Po iki më thotë një fjollë reje
ulur diku në Lunxhëri!
Po shkoj në Malin e Çajupit,
po shkoj të hedh atje pak shi.
Po iki më thotë një dallëndyshe,
nuk kam arsye pse të rri,
folenë e vjetër do ta braktis,
oborret këtu s’ kanë më fëmijë.
Po iki më thotë një grua e thinjur,
me kë të këmbej një fjalë n’ shtëpi?!
Dhe gëlltit lotin nëpër grykë,
dhe përtyp dhimbje në vetmi.
Po iki më thotë një fëmijë i bukur;
kêtu është mbyllur shkoll’ e fshatit…
Po iki më thotë një vajzë re,
po iki në kërkim të fatit…
Po iki më thotë një mik i hershëm,
(është e dhimbshme kur braktisen vendlindjet),
nuk ikim kurrë më thonë zemrat,
nuk ikim kurrë më thonë kujtimet…