Diku jashtë, përtej kohës sime
ndjej një tingull të ri;
e dëgjoj, e ndjek
gati si frymë vibron mes ajrit.
Ngjitet lart, kap qiellin, shpon yjet,
zbulon gjinj të rinj hënor’!
Diku atje mes reve
prek fyejt e ëngjëjve ulur mbi pantheon,
prek tinguj, melodi, harqe unifikues,
një simfoni e tërë hyjnore zbret,
rrëshqet thellë zemrës dhe më magjeps.
Jam diku…
pjalmoj poret e shpirtit me melodi,
jashtë realitetit,
jashtë dhe brenda kohës sime
duke gëlltitur tinguj blu…

PUTHJA E SAJ
Ajo fjeti!
mbështeti kokën në jastëkun e butë,
i purpuronte puthja nën gushë,mbi faqe.
Meraku im atë natë s’i mbylli sytë,
nën gushë vështroja, petale manushaqe.
Në ëndrra ajo, u mbështet mbi një krahëpëllumbi,
fshehur nën qerpikë, e puthi lehtë një yll,
në oaze lumturie fluturoi, papritur humbi.
Syri im nga meraku, atë natë s’u mbyll.
Petale puthjesh kishin çelur, gjurmë trëndafilash,
nën gushë mbi faqe, asaj i bënin puhi.
Diku në ëndrra luhej një simfoni bilbilash,
në lëndina yjesh ndoshta,vraponte ime bijë’.
Në lëndina ylberesh, lumturish, vraponte,
në zemër, një syth i blertë ish për të dashuria,
mbi sy ndoshta, ëndrra më e bukur i vallëzonte.
Ish rritur ime bij’, sa shpejt! S’e dija!
TË KAM PRITUR
Sa e pres ardhjen tënde…
Ndoshta kam vite që pres.
Vite mbledh shkëndijëza drite,
flakadan për Ty, ta ndez…
Si më djeg ardhja jote,
vite drite të kam pritur,
jam e etur gjer në dhimbje,
jam si toka e zhuritur…
KËNGA E ORFEUT
Ti më bën të të dua!
Ti më bën të rend drejt teje!
Ti më shuan, ti më ndez
gjurmë flakësh lë në deje…
Ti më ndjell nëpër oaze
të panjohur lumturie,
veç me fjalë, veç me pak zë,
si Orfeu, më ngre kurthe dashurie…
AT I SHENJTË
Sa hije mbi krye,
i bardhë, plisi.
Të lutem bac,
mos u rrëzo!
Mos u rrëzo dhe këtë herë,
qëndro në këmbë i fortë!
Ti je lisi…
Je toka, je shtegu, klithmë gjaku,
je burri, Anteu, bajraku.
Kolona ku mbështet kryet “mali”
dhe degët e tua,
Driera, Janina,
Gjergji, Ujmali…
MAGJIA E LIBRIT
Fletëve të çdo libri hyjmë magjishëm,
prekim drama, histori, trille, përralla.
Frymojnë aty personazhet, gjallojnë,
klithin tragjedive shekspiriane të rralla.
Enigmë shtojzovallesh,”liqeni i lotëve”,
kreshnikët në Epos të gjallë mbesin,
aty ku dielli puth kreshtën e bjeshkëve,
heronjtë nga legjendat ngrejnë kryet, nuk heshtin.
Nuk hesht asgjë,fletëve pasqyrohet,misteri,
zemërohen pa kuptim orët , xhindët, zanat,
në një ishull liliputësh zgjohet Guliveri.
Nëpër libra gjej enigmën “përse bien këmbanat”
“Ishte ç’na ishte”, përrallat, historitë fillojnë,
fantazojmë ëmbëlsisht, “kështu sikur të jetë”
Super Man, Piter Pan në tjetër dimension.
si në përrallë pak magji zemra jonë mund të ketë”.
Këtë mesazh çdo libër mes gërmash,na përcjell,
meditojmë, thyejmë dilema, dialogojmë,
mes fletëve çdo ngjarje një risi e sjell,
një ditar, një kujtim dëshirat na zgjojnë.
Sikurse unë edhe ti në Feniks, çdo ditë,
gjurmojmë mister yjesh,thërrasim dragojtë.
Trokasim Olimpit ku flenë perënditë,
kërkojmë historinë, lartësojmë heronjtë.





















