëm për të ndihmuar këdo, mik i rrallë i fëmijëve. Në emër të shumë miqve të tij shkrimtarë edhe në emër të Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Shkrimtarëve të Letërsisë Shqipe për Fëmijë e të Rinj, anëtar i së cilës jam, nëpërmjet këtij shkrimi i urojmë kolegut, mësuesit, studiuesit e shkrimtarit Bardhyl Xhama, shëndet të plotë, begati në familje e jetë të gjatë e produktive letrare!

E GËZOFSHI 88-VJETORIN E DITËLINDJES, MIKU YNË I DASHUR!

 

 

 

 

        Bardhyl Xhama & Kozma Gjini

 

 

 

 

 

Në një perurim libri.B.Xhama duke referuar

 

 

Familja e Bardhyl Xhamës